Droni i Huthive rrëzohet pranë Mekës, Arabia Saudite: Siguria e vendeve të shenjta “vijë e kuqe”

Një dron i lëshuar nga rebelët Houthi është rrëzuar nga mbrojtja ajrore saudite, në jug të Mekës, përpara se të hynte në hapësirën ajrore të ndaluar mbi qytetin e shenjtë.
Sipas koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite, droni u interceptua mbrëmjen e së martës. Autoritetet saudite e cilësojnë këtë si tentativën e dytë të Houthive për të goditur Mekën, pas një sulmi me raketë balistike në vitin 2017.
Zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Malki, deklaroi se siguria e vendeve të shenjta islame dhe e pelegrinëve është një “vijë e kuqe”, duke paralajmëruar masa parandaluese ndaj Houthive.
Por, nga ana tjetër, Houthit mohojnë se kanë synuar Mekën. Një zyrtar i grupit i ka cilësuar akuzat saudite si të pavërteta.
Incidenti vjen në një moment të përshkallëzimit të fortë të luftimeve në rajon. Gjatë ditëve të fundit, Houthit kanë kryer disa sulme ndaj objektivave saudite, ndërsa një sulm ndaj një baze ajrore ka plagosur 13 civilë, sipas koalicionit saudit.
Në të njëjtën kohë, konflikti po kërcënon edhe furnizimet globale me naftë. Arabia Saudite fajëson një grup të lidhur me Iranin për sulmin ndaj tubacionit Lindje-Perëndim, një prej rrugëve kryesore për eksportin e naftës drejt Detit të Kuq.
Tubacioni, rreth 1 mijë e 200 kilometra i gjatë, është aktualisht jashtë funksionit. Tregtarët paralajmërojnë se një ndërprerje e zgjatur mund të prekë deri në 4 për qind të furnizimit global me naftë.
Përshkallëzimi vjen pasi Houthit kanë zgjeruar kontrollin përgjatë bregdetit të Detit të Kuq, pranë ngushticës strategjike Bab el-Mandeb, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe të tregjeve energjetike.
Ndërkohë, mbi 100 mijë persona janë zhvendosur brenda Jemenit që prej rinisjes së luftimeve, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët.




