LIVE- 81 vite burg për krerët e UÇK. Reagime dhe indinjatë në Prishtinë. Kërkohet zhbërja e Gjykatës Speciale

16 Shtator 2026 | 09:43

Katër ish-krerët e UÇK-së janë dënuar me gjithsej 81 vite burg nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në përfundim të aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vite burgim, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18 vite, Rexhep Selimi me 13 vite, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vite burgim.

Trupi gjykues i ka shpallur përgjegjës penalisht për krime lufte, përfshirë vrasje të paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar. Në rastin e Thaçit, Dhomat e Specializuara konfirmuan dënimin për katër akuza për krime lufte: vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar. 

Nuk u vërtetuan akuzat për krime kundër njerëzimit

Në të njëjtin aktgjykim, Trupi Gjykues nuk i ka gjetur të provuara akuzat për krime kundër njerëzimit ndaj katër të akuzuarve.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykata konstatoi se Prokuroria nuk kishte arritur të vërtetonte ekzistencën e një sulmi të përhapur dhe sistematik kundër popullatës civile, element kyç për përcaktimin e përgjegjësisë për krime kundër njerëzimit.

Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit përmbante gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Procesi lidhej me ngjarje të periudhës nga marsi 1998 deri në shtator 1999 në disa zona të Kosovës, si dhe në Kukës dhe Cahan në veri të Shqipërisë. 

Aktgjykimi i shkallës së parë

Shpallja e aktgjykimit është bërë më 16 shtator 2026 në selinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Seanca ishte publike dhe u transmetua në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe

Të katër të akuzuarit kishin deklaruar më herët se nuk janë fajtorë për akuzat e ngritura ndaj tyre. Prokuroria Speciale kishte kërkuar nga gjykata dënim me nga 45 vite burgim për secilin, pra gjithsej 180 vite. Kjo ishte kërkesë e Prokurorisë dhe jo vendim i gjykatës. 

Aktgjykimi i shpallur sot është vendim i shkallës së parë. Palët kanë të drejtë të apelojnë vendimin në përputhje me procedurat e Dhomave të Specializuara.

Procesi gjyqësor zgjati më shumë se tri vite

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nisi më 3 prill 2023. Prokuroria e përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill 2025, ndërsa procedura e paraqitjes së provave u mbyll më 18 dhjetor 2025. Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt 2026.

Sipas Dhomave të Specializuara, në proces kanë dëshmuar 134 dëshmitarë në sallën e gjyqit: 125 të thirrur nga Prokuroria, dy nga Mbrojtja e Viktimave dhe shtatë nga ekipet e Mbrojtjes. Në proces kanë marrë pjesë gjithsej 156 viktima. 

Vëmendja në Hagë dhe Prishtinë

Shpallja e aktgjykimit është ndjekur me vëmendje të madhe në Hagë dhe në Prishtinë. Para selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë dhe në kryeqytetin e Kosovës janë mbledhur mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa në Prishtinë janë organizuar tubime dhe është ndjekur publikisht procesi i shpalljes së vendimit.

Dhomat e Specializuara kishin paralajmëruar më herët se për shkak të interesimit të madh, hapësira për publikun në sallën e gjyqit ishte e kufizuar dhe pjesëmarrja fizike kërkonte regjistrim paraprak. 

Aktgjykimi i sotëm shënon përfundimin e fazës së parë të procesit gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, por jo domosdoshmërisht përfundimin përfundimtar të çështjes, pasi vendimi mund të kundërshtohet përmes procedurave të apelimit.

66 Updates
21:58

Ministri Hoti flet për Euronews nga Haga: Drejtësia ndërkombëtare shpërbleu agresorin dhe dënoi viktimat

Gazetarja Esmeralda Mulaj bëri një lidhje live nga Haga për emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ku zhvilloi një intervistë ekskluzive me Andin Hotin, ministrin për Punën, Familjen dhe Vlerat e UÇK-së, njëkohësisht djali i Ukshin Hotit, një prej figurave më të rëndësishme të rezistencës intelektuale dhe politike në Kosovë, i zhdukur pasi doli nga burgu i Dubravës në vitin 1999.

Hoti kishte një reagim të fortë dhe emocional pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, dhe e cilësoi drejtësinë ndërkombëtare si të padrejtë ndaj shqiptarëve, duke deklaruar se ajo “shpërblen agresorin dhe dënon viktimën”. Sipas Hotit, vendimi i fundit dhe mënyra se si është trajtuar lufta në Kosovë janë dëshmi se Gjykata Speciale është ngritur dhe funksionon si një mekanizëm politik.

Hoti tha se në emër të popullit të Kosovës, personat e dënuar nga Gjykata Speciale janë çlirimtarë dhe jo kriminelë.

“Unë mendoj që drejtësia ndërkombëtare në shumë raste ka qenë e padrejtë ndaj popullit shqiptar. Në rastin konkret, shpërblen agresorin dhe dënon viktimën. Dhe besoj që kjo që ka ndodhur sot dhe ajo që ka ndodhur në të kaluarën është dëshmi e asaj që kam thënë edhe më herët, që kjo gjykatë është një gjykatë politike dhe është krijuar politikisht.

Në emër të popullit të Kosovës këta janë çlirimtarë, nuk janë kriminelë. Nuk mund të flasësh në emër të popullit të Kosovës dhe njëkohësisht të dënosh çlirimtarët e Kosovës.

Aty ku jam unë aktualisht, janë mbetjet mortore të 23 personave të zhdukur dhe të masakruar, të cilët janë gjetur para dy javësh në Zubin Potok. Këtu është edhe laboratori ku po bëhet përputhja e ADN-së.

Krejt Serbia deri më sot është dënuar me 61 vite burg për gjenocidin në Kosovë, ndërsa çlirimtarët tanë janë dënuar me 81.

Për mua ka qenë një moment emocional, sepse më kujtoi procesin e babait tim, para 32 vitesh, në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit, ku ai u dënua nga autoritetet serbe për aktivitetin e tij politik për lirinë e Kosovës. Dhe kur shikon sot fytyrat e djemve të këtyre katër heronjve dhe sheh dhimbjen e tyre, është shumë e vështirë të përmbahesh. Kjo dhimbje vazhdon me dekada dhe me shekuj.

Sot në Kosovë janë ende 1 560 persona të zhdukur që kërkohen. Serbia refuzon të komunikojë për fatin e tyre. Serbia e bën Ratko Mladiqin hero. Ndërsa Bashkimi Evropian vetëm jep një deklaratë publike, financon, jep rrugë për në Bashkimin Evropian, ndërsa çlirimtarët e Kosovës dënohen”, tha ai.

Shiko në:
🔗 Shpërndaje
21:22

Amnesty International: Dënimet ndaj Thaçit dhe të tjerëve tregojnë se zyrtarët e lartë nuk janë mbi ligjin

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha se dënimet për krime lufte ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u japin shpresë viktimave që kanë pritur për drejtësi “për më shumë se dy dekada”.

Kështu u citua të ketë thënë Esther Major, zëvendësdrejtoreshë rajonale për Evropën në Amnesty International, sipas një njoftimi në uebfaqen e organizatës.

Ajo tha se vendimet “tregojnë se zyrtarët e lartë nuk janë mbi ligjin” dhe se vendimet japin shpresën se “çdo përpjekje për të penguar drejtësinë, të vërtetën dhe reparacionet nuk do të tolerohet”.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi.

🔗 Shpërndaje
21:17

Gjermania bën thirrje që të respektohet vendimi i Speciales

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, bëri thirrje të respektohet vendimi i Gjykatës Speciale, teksa shtoi se Kosova ka bashkëpunuar me mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë.

“Duke themeluar Dhomat e Specializuara dhe duke bashkëpunuar me Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi, Kosova ka dëshmuar se ka kryer përgjegjësitë e saj, përfshirë ballafaqimin me krimet e luftës, si shtet i pavarur dhe sovran”, tha ambasadori Rudolph.

Sipas ambasadorit gjerman, vendimi ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, “në asnjë mënyrë nuk i shfajëson aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të kryera ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve ’90, të cilat tashmë janë hetuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe që nxitën ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar”.

🔗 Shpërndaje
21:10

HRW për vendimin e Speciales: Moment i rëndësishëm për viktimat që pritën për drejtësi

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, e vlerësoi dënimin e katërshes së UÇK-së, si “moment të rëndësishëm për viktimat që kanë pritur me dekada për drejtësi”.

“Dënimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me tre ish-udhëheqës të lartë të UÇK-së për krime lufte, tregon se pozitat e larta apo pozitat gjatë luftës nuk duhet të mbrojnë askënd nga përgjegjësia për krime të rënda”, tha Hugh Williamnson, drejtori për Evropë dhe Azi Qendrore në HRW në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë.

SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi.

🔗 Shpërndaje
20:50

“Do të përfundosh vetë në Hagë”, 12 vite më pas rikthehet paralajmërimi i Kurtit ndaj Thaçit

Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila këtë të mërkurë dënoi me gjithsej 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së, është rikthyer në vëmendje një video e vitit 2014, ku Albin Kurti paralajmëronte asokohe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e kësaj gjykate të veçantë.

Në videon e publikuar, Kurti kundërshtonte krijimin e Gjykatës Speciale dhe i drejtohej drejtpërdrejt kryeministrit Thaçi, duke pretenduar se ai po e lejonte krijimin e tribunalit me bindjen se vetë nuk do të përfundonte përpara tij.

