Kjo e mërkurë është dita që Kosova e ka pritur për vite. Sytë janë kthyer nga Haga, ku këtë të mërkurë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në Kosovë, por edhe jashtë saj, vëmendja është përqendruar te zhvillimet që priten në Dhomat e Specializuara. Qindra shqiptarë kanë udhëtuar drejt Hagës, ndërsa shumë prej tyre kanë kaluar natën pranë gjykatës.
Në një ditë të tillë, me vëmendjen e opinionit publik të përqendruar te verdikti që pritet të shpallet në Hagë, edhe në Prishtinë janë shtuar masat e sigurisë. Ambientet e Kryeministrisë së Kosovës janë blinduar, ndërsa burime për mediat bëjnë me dije se janë rritur edhe masat e sigurisë për kryeministrin Albin Kurti.
Ndërkohë, tensionet nuk kanë munguar as në Hagë. Pak para nisjes së seancës, situata është tensionuar jashtë ambienteve të Dhomave të Specializuara, ku janë mbledhur qindra qytetarë shqiptarë për të pritur vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Policia holandeze u ka kërkuar disa herë protestuesve që të largohen nga hyrja e gjykatës dhe të zhvendosen në parkun ku autoritetet kanë lejuar zhvillimin e protestës.
Efektivët kanë paralajmëruar se nëse urdhri nuk do të zbatohej, do të ndërhynin për t’i larguar protestuesit.
Ky paralajmërim ka shkaktuar reagime te disa prej të pranishmëve, duke sjellë përplasje verbale me policinë holandeze. Pas paralajmërimit të tretë të policisë, situata është qetësuar dhe thirrjet ndaj efektivëve janë ndalur.
Në ato momente, Hysni Gucati, ish-kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u është drejtuar protestuesve me një apel për qetësi.
“S’kemi punë me policinë holandeze”, ka thënë Gucati, duke kërkuar nga të pranishmit që të shmangin çdo përplasje me autoritetet.
Ndërkohë që i pranishëm në Hagë është edhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcka, i cili ka deklaruar se ata presin sot pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Ne presim vetëm një vendim, aktgjykim lirues”, është shprehur Konjufca.
“Sot është dita finale në këtë proces gjyqësor. Sot pritet një vendim, një aktgjykim lirues për katërshen drejtuese të Shtabit të UÇK-së. Lufta jonë ishte një luftë e domosdoshme mbrojtëse, kishte vetëm një qëllim, qëllimin e lirisë së popullit tonë dhe stopimin e gjenocidit të forcave paramilitare serbe”, ka deklaruar ai ndër të tjera.
Aktgjykimi pritet të shpallet në orën 10:00 në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Seanca do të jetë publike dhe do të transmetohet në shqip, anglisht dhe serbisht, me një vonesë prej rreth 10 minutash.
Për Kosovën, kjo ditë vjen pas një procesi të gjatë. Katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan në nëntor të vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023.
Procesi ka zgjatur për më shumë se tre vjet, ndërsa në muajt e fundit palët kanë paraqitur argumentet përfundimtare para trupit gjykues.
Një element i rëndësishëm i seancës së sotme është se aktgjykimi nuk do të jetë një vendim i vetëm për të katër të akuzuarit. Trupi gjykues do ta trajtojë veçmas çështjen për secilin prej tyre. Fillimisht pritet të lexohet vendimi për Hashim Thaçin, më pas për Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe në fund për Jakup Krasniqin.
Për secilin prej tyre do të shpallet verdikti për pikat përkatëse të aktakuzës, e cila përfshin akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
