Lanë në burg Veliajn, Valbon Çekrezi i lidhur me krimin e organizuar, Genti Shala fshehu pasurinë, SHBA-BE kërkuan të shkarkohej nga detyra si i korruptuar. Dy gjyqtarët peng i shantazheve të politikës dhe SPAK-ut

Investigim

Publikuar: 16/09/2026

Lanë në burg Veliajn, Valbon Çekrezi i lidhur me krimin e organizuar, Genti Shala fshehu pasurinë, SHBA-BE kërkuan të shkarkohej nga detyra si i korruptuar. Dy gjyqtarët peng i shantazheve të politikës dhe SPAK-ut

Gjykata e Lartë vendosi dje të lërë në fuqi masën e arrestit me burg për kreun e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili ndodhet i arrestuar që prej 10 shkurtit 2025. Vendimi u mor nga treshja gjykuese e përbërë nga relatori Sandër Simoni dhe anëtarët Genti Shala e Valbon Cekrezi, të cilët nuk zbatuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rishikimin e proporcionalitetit të masës së sigurisë në raport me detyrën e tij zyrtare.

Kur Gjykata Kushtetuese vendosi pro kërkesës për shtesën e pagës, gjyqtarët dhe prokurorët u ngritën me të drejtë në këmbë për zbatimin e vendimit. Kur Gjykata Kushtetuese kërkon rishqyrtimin real të paraburgimit të Erion Veliajt, ata e trajtojnë vendimin si një formalitet që mund të anashkalohet. Referuar fakteve dhe provave, ngrihen dyshime të forta se dy nga tre anëtarët e trupit gjykues që lanë në burg Veliajn mund të jenë shantazhuar me të kaluarën e tyre nga segmemte në SPAK dhe politikë, që janë investuar për përndjekjen politike të Erion Veliajt.

Nëse Komisionet e Vetingut do të kishin ndjekur dhe zbatuar të njëjtat standarde, Valbon Çekrezi dhe Genti Shala jo vetëm që do të ishin shkarkuar nga detyra dhe nuk do të ishin anëtar të Gjykatës së Lartë, por duhet të ishin marrë të pandehur nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar, fshehje pasurie, afera korruptive dhe pastrim parash. Veprimtaria e tyre kriminale dhe korruptive provohet nga disa raporte sekrete, hetime, evidenca dhe përgjime të SPAK-ut.

Valbon Çekrezi lidhje me krimin e organizuar dhe afera korruptive

Shërbimi Informativ Shtetëror, për llogari të procesit të Vetingut, kishte përgatitur një raport negativ për pastërtinë e figurës së Valbon Çekrezit. Sipas raportit sekret, Valbon Çekrezi ishte skeduar si lidhje e bosit të kokainës dhe heroinës, Plarent Cani, i ekzekutuar në Durrës në vititn 2013. Valbon Çekrezi, më herët gjyqtar i Apelit Durrës, rezulton se ka udhëtuar edhe jashtë vendit me makinën e Plarent Canit, i dënuar në Itali me 14 vjet burg për trafik droge.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, përmes raportit të hartuar në bashkëpunim me SHISH, kërkonte që Valbon Çekrezi të largohej nga sistemi jo vetëm për lidhje me krimin e organizuar, por edhe për përfshirje në afera korruptive. Valbon Çekrezi e ka pranuar vetë par Vetingut se Plarent Cani i ndërhynte për çështje gjyqësore, në rolin e sekserit për të favorizuar të pandehur. Në këmbim, Cani dyshohet se i jepte apartamente.

Sipas informacioneve të mbledhura, Valbon Çekrezi dyshohet se është përfshirë në rreth 60 afera korruptive. Çekrezi dushohet se ka dalë në disa përgjime dhe dosje të SPAK-ut. Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se gjyqtari Valbon Çekrezi nuk justifikonte me burime financiare të ligjshme blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe të një makine Mercedez Benz. Megjithatë, Valbon Çekrezi u konfirmua në detyrë në qershor 2021, ndonëse për të njëjtat shkaqe ishin shkarkuar nga detyra shumë gjyqtarë dhe prokurorē. Dy vjet më vonë, Çekrezi u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë.

Genti Shala fshehu një apartament

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Genti Shala, përflitet se ka paguar 600 mijë euro për të kaluar Vetingun në shkallën e parë (KPK), për shkak të fshehjes dhe mosjustifikimit të pasurisë. Shala, pavarësisht shkaqeve për t’u shkarkuar, u konfirmua në detyrë në gusht 2020. Përfaqësuesit e SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar (ONM) të Monitorimit kërkuan rrëzimin e vendimit të KPK-së dhe largimin e Genti Shalës nga drejtësia si i korruptuar. Komisioneri Publik i kërkoi KPA-së shkarkimin e gjyqtarit Shala nga detyra pasi kishte fshehur pasurinë.

Genti Shala përflitet se hodhi 1 milionë euro për t’i shpëtuar shkarkimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili ishte në trysni të madhe nga rekomandimi i ONM-së. Po le të ndalemi te evidenat dhe faktet. Komisioni i Vetingut konstaton se gjyqtari i Apelit Tiranë, sot anëtar i Gjykatës së Lartë, Genti Shala nuk ka deklaruar pronësinë e një apartamenti në vitin 2003 dhe shitjen tij një vit më pas. Për fshehjen e apartamentit, Genti Shala paraqitit një alibi qesharake, e cila mund të konsiderohej vetëm nëse shuma e parave të paguara është tunduese.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI kishte konstatuar se gjyqtari Shala ka kryer deklarime të pasakta për pasurinë, se nuk ka burime të ligjshme për justifikimit e tyre dhe të shpenzimeve si edhe nuk i ka deklaruar gjithë pasuritë. Edhe sipas Komisionit të Vetingut, Genti Shala, përveç fshehjes së apartamentit, Shala nuk justifikonte shpenzimet për udhëtime jashtë vendit dhe për blerjen e pasurive të tjera të deklaruara.

Megjithatë, trupi gjykues i përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Brunilda Bekteshi komfirmoi në detyrë Genti Shalën në vitin 2020. Një vit më pas, KPA, me trupë gjykuese të përbërë nga Sokol Çomo, Ina Rama, Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz konfirmuan në detyrë gjyqtarin Shala me shumicë votash.