“Tribunali apo gjykata e veçantë nuk bëhet sikur ky kryeministër i Kosovës të mos donte të bëhej, por Thaçi po e lejon këtë tribunal pasi beson se ai vetë nuk ka për të përfunduar atje. Nëse ka ndonjë mik ndërkombëtar që mund ta ndihmojë Kosovën, duhet ta bëjë këtë duke i treguar kryeministrit që edhe ky vetë do të përfundojë aty”, shprehej Kurti.

Deklarata daton në prill të vitit 2014, kur Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës. Në atë periudhë, çështja e krijimit të një gjykate të veçantë për trajtimin e pretendimeve për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës ishte pjesë e debatit politik në vend.

Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Videoja është rikthyer në vëmendje këtë të mërkurë, pas shpalljes së vendimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan gjithsej me 81 vite burg.

🔗 Shpërndaje
19:58

Konjufca: Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së shkaktoi zhgënjim të thellë në Kosovë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka thënë se aktgjykimi dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka shkaktuar zhgënjim të thellë në Kosovë, ndjenjë të cilën tha se e ndan edhe personalisht.

Ky është reagimi i tij i dytë pasi që Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Selimi me 13 vjet, ndërsa Krasniqi me 25 vjet.

Konjufca shprehu bindjen se Dhoma e Apelit do ta shqyrtojë me kujdes dhe rigorozitet vendimin e shkallës së parë.

“Besoj fuqishëm se Dhoma e Apelit do t’ia nënshtrojë aktgjykimin një shqyrtimi të kujdesshëm dhe rigoroz gjyqësor, si dhe do t’i trajtojë, në përputhje me ligjin e zbatueshëm dhe praktikën e vendosur, mangësitë ligjore dhe faktike që dalin nga ky vendim”, shkroi ai në platformën X, transmeton KosovaPress.

Pavarësisht kësaj, Konjufca theksoi se përkushtimi i Kosovës ndaj sundimit të ligjit, parimeve demokratike, paqes dhe së ardhmes evropiane mbetet i pandryshuar.

Ai tha se historia e Kosovës është e karakterizuar nga represioni, rezistenca, lufta, humbjet dhe liria e fituar me shumë sakrifica.

“Sot, në rrethanat aktuale, është e vështirë të perceptohet një ndjenjë drejtësie për dhjetëra mijëra gra, burra dhe fëmijë, prej të cilëve më shumë se 95 për qind ishin shqiptarë etnikë, që u vranë, u dhunuan dhe u torturuan nga forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe. Për ta, drejtësia nuk erdhi kurrë”, deklaroi Konjufca.

Ai bëri thirrje që të mbrohet e vërteta historike nga çdo shtrembërim dhe interpretim keqdashës.

“Mbi të gjitha, duhet të mbetemi krenarë për dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës, si dhe për shtetin që kemi ndërtuar sot: një Kosovë të lirë, demokratike dhe evropiane”, përfundoi Konjufca në reagimin e tij.

🔗 Shpërndaje
19:30

“UÇK, UÇK”, protestuesit në Tiranë solidarizohen me ish-liderët e UÇK-së pas vendimit të Hagës

Këtë të mërkurë shënohet dita e 109 e protestës së qytetarëve dhe aktivistëve në Tiranë.

Protesta e sotme përkoi me shpalljen e vendimit ndaj ish-liderëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë, ndërsa protestuesit u solidarizuan me ta gjatë marshimit nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë.

Gjatë marshimit, protestuesit kanë bërë thirrje “UÇK, UÇK”, duke shprehur solidaritetin e tyre me ish-liderët e UÇK-së.

🔗 Shpërndaje
19:18

Dënimi me 81 vite burg i ish-liderëve të UÇK-së, Vuçiç: Nuk u dënuan për krime kundër njerëzimit

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç reagoi pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke deklaruar se Serbia duhet të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe të përballet me të kaluarën përmes dialogut.

Në një konferencë për mediat, Vuçiç kritikoi Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se vendimi nuk përfshin disa nga akuzat dhe krimet e pretenduara ndaj serbëve. Ai vuri në dukje se katër ish-drejtuesit e UÇK-së u dënuan gjithsej me 81 vjet burgim.

Vuçiç tha gjithashtu se në vendim nuk janë përfshirë krime kundër njerëzimit.

“E gjithë kjo nuk u mor parasysh dhe, siç thashë, këto gjashtë akuza, të cilat kanë të bëjnë me krimet më të rënda kundër njerëzimit, nuk u shpallën fajtorë. Nuk kemi arsye të jemi të lumtur ose të trishtuar”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se emocionet e larta që lindin dekada pas konfliktit në territorin e ish-Jugosllavisë tregojnë se, siç tha ai, “u bë shumë padrejtësi”, por edhe se shoqëritë nuk ishin mjaftueshëm të përgatitura për t’u përballur me gabimet dhe krimet e tyre të kryera në emrin e tyre.

“Për Serbinë, ruajtja e paqes dhe stabilitetit është me rëndësi thelbësore; për vendin tonë, nuk ka asgjë më të rëndësishme se kaq. Por mendoj se sigurisht në të ardhmen zgjidhja qëndron në bisedë, mirëkuptim dhe dialog më të madh me të gjithë”, tha Presidenti i Serbisë.

🔗 Shpërndaje
18:00

“Do t’i biem pishmanit, por do jetë vonë”, momenti kur Rexhep Selimi i lutej Jakup Krasniqit kundër Gjykatës Speciale

Një video e publikuar së fundmi rikthen në vëmendje qëndrimin e Rexhep Selimit në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, kur deputetët po shqyrtonin ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Në pamje, Selimi i drejtohej asokohe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit, duke i kërkuar që të mos lejonte votimin e rezolutës për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Do t’i biem pishmanit, por do jetë vonë”, shprehej Selimi nga foltorja e Kuvendit.

“Kjo rezolutë është kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Kjo rezolutë është kundër Pavarësisë së Kosovës. Mos e lejoni. Sot është mëngjesi më i rëndësishëm për Kosovën, mos e lejoni, sepse edhe ju edhe ne do t’i biem pishmanit, por do të jetë vonë”, deklaronte ai.

Pavarësisht kundërshtimeve dhe debateve të ashpra politike, më 3 gusht 2015 Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Amendamentet u miratuan me 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim.

Votimi i asaj dite ishte një nga vendimet më të rëndësishme dhe më të debatuara të pasluftës në Kosovë. Institucioni i krijuar pas këtij procesi do të merrte vite më vonë në gjykim disa prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mes tyre ishte edhe vetë Rexhep Selimi, i cili u arrestua në nëntor 2020 dhe u transferua në Hagë së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.

🔗 Shpërndaje
17:45

Kos bën thirrje për respektimin e vendimit të Speciales: Shtetet e rajonit të tejkalojnë ndasitë përmes pajtimit

Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion i pavarur i drejtësisë, duke kërkuar që vendimet e saj të respektohen.

“Vendimet e saj duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë apelimi”, shkroi ajo në X, pasi katër ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u shpallën fajtorë për krime lufte.

“U bëj thirrje të gjithë aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, shtetet e rajonit mund të tejkalojnë ndasitë dhe të bëjnë hapa para drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, u shpreh Kos.

🔗 Shpërndaje
17:04

Grenell: Kurti duhet të funksionojë shpejt për shpërbërje të Gjykatës Speciale

Ish i dërguari i presidentit të SHBA-së Donald Trump, Richard Grenell, reagoi pas aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së.

Grenell tha Albin Kurti duhet të funksionojë shpejt për të shpërbërë këtë gjykatë të huaj.

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit, për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë, është i turpshëm.

Askush nuk është i sigurt nga kjo akuzë, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta janë gjyqtarë dhe prokurori amerikan të gjithë të skajit ekstrem. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të bëjnë të qartë se Thaçi nuk e drejton luftën.

Gjyqtari zviceran Guénawl Mettraux ishte në të vërtetë udhëheqësi, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur në vend të politikës së tyre të Jack Smithit”, shkroi Grenell..

Ai tha se Departamenti i SHBA-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme Todd duhet të funksionojnë shpejt dhe se amerikanët po paguajnë për këto ndjekje politike dhe kjo duhet të ndalet.

“Edhe Albin Kurti duhet të funksionojë shpejt për të shpërbërë këtë Gjykatë të huaj. Anëtarët e Parlamentit duhet të jenë me Kurtin për të bërë këtë të jetë e mundur. Kosova nuk duhet një gjykatë në Holandë”, shtoi Grenell.

🔗 Shpërndaje
16:30

“Nuk ndryshon konteksti historik i luftës në Kosovë”, Kroacia reagon pas vendimit të Hagës

Ministria e Jashtme e Kroacisë ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ministria thotë se vendimi nuk është përfundimtar dhe gjykimi nuk ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë.

“Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ky është një aktgjykim jo përfundimtar dhe ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë rezultatin përfundimtar të procedurës”, thuhet në reagim.

Ministria kroate thekson se aktgjykimi nuk ndryshon kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Sllobodan Millosheviçit.

“Në të njëjtën kohë, ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftërave në Kosovë, e as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Millosheviqit. Përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e këtyre krimeve, apo për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, përfundon reagimi.

🔗 Shpërndaje
16:10

“Albin, hajde poshtë”, protestuesit hedhin gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë

Disa qytetarë kanë hedhur gurë në drejtim të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në qendër të Prishtinës.

Protestë e ngjashme u mbajt paraprakisht para selisë së EULEX-it, në zonën industriale, kur u hodhën gurë në drejtim të ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit.

