Shiste kokainë dhe kanabis në lokalin ku punonte si kamerier, arrestohet 18-vjeçari në Elbasan Vijojnë operacionet për kapjen e personave të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve.
Një 23-vjeçar ka rënë në prangat e policisë gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Devoll.
Operacioni është zhvilluar nga Seksioni i trafiqeve dhe Seksioni i krimit ekonomik dhe financiar në DVP Korçë, në kuadër të punës operativo-hetimore për goditjen e rasteve të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Burime nga policia bëjnë me dije se në pranga ka rënë Klajdi Muça, nga qyteti i Durrësit, i cili drejtonte një automjet tip Benz dhe gjatë kontrollit të uniformave blu, brenda mjetit janë gjetur 6 emigrantë të paligjshëm. Këta të fundit ishin shtetas sudanezë, të cilët dyshohet se po transportoheshin drejt Tiranës, me qëllim kalimin jashtë shtetit.
Sipas informacioneve, mësohet se për këtë aktivitet, 23-vjeçari dyshohet se do të përfitonte 600 deri në 700 euro për person.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti, një sasi lekësh dhe disa aparate celularë. Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Njoftimi i policisë:
DVP Korçë/Vijojnë goditjet ndaj veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Finalizohet pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Route”.
Transportonte me automjet, kundrejt pagesës, 6 emigantë nga Sudani që synonin të kalonin ilegalisht kufirin, kapet në flagrancë dhe arrestohet drejtuesi i automjetit.
Sekuestrohen automjeti, 7 celularë dhe një shumë parash.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, si rezultat i punës hetimore të kryer me metoda proaktive, gjatë 3 javëve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka oganizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacionin e koduar “Route”.
Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi K. M., 23 vjeç, banues në fshatin Sukth, Durrës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, në afërsi të fshatit Progër, duke transportuar me automjet, drejt Tiranës, kundrejt pagesës 600-700 euro për çdo person, 6 emigrantë nga Sudani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Top Channel