Protestat vijnë pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dënuan katër ish-krerët e UÇK-së për krime lufte, me dënime që shkojnë nga 13 deri në 25 vjet burgim.

🔗 Shpërndaje
16:04

Prokurorja Kimberly West: Vendimi i sotëm i rëndësishëm për sundimin e ligjit dhe drejtësinë për viktimat

Prokurorja e Specializuara, Kimberly West, tha se e mirëpret aktgjykimin dënues ndaj katërshes së UÇK-së, duke thënë se ai është i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe “drejtëi të vonuar për viktimat”.

“Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare. ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht UÇK-në dhe as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës. Individë të caktuar shfrytëzuan ato rrethana të luftës për të kryer krime të rënda, dhe është për meritë të Kosovës që këta individë nxirren tani para përgjegjësisë”, tha West.

Prokurorja West po ashtu tha se ZPS-ja do të shqyrtojë të gjithë aktgjykimin në ditët në vijim, përfshirë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit “që nuk çuan në dënime”.

🔗 Shpërndaje
15:55

Djali i Jakup Krasniqit viziton babanë pas vendimit në Hagë: Është një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës

Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë të ditur se ka vizituar babanë e tij pas vendimit të sotëm në Hagë.

Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së mbeten të fortë dhe krenarë, ndërsa vendimin e cilësoi si një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës.

“Sapo përfundova vizitën me babin. Ai falënderon secilin shqiptar për mbështetjen që i është dhënë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar ai.

“Ata janë të fortë, krenarë dhe me ndërgjegje të pastër për veprimtarinë e tyre. Ky nuk është dënim për ta, sepse fitoren e tyre e kanë fituar në qershor të vitit 1999 dhe më 17.02.2008. Ky është një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës. UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria jonë”, thuhet në postimin e tij.

🔗 Shpërndaje
15:52

Gazetari gjerman që intervistoi Thaçin: Vendimi nuk duhet të zbehë përmasat historike të asaj që ndodhi në Kosovë

Gazetari gjerman Michael Martens ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në X, Martens ka theksuar se procesi juridik ende nuk ka përfunduar, pasi vendimi i shkallës së parë mund të apelohet.

Sipas tij, zhvillimet në procesin gjyqësor nuk duhet të zbehin rëndësinë historike të asaj që ndodhi në Kosovë dhe të rolit që pati lufta për çlirimin e vendit.

🔗 Shpërndaje
15:44

“Shkojmë në shesh”, protestuesit largohen nga objekti i EULEX-it

Dhjetëra qytetarë u mblodhën para ndërtesës së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, në zonën industriale në Prishtinë, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj katërshes së UÇK nga Gjykata e Hagës.

Disa prej hodhën gurë në drejtim të ndërtesës.

Në orët e pasdites mes protestuesve është dëgjuar një thirrje për vazhdimin e protestës në shesh, ku në koordinim me policinë e Kosovës, protestuesit kanë bërë thirrje që të largohen nga ambienti afër objektit të EULEX-it.

“Shkojmë në shesh, nëse jeni për protestë”, është dëgjuar duke thënë njëri prej protestuesve

🔗 Shpërndaje
15:35

Dënimi i ish-krerëve të UÇK, DASH: Shmangni retorikën nxitëse, punoni për një të ardhme paqësore

Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka reaguar pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në një përgjigje për Klankosova.tv një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara e respektojnë aktgjykimin e sotëm.

“Shtetet e Bashkuara respektojnë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ne mbështesim drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe rikonfirmojmë mbështetjen tonë për përgjegjshmërinë, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”.

🔗 Shpërndaje
15:24

Hamza: Beteja nuk ka përfunduar, PDK do të ndërmarrë të gjitha veprime demokratike dhe ligjore

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e cilësoi të rëndë aktgjykimin e sotëm ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

“Presim që në Apel të shqyrtohen me saktësi konkluzionet mbi qëllimet e përbashkëta kriminale, përgjegjësinë individuale, autoritetin dhe kontrollin real, vlerësimin e dëshmive dhe çdo çështje faktike apo juridike që mund të ketë ndikuar në aktgjykim. PDK-ja do të jetë në përkrahje të luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore për këtë proces”, tha Hamza.

🔗 Shpërndaje
14:51

Vendimi i Hagës, Peleshi: Nuk njollosen dot heronjtë e UÇK-së dhe lufta e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka reaguar pas shpalljes së vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një deklarate, Peleshi theksoi se ky aktgjykim nuk mund të zbehë apo të njollosë sakrificën e udhëheqësve të UÇK-së dhe luftën e drejtë për liri.

“Vendimi i sapomarrë ndaj udhëheqësve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nuk i njollos dot heronjtë e Kosovës dhe luftën e saj.

​Sot dhe githmonë, qëndrojmë krah tyre, krah luftës së drejtë të UÇK-së dhe krah Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike”, ka shkruar Peleshi.

🔗 Shpërndaje
14:47

​Kush është Charles Smith, amerikani që dënoi me 81 vjet burgim katërshen e UÇK-së

Charles L. Smith III është gjyqtari amerikan që kryesoi trupin gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe lexoi aktgjykimin e shqiptuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Smith, shtetas i Amerikës, është emëruar gjyqtar në Dhomat e Specializuara më 7 shkurt 2017. Përveç drejtimit të panelit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ai është edhe nënkryetar i kësaj gjykate që nga 29 prilli 2020.

Karriera e tij në Kosovë kishte nisur vite para krijimit të Dhomave të Specializuara. Nga viti 2010 deri më 2013, ai shërbeu si gjyqtar i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit -EULEX.

Në kuadër të këtij mandati, Smith ishte anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës nga viti 2011 deri më 2013. Gjatë kësaj periudhe u zgjodh fillimisht nënkryetar, e më pas kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, thuhet ne biografinë e tij, të shfaqur në uebfaqen e Dhomave të Specializuara.

Para angazhimit në Kosovë, ai kishte një karrierë të gjatë në sistemin amerikan të drejtësisë. Në vitin 1990 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Distriktin e Katërt Gjyqësor të shtetit Iowa. Nga viti 1996 deri më 2010, Smith shërbeu si kryegjyqtar në këtë distrikt dhe ishte njëkohësisht anëtar i Këshillit Gjyqësor të Iowas.

Përpara emërimit si gjyqtar, nga viti 1970 deri më 1989, ai ushtroi profesionin e avokatit privat. Veprimtaria e tij përfshinte çështje civile dhe penale, si dhe raste që lidheshin me biznesin, tatimet dhe trashëgiminë.

Smith përfundoi studimet për drejtësi në Universitetin Creighton në Shtetet e Bashkuara, ku mori gradën “Juris Doctor” në vitin 1970. Po atë vit u pranua në Odën e Avokatëve të Nebraskës, ndërsa më 1971 në atë të Iowas, që është njëra nga shtetet më miqësore amerikane me Kosovën.

Prej vitit 2014 ai ka punuar edhe si ndërmjetësues dhe arbitër.

Në Dhomat e Specializuara, Smith ka kryesuar gjithashtu trupin gjykues në çështjen ndaj ish-drejtuesve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Krahas funksionit të nënkryetarit të gjykatës, ai ushtron edhe detyrën e gjyqtarit të lartë për ankesat e personelit.

🔗 Shpërndaje
14:30

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, reagon Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë me një reagim të gjatë lidhur me vendimin e marrë këtë të mërkurë në Hagë ku u dënuan me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së. Kurti shkruan se ky dënim është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm.

Ai ndër të tjera theksoi se shqiptimi i aktgjykimit në emër të popullit të Kosovës, është një formulë e zbrazët. Sipas tij vendimi nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Kurti shtoi se Kosova do të vazhdojë të mbështesë Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin në procedurën e apelit.

Sipas tij sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara por nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë, Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit.

Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë.

Siç e dimë, me akuzat në Këshillin e Evropës nga deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe ai serb Millosh Alligrudiq filloi gjithçka më 15 prill 2008, por ne duhet të sigurohemi që asgjë nuk përfundoi sot më 16 shtator 2026. Asgjë prej pretendimeve e akuzave të ekzagjeruara e absurde mbi të cilat është arsyetuar ngritja e Dhomave të Specializuara, duke nisur prej Shtëpisë së Verdhë e trafikimit të organeve, nuk ka mundur të ngritej nga vetë Prokuroria, për shkak të mungesës së provave.

Për më tepër, aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara rrëzoi pretendimin më të rëndë që ka mbetur në aktakuzë: se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile. Po ashtu, u pa qartë se ky proces nuk ishte gjykim për legjitimitetin apo pastërtinë e luftës së UÇK-së. Gjithashtu nuk u konstatua as kushti më themelor për krime kundër njerëzimit. Përfundimet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte, përfshirë torturën e personave të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb. Këto janë konstatime të padrejta, por nuk janë përfundimtare dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit në apel.

Padrejtësia e akuzave të Prokurorisë është vënë në dukje jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë saj. Për karakterin e luftës çlirimtare dhe të UÇK-së dëshmuan para vetë Gjykatës edhe personalitete ndërkombëtare që e kishin njohur konfliktin nga afër. Ata përshkruan UÇK-në si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes së shqiptarëve dhe kundërshtuan pretendimin se ajo ishte përgjegjëse për spastrim etnik; gjithashtu ata dëshmuan kundër tezës së një komande të centralizuar që kontrollonte çdo veprim në terren.

Këto dëshmi erdhën nga njerëz që panë luftën nga pozita të drejtpërdrejta të përgjegjësisë ndërkombëtare dhe që dëshmuan për karakterin e saj çlirimtar. Kritikat e tyre, të argumentuara në detaje, e nënvizojnë se vendimi i sotëm mbështetet mbi themele thelbësisht të pasakta, si nga pikëpamja historike, ashtu edhe ajo ligjore. Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë, me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e plotë të kësaj padrejtësie.

Ky aktgjykim nuk mund të lexohet jashtë historisë në të cilën lindi UÇK-ja. UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri. Populli shqiptar i Kosovës përjetoi heqjen e autonomisë, përjashtimin nga institucionet, dëbimin nga vendet e punës, shkollat dhe universiteti, burgosjet, torturat dhe vrasjet. Më pas erdhën masakrat, djegia e vendbanimeve, dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocidi. Kjo vuajtje nuk ishte sfondi i rastësishëm i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën çështje të mbijetesës së një populli.

Asnjë vuajtje njerëzore nuk duhet mohuar apo zvogëluar. Por, po aq e padrejtë do të ishte që konstatimet për veprime të caktuara të shndërroheshin në aktakuzë kundër UÇK-së dhe në gjykim të luftës çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj shtypjes së një regjimi gjenocidal dhe luftoi për çlirimin e Kosovës. Ky është karakteri politik dhe historik i saj, dhe as arkitektura selektive e një mekanizmi gjyqësor, as një aktgjykim i tij, nuk mund ta zhbëjnë atë. Për një shekull e gjysmë, nga mesi i shekullit XIX e deri te vitet e fundit të shekullit XX, nga instancat e ndryshme por gjithnjë të larta, shtetërore e politike, akademike e pseudo shkencore të Serbisë, janë përpiluar 24 programe për shfarosjen e shqiptarëve.

Dhomat e Specializuara u krijuan me një mandat të posaçëm, por mandati dhe veprimtaria e tyre e përqendruan drejtësinë vetëm mbi njërën palë të luftës. Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike. Këtë ndjesi e ka thelluar edhe transparenca e munguar e një procesi, pjesë të rëndësishme të të cilit janë zhvilluar larg syrit dhe vlerësimit të publikut.

Një mekanizëm në të cilin përgjegjësia penale përqendrohet vetëm te pjesëtarët e një populli apo bashkësie etnike, ndërsa krimet gjenocidale të palës tjetër mbeten jashtë ndjekjes efektive, krijon shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit, paanshmërinë objektive dhe legjitimitetin e vetë institucionit. Drejtësia selektive mbi baza etnike bie ndesh me parimin themelor se drejtësia jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe duhet të perceptohet si e tillë.

Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar.

Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ju faleminderit!

🔗 Shpërndaje
14:28

Tensione pranë selisë së EULEX-it, hidhen lëndë plasëse

Pjesa më e madhe e protestuesve janë larguar nga zona përreth selisë së EULEX-it. Autoritetet dhe forcat e rendit po vazhdojnë të monitorojnë nga afër zhvillimet dhe gjendjen e sigurisë.

Gjatë protestës së zhvilluar para selisë EULEX, situata është tensionuar teksa të pranishmit po hedhin lëndë plasëse brenda objektit. Protestat dhe tensionet kanë ardhur pasi Gjykata Speciale në Hagë dënoi me 81 vite burg 4-sh-krerët e UÇK-së.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Shqiptarët e Kosovës u mblodhën me shpresën për të festuar lirimin e tyre dhe më pas u kthye në marshim dhe tensione.

🔗 Shpërndaje
14:27

Pamjet e veçanta nga protesta për UÇK-në, policia me flamurin kombëtar dhe parullën “Liria ka emër” në duar

Pamje të veçanta janë regjistruar gjatë protestës së mbajtur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në pamjet e publikuara shihen efektivët e policisë, të cilët, me mburojat e tyre mbrojtëse, mbajnë parullën me logon e UÇK-së dhe mbishkrimin simbolik “Liria ka emër”.

Ndërkaq, gjatë protestës, efektivët e policisë shihen teksa mbajnë në duar së bashku me qytetarët edhe flamurin kombëtar kuqezi, ndërsa turma përreth thërret thirrje patriotike dhe dëgjohen duartrokitje nga të pranishmit.

🔗 Shpërndaje
14:14

“UÇK-ja nuk është vetëm një emër në histori”, Rey Manaj reagon pas vendimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së

Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me një total prej 81 vitesh burgim ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ku nuk kanë munguar as zërat nga bota e sportit.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka reaguar publikisht përmes një mesazhi ku ka shprehur mbështetjen e tij për luftën çlirimtare dhe figurat e UÇK-së.

Përmes një postimi, futbollisti kuqezi ka nëvizuar se sakrifica e UÇK-së mbetet e pashlyeshme në histori:

“UÇK-ja nuk është vetëm një emër në histori. Është një sakrificë që nuk harrohet, një liri që nuk erdhi falas.”

🔗 Shpërndaje
14:09

Berisha për vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK: Dënime tërësisht të pamerituara

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar ka folur fillimisht lidhur me vendimin e marrë këtë të mërkurë në Hagë ku ish-krerët e UÇK u dënuan me 81 vite burg në total. Berisha u shpreh se dënimet janë të pamerituara teksa theksoi se asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.

“Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit.

Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës. Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta.

Por asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”, tha Berisha.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

🔗 Shpërndaje
14:03

Avokati i Rexhep Selimit pas dënimit të ish-kreut të UÇK-së me 13 vjet burgim: Jemi shumë të zhgënjyer me aktgjykimin

Mbrojtja e Rexhep Selimit, e udhëhequr nga avokati Geoffrey Roberts, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, me të cilin Selimi u dënua me 13 vjet burgim.

Në një deklaratë të shkurtër për media, Roberts tha se mbrojtja është e zhgënjyer me vendimin, por theksoi se bëhet fjalë për aktgjykim të shkallës së parë.

“Jemi shumë të zhgënjyer me aktgjykimin, por është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo është vetëm faza e parë, beteja e parë, si të thuash. Z. Salimi synon plotësisht t’i ushtrojë të drejtat e tij për ta apeluar këtë aktgjykim përmes kuadrit ligjor të Kosovës dhe ne jemi të bindur se në fund, përfundimisht, ai do të shpallet i pafajshëm për të gjitha këto akuza”, ka thënë ai.

I pyetur për gjendjen e Selimit pas shpalljes së aktgjykimit, Roberts tha se kishte takuar klientin e tij dhe kishte diskutuar me të për vendimin, por nuk pranoi të japë detaje të tjera.

“Më vjen keq, nuk do të pranoj pyetje. Jam takuar me z. Selimi dhe kemi diskutuar për aktgjykimin, por nuk do të jap më shumë detaje”, tha Roberts.

🔗 Shpërndaje
13:40

BE për dënimet e ish-krerëve të UÇK-së, thirrje për përmbajtje: Gjykata të lejohet të veprojë pa ndërhyrje

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Guillaume Mercier, tha se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të lejohen ta ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje.

“Drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat. Autoritetet kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në mbarë Kosovën”, tha Mercier.

BE-ja tha se “merr shënim” aktgjykimin e shkallës së parë dhe vlerësoi se Dhomat e Specializuara po administrojnë drejtësi përmes procedurave “të drejta, të paanshme dhe të pavarura”, të bazuara në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

Mercier rikujtoi se personat e dënuar kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin para një paneli të veçantë të gjyqtarëve të Apelit.

BE-ja ritheksoi, gjithashtu, mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara, duke kujtuar se ato u krijuan me vendime të Kuvendit të Kosovës më 2014 dhe 2015 dhe funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës.

Sipas BE-së, puna e tyre është e rëndësishme për përgjegjësinë penale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe për pajtimin.

“Është thelbësore të promovohet një mjedis pa frikë dhe hakmarrje dhe të mbrohen viktimat dhe dëshmitarët”, tha Mercier.

🔗 Shpërndaje
13:40

Limaj pas vendimit në Hagë: Aktgjykim i padrejtë, jo në emër të popullit të Kosovës

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka reaguar lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së. Ai u shpreh se vendimi i sotëm ishte një nga lajmet më të padrejta dhe më të pamerituara. Sipas ti ky vendim nuk ishte në emër të popullit të Kosovës.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, shqiptarë kudo që jeni! Sot morëm lajmet e këqija nga Haga, të papritura, të pamerituara, të padrejta. Sot u shpall aktgjykimi dënues i shkallës së parë për etërit themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për themeluesit e shtetit të Kosovës.

Ky aktgjykim është i padrejtë, i papranueshëm, jo në emër të popullit të Kosovës, jo në emrin tim. E di, sot të gjithë jemi të mërzitur, të zhgënjyer e të dëshpëruar. Më lejoni që zhgënjimin tonë, dëshpërimin tonë, mërzinë tonë të mos e keqpërdorë askush kundër vendit tonë.

Por le ta kthejmë atë në një forcë e bashkim të përbashkët për të vazhduar betejat e ardhshme deri në fitoren e plotë të bashkëluftëtarëve tanë dhe të Kosovës”, u shpreh ai.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

🔗 Shpërndaje
13:40

BE për dënimet e ish-krerëve të UÇK-së, thirrje për përmbajtje: Gjykata të lejohet të veprojë pa ndërhyrje

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Guillaume Mercier, tha se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të lejohen ta ushtrojnë mandatin e tyre pa ndërhyrje.

“Drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat. Autoritetet kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e të gjitha komuniteteve dhe banorëve në mbarë Kosovën”, tha Mercier.

BE-ja tha se “merr shënim” aktgjykimin e shkallës së parë dhe vlerësoi se Dhomat e Specializuara po administrojnë drejtësi përmes procedurave “të drejta, të paanshme dhe të pavarura”, të bazuara në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

Mercier rikujtoi se personat e dënuar kanë të drejtë ta apelojnë aktgjykimin para një paneli të veçantë të gjyqtarëve të Apelit.

BE-ja ritheksoi, gjithashtu, mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara, duke kujtuar se ato u krijuan me vendime të Kuvendit të Kosovës më 2014 dhe 2015 dhe funksionojnë brenda sistemit juridik të Kosovës.

Sipas BE-së, puna e tyre është e rëndësishme për përgjegjësinë penale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe për pajtimin.

“Është thelbësore të promovohet një mjedis pa frikë dhe hakmarrje dhe të mbrohen viktimat dhe dëshmitarët”, tha Mercier.

🔗 Shpërndaje
13:38

Avokati i Thaçit: I rashës kokës me grushte kur gjyqtari tha në emër të popullit të Kosovës

Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar vendimin ndaj ish-presidentit të Kosovës si një “tallje me drejtësinë”, ndërsa ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë atë.

Duke komentuar vendimin e shpallur nga Dhomat e Specializuara, Prosper tha se, sipas tij, procesi ishte i paracaktuar dhe se gjykata ka dhënë një interpretim të historisë që mbrojtja nuk e pranon.

“Është e qartë se ky vendim ishte i paracaktuar. Ajo që pamë sot është një gjykatë që rishkroi historinë. Është fundi i gjykatave ndërkombëtare. E injoruan mbrojtjen”, deklaroi Prosper.

Ai foli edhe për përmbajtjen e aktgjykimit, duke pretenduar se vendimi e lidh Thaçin me një organizatë kriminale. Prosper tha se kishte komunikuar me Thaçin pas vendimit dhe se ish-presidenti i kishte shprehur mirënjohje për mbështetjen e qytetarëve.

“Thaçi është i gatshëm të vazhdojë të luftojë për veten dhe për popullin e Kosovës”, u shpreh avokati.

Prosper tregoi gjithashtu për reagimin e tij gjatë shpalljes së vendimit, duke thënë se “goditi kokën me grushte” kur gjyqtari shqiptoi fjalët “Në emër të popullit të Kosovës”.

Në deklaratën e tij, avokati iu drejtua edhe Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të shqyrtohet raporti dhe marrëdhënia me Dhomat e Specializuara. Sipas Prosperit, Kosova duhet të marrë një vendim sovran, të cilin ai e konsideron në interesin më të mirë të vendit.

“Nëse do të isha deputet, që nga nesër do ta tërhiqja mbështetjen për këtë gjykatë”, tha Prosper.

🔗 Shpërndaje
13:11

Osmani: UÇK mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë, dje, sot e përjetësisht

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë. Osmani shkruan se UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit të Kosovës. Ajo shkruan se populli i Kosovës u ngrit kundër krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. Sipas saj shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amanet i përbashkët.

“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht! Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia gjenocidale gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, rreth 10 mijë ishin civilë të masakruar, ndërsa më shumë se 1500 ende mbesin të zhdukur me dhunë dhe në varreza masive. Dhunimet seksuale, torturat çnjerëzore, vrasjet e fëmijëve dhe krimet e tjera të llahtarshme të Serbisë ende mbesin pa përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare; ndërkaq, Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe t’i shpërblejë kriminelët.

Populli i Kosovës u ngrit pikërisht kundër këtyre krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre. Prandaj, sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët”, shkruan Osmani.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

🔗 Shpërndaje
13:08

Dënimi me 18 vjet burgim, avokati i Veselit: Ditë e keqe për drejtësinë ndërkombëtare, vendimin do ta dërgojmë në Apel

Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, e ka konsideruar zhgënjyes vendimin dënues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se vendimi i sotëm i Speciales nuk është ditë e mirë për sundimin e ligjit, të drejtën ndërkombëtare dhe as Kosovën.

Dixon theksoi se vendimin për burgim me 18 vjet burgim ndaj Kadri Veselit do ta dërgojnë në apel për të vazhduar luftën për pafajësinë e tij.

“Jemi thellësisht të zhgënjyer me aktgjykimin fajësues dhe dënimin e shpallur këtë mëngjes. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, në emër të z. Veseli, kemi theksuar qartë mungesën e provave për përfshirjen e tij në ndonjë rrëmbim, vrasje apo aktivitet kriminal gjatë luftës për lirinë e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën. Nuk është një ditë e mirë as për sundimin e ligjit dhe as për të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, ne do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim të gjatë, të cilin sapo e kemi pranuar, me qëllim që të paraqesim një apelim të fuqishëm dhe të vazhdojmë luftën për të dëshmuar pafajësinë e z. Veseli dhe për ta kthyer atë në shtëpi, në Kosovë”, tha ai.

Ai nuk pranoi të flasë në detaje për apelin, por shtoi se Veseli është në gjendje të mirë shpirtërore dhe i gatshëm të vazhdojë luftën kundër vendimit të Speciales.

“Nuk jam në gjendje t’u përgjigjem tani për pyetje të detajuara. Jam i sigurt se e kuptoni që procedurat janë duke vazhduar. Por dua ta bëj të qartë se ne do ta shqyrtojmë këtë aktgjykim dhe do të paraqesim një apelim shumë të fuqishëm kundër tij. Shkurtimisht, ai është në gjendje të mirë shpirtërore dhe është i gatshëm të vazhdojë luftën. Nuk mund të hyj në më shumë detaje rreth vendimit. Ne do ta shqyrtojmë atë dhe do të ndërmarrim hapat e ardhshëm për të luftuar për z. Veseli”, tha ai.

🔗 Shpërndaje
13:00

Gucati pas vendimit në Hagë: Gjykatë kriminale, dënon pa argumente. Shpresa nuk humb

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati pa vendimit të dhënë këtë të mërkurë nga Gjykata Speciale në Hagë ka reaguar për mediat. Ai theksoi se gjykata e mori vendimin dhe i dënoi ish-krerët e UÇK-së pa argumente. Gucati shtoi se shpresa e tyre mbetet Apeli.

“Gjykatë tmerri e gjykatë kriminale. I dënon njerëzit pa argumente. Kjo është e papranueshme. Sot kjo gjykatë tentoi dhe ia arriti të kënaqë Rusinë dhe Serbinë me këto dënime. Shpresa nuk humb, apeli është. Shpresojmë te apeli”, tha ai.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

🔗 Shpërndaje
12:53

Vengu kundër vendimit të Gjykatës Speciale: “Strehë e padrejtësisë”, kërkon rrëzimin e dënimeve në apel

Ish-ministri i Mbrojtjes dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Vengu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim për krime lufte.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Vengu e cilëson vendimin për krijimin e Gjykatës Speciale si të gabuar dhe shprehet se kjo gjykatë është kthyer, sipas tij, në “strehë të padrejtësisë”.

“Është tashmë e qartë për të gjithë se sa i gabuar ishte vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale, e cila sot u bë streha e padrejtësisë”, shkruan Vengu.

Deputeti socialist kundërshton gjithashtu faktin që vendimi është dhënë nga një gjykatë e vendosur jashtë Kosovës.

“Ishte rrëqethëse t’i dëgjoje këto dënime të shqiptoheshin ‘në emër të popullit të Kosovës’. Një gjykatë e vendosur jashtë Kosovës dhe pa gjyqtarë nga Kosova përdori emrin e popullit të saj për të dënuar luftëtarët e pavarësisë sonë të dytë”, shprehet ai.

Vengu e vendos vendimin në kontekstin e luftës së Kosovës, duke argumentuar se Kosova ishte viktima, Serbia e Millosheviçit agresori, ndërsa UÇK-ja luftoi për liri. Ai përmend gjithashtu ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund spastrimit etnik.

Në reagimin e tij, deputeti i PS-së shprehet në mbështetje të katër të dënuarve dhe familjeve të tyre, ndërsa kërkon që vendimi të kundërshtohet në procesin e apelimit.

“Këto dënime duhet të rrëzohen në apel. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët, duhet të ndërmarrin çdo hap të mundshëm ligjor dhe institucional”, shkruan Vengu.

Ai thekson se mbështetja ndaj Perëndimit nuk duhet të nënkuptojë heshtje përballë asaj që e konsideron padrejtësi.

“Besnikëria jonë ndaj Perëndimit nuk kërkon heshtje përballë padrejtësisë. Ajo kërkon besnikëri ndaj vetë parimeve mbi të cilat Perëndimi është ngritur: lirisë, barazisë dhe drejtësisë”, shprehet Vengu.

Në përfundim, ai deklaron: “Historia e shqiptarëve nuk mund të falsifikohet në sallat e gjyqit”.

🔗 Shpërndaje
12:44

Begaj për dënimin e ish-krerëve të UÇK: Trishtim i thellë, liria ka emër

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar këtë të mërkurë lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë. Ai shprehet se vendim i sotëm është një trishtim i thellë dhe shtoi se për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk e njollos UÇK-në.

“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm. Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie.

Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në! Liria ka emër”, shkruan Begaj.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

🔗 Shpërndaje
12:38

Vendimi i Gjykatës Speciale, mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së përplasen me policinë në Hagë (VIDEO)

Përleshje mes mbështetësve të UÇK-së dhe policisë kanë shpërthyer në Hagë, pas vendimit të marrë nga Gjykata Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Autoritetet vendase ndërhynë për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, duke përdorur mjete shtrënguese, përfshirë ujin, për shpërndarjen e protestuesve. Siç shihet edhe nga pamjet, situata është e tensionuar teksa disa shqiptarë kanë ndërhyrë për të ndaluar bashkëkombësit e tyre për përleshje fizike me policinë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

🔗 Shpërndaje
12:33

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Haxhiu: Lajm tronditës për Kosovën, aktgjykimet nuk e rishkruajnë dot historinë

Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si lajm tronditës për Republikën vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte.

Haxhiu i është drejtuar me mesazh të dënuarve, duke u thënë të qëndrojnë të fortë sepse Kosova është me ta.

“Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton.

Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë.

Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet.

Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme.

Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë.

Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë.

Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”, ka shkruar ajo.

🔗 Shpërndaje
12:24

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, reagojnë kryetarët e Grupit Parlamentar të PS dhe PD: Padrejtësi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë lidhur me ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Përmes një postimi në rrjetet  sociale, Balla e cilësoi vendimin si të padrejtë, duke theksuar se historia dhe kontributi i UÇK-së në çlirimin e Kosovës nuk mund të zhbëhen nga asnjë vendim gjyqësor.

“Ky vendim sot nuk është drejtësi. Nuk ç’bëhet dot historia e lavdishme e UÇK kështu. Padrejtësi!”, shprehet Balla.

Sipas tij, shqiptarët duhet të qëndrojnë në mbështetje të UÇK-së dhe të mbrojnë vlerat e luftës për liri. Balla kërkoi gjithashtu ndjekjen e të gjitha rrugëve juridike dhe ligjore për kundërshtimin e vendimit.

“Shqiptarët duhet të mbrojnë UÇK. Duhet të mbrojmë lirinë dhe çlirimtarët nga ky vendim i padrejtë. Duhet të gjejmë të gjitha rrugët juridiko-ligjore të ç’bërjes së këtij vendimi, sepse duhet të mbrojmë me çdo kusht identitetin tonë si komb”, deklaroi ai.

Lidhur me vendimin ka reaguar edhe kryetari Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi i cili e ka cilësuar si një ditë të rëndë për kombin shqiptar. Ai theksoi se askush nuk mund ta bëjë pis luftën e drejtë për lirinë e Kosovës.

“E PABESUESHME! E PAPRANUESHME! Ditë e rëndë për kombin shqiptar, por akoma më e rëndë për njerëzimin dhe botën demokratike. Shqiptarët janë edhe më të fortë pas kësaj PADREJTËSIE DHE TURPI TË NJERËZIMIT! Askush nuk mund ta bëjë pis luftën e drejtë për LIRINË E KOSOVËS. Përjetësisht me UÇK-në”, shkruan ai.

🔗 Shpërndaje
12:14

Dënimi i ish-krerëve të UÇK, Haradinaj: Vendim i padrejtë, kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar këtë të mërkurë përmes një video në rrjetet sociale lidhur me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë. Haradinaj në video shprehet se ky është një vendim i padrejtë dhe se kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë.

“Vendimi i sot me dënim për udhëheqësit e UÇK në emër të popullit të Kosovës është i papranueshëm dhe i padrejtë. Beteja për drejtësi duhet te vazhdojë kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë jo në emrin tim, jo në emrin e popullit të Kosovës. Vendim dënues për UÇK-në”, tha ai.

🔗 Shpërndaje
12:06

Dënimi me 25 vjet burgim për Hashim Thaçin, vëllai i ish-presidentit: Jemi të bindur në pafajësi, presim Apelin

Gani Thaçi, vëllai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas dënimit të tij me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Vëllai i ish-presidentit ka thënë se familja pret që Apeli ta përmbysë vendimin e Gjykatës Speciale me 25 vjet burgim për krime lufte.

“E presim Apelin”, ka thënë ai tek ka dalë nga shtëpia.

“Jemi të bindur në pafajësi”, ka shtuar Gani Thaçi.

🔗 Shpërndaje
12:01

25 vite burg për Jakup Krasniqin, reagon vajza e tij: Ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli

Vajza e Jakup Krasniqit, Gresë Krasniqi ka reaguar pak minuta më parë lidhur me vendimin e marrë këtë të mërkurë ndaj babait të saj nga Gjykata Speciale në Hagë. Krasniqi u dënua me 25 vite burgim teksa vajza e tij e ka cilësuar vendimin si padrejtësia më e madhe e këtij shekulli.

Sipas saj ky vendim ndryshon historinë e Republikës së Kosovës dhe i vendos një njollë të zezë UÇK-së duke barazuar viktimën me agresorin.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Sot, në qytetin e drejtësisë, ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli.

Në një gjykatë që ne e konsiderojmë të padrejtë, politike, raciste dhe kriminale, u dha një vendim po aq i padrejtë, politik, racist dhe kriminal. Ky vendim, përfundimisht, ndryshon historinë e Republikës së Kosovës, i vendosë një njollë të zezë UÇK-së dhe barazon viktimën me agresorin.

Katër burra që i kthyen armët kundër armikut, jo për të pushtuar e as për pushtet, por për të mbrojtur pragun e shtëpisë që digjej e shkatërrohej; për të mbrojtur familjarët që dhunoheshin, përdhunoheshin, torturoheshin e vriteshin; që zhdukeshin e dëboheshin nga trojet e tyre.

UÇK-ja luftoi kundër kasapit të Ballkanit, kundër një prej ushtrive më të përgjakshme të rajonit, kundër një makinerie ushtarake që kreu gjenocid në Kosovë. E megjithatë, sot u dënuan çlirimtarët.

Në këtë gjykatë te padrejtë, sot u dënua zëdhënësi i UÇK-së, ndërsa homologu i tij i atëhershëm, Ivica Daçiq, vazhdon të jetë i lirë dhe të jetojë krejt mirë në Beograd. Ky është veç një tjetër tregues i qarte për natyrën paragjykuese dhe politike te po kësaj politike.

Natyrisht, ky vendim na ka lënduar dhe na ka zhgënjyer, Por kurrë nuk do të na thyejë dhe kurrë nuk do të na dorëzojë.

Unë jetoj dhe do të vdes me bindjen time të plotë në pafajësinë dhe çiltërsinë e babait tim, Hashimit, Kadriut dhe Rexhës.  Krenaria mbetet. E vërteta mbetet.  Ne do ta vazhdojmë luftën për liri dhe drejtësi”, shkruan ajo.

🔗 Shpërndaje
11:45

Rexhep Selimi dënohet nga Haga me 13 vite burgim

Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Trupi gjykues e shpalli Selimin fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Njëkohësisht, gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Selimi ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020 dhe gjatë gjithë procesit është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

🔗 Shpërndaje
11:44

Dënimi i 4 ish-krerëve të UÇK, Rama: MARRE

Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë ka reaguar menjëherë pas vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës lidhur me ish-krerët e UÇK-së. Rama ka ndarë në “Facebook” një foto teksa shkruhet me kapitale: “Marre”. Në foto duhet harta e Evropës e rrethuar me një rreth me një tel me gjëmba.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burgim. Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim.

🔗 Shpërndaje
11:42

Kadri Veseli dënohet me 18 vite burgim

Kadri Veseli është dënuar më 18 vjet burgim. Gjykatësi Charles Smith ka thënë se pas shqyrtimit të të gjitha provave Veseli është shpallur fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm dhe arbitrar kryer kundër së paku kundër 385 personave.

Për krim lufte kryer kundër 49 personave, torturë kryer kundër së paku 303 personave dhe vrasje të paligjshme si krim lufte kryer kundër së pak 96 personave.

Gjykata ka shqiptuar 10 vjet burgim për arrestim dhe ndalim të paligjshëm, 3 vjet burgim për krime lufte keqtrajtimi njerëzor dhe 13 vjet burgim për krimin e luftës torturës 6 vjet burgim për vrasje të paligjshme.

🔗 Shpërndaje
11:39

Haga jep dënimin për Jakup Krasniqin, dënohet me 25 vite burgim

Jakup Krasniqi është dënuar me dënim prej 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë. Trupi gjykues e ka shpallur të fajshëm për trajtim dhe arrestim të paligjshëm e trajtim çnjerëzor.

“Ju shpall fajtor për arrestim e trajtim të paligjshëm kundër së paku 305 personave, për trajtim mizor si krim lufte, torturë dhe vrasje të  paligjshme. Pika 5-trajtim çnjerëzor të kryer së paku kundër 49 personave”, ka thënë gjyqtari.

Koha e kaluar në paraburgim, sipas trupit gjykues do të llogaritet në dënim. Ish-kryeparlamentari Krasniqi u përballë me paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.

🔗 Shpërndaje
11:39

Haga jep dënimin për Jakup Krasniqin, dënohet me 25 vite burgim

Jakup Krasniqi është dënuar me dënim prej 25 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë. Trupi gjykues e ka shpallur të fajshëm për trajtim dhe arrestim të paligjshëm e trajtim çnjerëzor.

“Ju shpall fajtor për arrestim e trajtim të paligjshëm kundër së paku 305 personave, për trajtim mizor si krim lufte, torturë dhe vrasje të  paligjshme. Pika 5-trajtim çnjerëzor të kryer së paku kundër 49 personave”, ka thënë gjyqtari.

Koha e kaluar në paraburgim, sipas trupit gjykues do të llogaritet në dënim. Ish-kryeparlamentari Krasniqi u përballë me paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020.

🔗 Shpërndaje
11:36

Trupi gjykues në Hagë jep vendimin për Hashim Thacin, dënohet me 25 vite burgim

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shpallur fajtor këtë mërkurë nga Gjykata Speciale në Hagë duke e dënuar me 25 vjet burgim

Trupi gjykues e shpalli atë penalisht përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm, të kryera gjatë luftës në Kosovë.

🔗 Shpërndaje
11:24

Pranë shtëpisë së Kadri Veselit, qytetarët presin me emocione vendimin e Hagës

Një kafene pranë shtëpisë së Kadri Veselit në Mitrovicë janë mbledhur disa dhjetëra persona teksa po ndjekin procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë. Bashkëfshatarë dhe banorë të tjerë të zonës po presin vendimin e Hagës ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së.

Ndër të pranishmit është edhe djali i xhaxhait të Kadri Veselit. Të gjithë po e presin me emocione për vendimin i cili pritet të jepet nga minuta në minutë.

Vendimi për ish-krerët e UÇK-së pritet të përcaktojë fatin e procesit gjyqësor që ka zgjatur për disa vite në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë përballur me akuza të pretenduar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat gjatë seancës u hodhën poshtë nga trupi gjykues.

🔗 Shpërndaje
11:11

Gjykata e Hagës: Konfirmohet ndërrmarja e përbashkët kriminale e ish-krerëve të UÇK-së

Gjykata Speciale në Hagë ka vijuar seancën për shpalljen e vendimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë seancës, trupi gjykues ka konstatuar se Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur të dëshmojë ekzistencën e një sulmi të përhapur dhe sistematik kundër popullatës civile pas 20 qershorit 1999, si kusht për akuzat për krime kundër njerëzimit.

“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, është shprehur kryetari i trupit gjykues.

Ky konstatim ka bërë që akuzat për krime kundër njerëzimit, si dhe ato për krime lufte, të mos mbështeten nga ky konstatim i gjykatës për periudhën pas 20 qershorit 1999.

Ndërkohë, gjatë seancës është konfirmuar akuza lidhur me ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, sipas pretendimeve të Prokurorisë.

Seanca në Gjykatën Speciale në Hagë vijon, ndërsa trupi gjykues po lexon dhe arsyeton vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

🔗 Shpërndaje
11:01

Haga për ish-krerët e UÇK-së: U vërtetua arrestimi i paligjshëm i të paktën 385 personave

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka provuar se ndaj të paktën 385 personave është kryer krimi i luftës i arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm.

Gjyqtari Charles Smith po vijon leximin e konstatimeve të trupit gjykues lidhur me krimet e përfshira në aktakuzë.

Sipas konstatimeve të paraqitura në seancë, shumë prej personave të ndaluar janë rrahur rëndë, deri në atë pikë sa nuk kanë qenë në gjendje të qëndronin në këmbë. Gjykata ka konstatuar gjithashtu se disa të ndaluar kanë humbur jetën si pasojë e rrahjeve nga pjesëtarë të UÇK-së.

Gjyqtari Smith tha se të ndaluarit kanë përjetuar edhe vuajtje të konsiderueshme psikologjike.

“Trupi gjykues konstatoi se mënyra e qëllimshme me të cilën viktimat u ndaluan dhe u arrestuan, pa dhënë asnjë arsye për ndalimin e tyre dhe duke iu mohuar çdo formë e gjykimit të rregullt, tregon se disa prej anëtarëve të përfshirë synonin arrestimin dhe ndalimin e tyre pa ndonjë arsye të vlefshme dhe në shpërfillje të çdo garancie mbrojtëse dhe forme të procesit të rregullt”, deklaroi Smith.

Sipas gjyqtarit, trupi gjykues ka konstatuar se pjesëtarë të UÇK-së, në qendra të ndryshme ndalimi në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore, krijuan, kontribuuan në krijimin dhe i mbajtën të ndaluarit në kushte çnjerëzore.

Të ndaluarit, sipas gjykatës, janë mbajtur në ndërtesa të ndryshme, përfshirë edhe shkolla.

Smith tha gjithashtu se shumë prej pjesëtarëve të UÇK-së të përfshirë në ndalime i kanë keqtrajtuar fizikisht të burgosurit.

“Në vende të ndryshme, anëtarët e UÇK-së i godisnin rregullisht me shkelma dhe i rrihnin brutalisht dhe vazhdimisht të ndaluarit, duke përdorur, ndër të tjera, qytat e pushkëve dhe shkopinj të ndryshëm”, tha gjyqtari Smith.

Trupi gjykues po vijon paraqitjen e konstatimeve për akuzat ndaj të akuzuarve.

🔗 Shpërndaje
11:00

Familjarët e ish-krerëve të UÇK-së në ankth për vendimin në Hagë, i afërmi i Thaçit: Nëna e tij nuk di gjë për seancën

Teksa në Hagë po zhvillohet seanca e fundit e shkallës së parë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së, familjarët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit presin me ankth.

Megjithatë, nëna e Hashim Thaçit, Hyra nuk është në dijeni se këtë të mërkurë do të merret vendimi nga Gjykata në Hagë. Familjarët e ish-kryeministrit kanë zbuluar se do i tregojnë vetëm nëse ata lirohen, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

Këtë e ka zbuluar kushëriri i Thaçit, Halim Thaçi, i cili ka folur për mediat në Kosovë.

 “Nuk i kanë treguar. E nëse na gëzon Zoti, atëherë do t’ia lajmërojmë edhe do të vijmë me u gëzuar edhe kjo ishalla. E vallahi nëse dënohet nuk mundemi me i treguar kurrë gjë. Po presim që sa më parë të lirohet, shumë mungesë kena pasë për Hashimin, si për prindër, si për shoqëri, si për krejt Kosovën”, tha kushëriri.

🔗 Shpërndaje
10:50

Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së, festë në Prishtinë pas rënies së akuzave për krime lufte dhe kundër njerëzimit

Gjykata Speciale në Hagë gjatë seancës gjatë procesit gjyqësor ka theksuar se nuk ka konstatuar krime kundër njerëzimit dhe krime lufta nga katër ish-udhëheqësit e UÇK-së pas 20 qershorit 1999. Kjo ka sjellë që akuza për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte kanë rënë për secilin prej katërshes së UÇK-së.

Kjo deklaratë ka sjellë që qytetarët e mbledhur në shesh në Prishtinë të shpërthejnë në festë. Siç shihet edhe nga pamjet, qytetarët brohorasin dhe valëvisin flamujt e UÇK-së.

Në Gjykatën Speciale ende po zhvillohet seanca për vendimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë teksa qytetarët kanë shprehur shpresën e tyre për lirimin e Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

🔗 Shpërndaje
10:39

Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së, bie akuza për krime lufte dhe kundër njerëzimit

Gjyjata Speciale në Hagë gjatë seancës ka bëre me dije se nuk ka pasur krime kundër njerëzimit nga katër ish-udhëheqësit e UÇK-së pas 20 qershorit 1999.

“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.K

Kjo ka sjellë që akuza për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte kanë rënë për secilin prej katërshes së UÇK-së.

Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke vazhduar seanca për vendimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë.

🔗 Shpërndaje
10:34

Seanca e vendimit në Hagë për ish-krerët të UÇK-së, kryegjyqtari: Nuk po gjykojmë luftën por përgjegjësinë individuale

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në fjalën hyrëse, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, bëri një ndarje të qartë mes procesit ndaj të akuzuarve dhe luftës së UÇK-së në Kosovë.

“Ne po gjykojmë disa persona për përgjegjësi individuale dhe nuk jemi duke gjykuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Smith.

Gjyqtari paraqiti më pas funksionet që, sipas Prokurorisë, kanë mbajtur katër të akuzuarit gjatë periudhës së luftës.

Hashim Thaçi përshkruhet si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, shef i Drejtorisë Politike dhe kryekomandant i UÇK-së, ndërsa Kadri Veseli si shef i Drejtorisë së Zbulimit.

Rexhep Selimi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa Jakup Krasniqi anëtar i këtij shtabi, zëdhënës dhe zv/komandant i UÇK-së, sipas përshkrimit të gjykatës.

Në qendër të procesit janë gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë përgjegjësi për trajtim mizor të civilëve dhe për krime të kryera ndaj personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Sipas aktakuzës, veprimet dhe mosveprimet për të cilat akuzohen të pandehurit lidhen me strukturat dhe veprimtarinë e UÇK-së gjatë konfliktit në Kosovë.

Të katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.

🔗 Shpërndaje
10:20

Nis seanca për aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit në Hagë

Ka nisur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë seanca ku pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Gjatë seancës, trupi gjykues do të bëjë të ditur vendimin për secilin prej të akuzuarve, duke trajtuar dhjetë pikat e aktakuzës. Leximi i aktgjykimit pritet të zgjasë rreth dy orë.

Në sallën e gjyqit janë të pranishëm të akuzuarit, ekipet e tyre mbrojtëse, përfaqësuesit e Prokurorisë, si dhe familjarët.

Interesi për vendimin është i madh edhe jashtë gjykatës. Qindra shqiptarë janë mbledhur në Hagë, ndërsa nisja e seancës është shoqëruar me brohorima.

Në Prishtinë, qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ku po e ndjekin drejtpërdrejt seancën përmes një ekrani të madh të vendosur nga organizatorët.

🔗 Shpërndaje
10:06

Vëllai i Hashim Thaçit: Besojmë në luftën e pastër të UÇK-së

Vëllai i Hashim Thaçit, Gani Thaçi këtë të mërkurë ka dhënë një deklaratë të shkurtër për gazetarët pak minuta para vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë. Nga Broja, vendlindja e ish presidentit, ai theksoi se besojnë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe në luftën e pastër të kësaj ushtrie.

“Besimi në luftën e pastër të UÇK-së, besimi në Zotin, edhe drejtësinë e drejtë”, tha ai.

Thaçi shtoi se të gjithë familjarët janë në Hagë ku presin nga afër vendimin e Gjykatës. Lidhur me nënën e tyre ai theksoi se ndodhet në shtëpi nga ku e pret edhe vendimin për djalin e tij dhe tre shokët e tij të luftës

“Nëna është në shtëpi, por është e lodhur pak”, tha ai.

🔗 Shpërndaje
09:51

Kongresmeni amerikan: Anshmëria politike të mos ketë vend në Hagë

Kongresmeni amerikan, Keith Self këtë të mërkurë përmes një postimi në “X” shprehu shqetësim për atë që ai e konsideron ndikim të anshmërisë politike në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë në Hagë. Ky reagim ka ardhur pak para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Një temë e vazhdueshme që duket se po del nga Haga, është lejimi i anshmërisë politike që të ndikojë në vendimet e saj”, shkroi Self në X.

Ai shtoi se shpreson që një anshmëri e tillë të mos shfaqet gjatë shpalljes së vendimit në rastin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Self, i cili kryeson Nënkomisionin për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, e lidhi çështjen edhe me situatën më të gjerë në rajon, duke e përshkruar Ballkanin si një “fuçi baruti”.

Sipas tij, në rajon ka regjime shtypëse që do të preferonin të nxisnin ndarje, në vend se të punonin drejt pajtimit.

“Një temë e vazhdueshme që po del nga Haga duket se është lejimi i anshmërive politike për të ndikuar në vendimet e tyre. Shpresoj që një anshmëri e tillë të mos shfaqet këtë javë kur të jepet një vendim në gjyqin e Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi nga vitet e shtypjes serbe.

Ballkani është një kuti baruti në një rajon ku regjimet shtypëse nuk do të donin asgjë më shumë sesa të nxisin flakët e përçarjes sesa të punojnë drejt pajtimit”, shkruan ai.

🔗 Shpërndaje
09:45

Nga Haga para vendimit për krerët e UÇK-së, Hoxhaj: Ne presim sot që të shpallen të pafajshëm

Ka mbetur edhe pak minuta deri te shpallja e vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Në mesin e figurave politike që kanë folur para mediave është edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj duke hyrë në speciale, tha se pret që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të shpallen të pafajshëm.

“Ne presim sot që të shpallen të pafajshëm. Ata kanë qenë të pafajshëm dje, do të shpallen të pafajshëm sot, do jenë të pafajshëm përgjithmonë, në zemrën dhe mendjen e çdo qytetari të Kosovës. Jemi të bindur që i vetmi opsion, e vetmja alternativë, i vetmi vendim që duhet të sillet sot është shpallja e tyre të pafajshëm, lirimi i tyre dhe kthimi i tyre në Kosovë, pranë familjes dhe që të jetojnë të lirë e t’i kthehen vendit”, ka thënë Hoxha.

🔗 Shpërndaje
09:39

Flamujt e UÇK-së “pushtojnë” Prishtinën, qytetarët mblidhen për të pritur vendimin e Hagës

Mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së janë mbledhur këtë të mërkurë edhe në qytetin e Prishtinës. Përveç dhjetëra persona që kanë udhëtuar drejt Hagës, qindra qytetarë janë mbledhur në Prishtinë në pritje të vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Siç shihet edhe nga pamjet, qytetarët e mbledhur në shesh shihen me flamuj të stema të UÇK-së teksa presin me shpresën për një aktgjykim lirues ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

“Në emër të popullit, shpallen të pafajshëm”, është një nga parullat më të mëdha të afishuara në shesh.

🔗 Shpërndaje
09:27

Konjufca nga Haga: Presim vetëm aktgjykim lirues

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca këtë të mërkurë ka folur në një deklaratë të shkurtër për mediat para se te futej në ambientet e Gjykatës Speciale në Hagë.

Konjufca u shpreh se dhjetëra figura ndërkombëtare dëshmuan luftën e drejtë dhe mbrojtëse të popullit shqiptar të Kosovës. Ai theksoi se pret një aktgjykim lirues për katërshen drejtuese të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Presim vetëm një vendim. Një vendim që i liron të gjithë ish krerët e UÇK”, tha Konjucfa ndër të tjera.

🔗 Shpërndaje
09:09

“Pafajësi, drejtësi për ish-krerët e UÇK”, ambasadori shqiptar hyn në gjykatën e Hagës

Ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Artur Kuko këtë të mërkurë është bashkuar me dhjetëra mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së për të marrë pjesë në seancën që do të zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë ku do të jepet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Ambasadori në një prononcim ë shkurtër për gazetaren e Euronews Albania, Esmeralda Mulaj u shpreh se është optimist dhe do të jepet drejtësi për ta.

“Pafajësi, drejtësi. Jam shumë optimist”, tha ai shkurtimisht para se të futej në ambientet e gjykatës për të ndjekur procesin gjyqësorë.

Lidhur me këtë vendim të rëndësishëm, dhjetëra persona kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të botës për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Të pranishëm janë edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së të cilët janë futur në ambientet e gjykatës.

🔗 Shpërndaje
08:57

Katër profilet e ish-krerëve të UÇK-së që presin sot vendimin në Hagë, nga Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi

Katër prej figurave më të njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës presin sot në Hagë vendimin përfundimtar të gjykatës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë prej vitesh në qendër të një prej proceseve më të rëndësishme që lidhen me periudhën e luftës në Kosovë.

Të katër kanë pasur role të ndryshme brenda UÇK-së, ndërsa pas luftës u angazhuan në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve të Kosovës. Nga drejtues të strukturave të luftës, ata u shndërruan në figura të rëndësishme të jetës politike të vendit.

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi është një prej figurave më të njohura të politikës së Kosovës, por rrugëtimi i tij politik nisi gjatë viteve të luftës.

Në strukturat e UÇK-së, Thaçi ishte një prej drejtuesve politikë. Gjatë viteve të konfliktit u shfaq në publik si një prej përfaqësuesve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mori pjesë në zhvillimet politike që shoqëruan luftën.

Pas përfundimit të luftës, ai u bë një prej figurave kryesore të politikës kosovare. Thaçi ishte ndër themeluesit dhe drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, forcë politike që doli nga strukturat e ish-UÇK-së.

Në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Thaçi u bë kryeministër i vendit. Gjatë mandatit të tij në krye të qeverisë, ai ishte një prej figurave kryesore në proceset politike dhe diplomatike që lidhen me Kosovën.

Në vitin 2016 u zgjodh president i Kosovës, detyrë që e mbajti deri në vitin 2020, kur dha dorëheqjen pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara.

Sot, pas disa vitesh në Hagë, Thaçi pret vendimin e gjykatës.

Kadri Veseli

Kadri Veseli është një tjetër prej figurave të njohura të UÇK-së dhe të politikës së Kosovës.

Gjatë luftës, Veseli ishte i lidhur me strukturat e inteligjencës së UÇK-së dhe ishte pjesë e rrethit drejtues të organizatës.

Pas përfundimit të luftës, ai kaloi në politikë dhe u bë një prej figurave kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës.

Veseli shërbeu për vite me radhë në institucionet e Kosovës. Ai ishte deputet dhe më pas kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Për një periudhë, Veseli konsiderohej një prej figurave më të rëndësishme politike të vendit, ndërsa pas tërheqjes së tij nga drejtimi i institucioneve, vijoi aktivitetin politik.

Në nëntor të vitit 2020, ai u transferua në Hagë, ku iu bashkua procesit gjyqësor së bashku me Thaçin, Selimin dhe Krasniqin.

Edhe për Veselin, dita e sotme shënon një moment vendimtar pas viteve të qëndrimit në Hagë.

Rexhep Selimi

Rexhep Selimi është një prej emrave që lidhen drejtpërdrejt me strukturat ushtarake të UÇK-së.

Gjatë luftës në Kosovë, Selimi ishte pjesë e strukturave drejtuese dhe operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u bë një prej figurave të njohura të saj.

Pas luftës, ai vijoi angazhimin politik në Kosovë. Selimi ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe për vite me radhë ishte pjesë aktive e jetës politike të vendit.

Ai u përfshi edhe në subjektin politik Vetëvendosje dhe shërbeu si një prej figurave të saj në Kuvend.

Selimi u transferua në Hagë në nëntor të vitit 2020, së bashku me tre bashkëpandehurit e tjerë.

Ndryshe nga Thaçi dhe Veseli, të cilët pas luftës mbajtën poste të larta shtetërore, Selimi vazhdoi për një kohë të gjatë aktivitetin e tij politik si deputet dhe një prej zërave të njohur të opozitës.

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi është figura e katërt e këtij procesi dhe një prej emrave të njohur të historisë politike të Kosovës.

Gjatë luftës, Krasniqi shërbeu si zëdhënës i UÇK-së. Në këtë rol, ai ishte një prej zërave publikë të organizatës dhe përfaqësonte UÇK-në në komunikimin me mediat dhe opinionin publik.

Pas luftës, Krasniqi u përfshi në jetën institucionale të Kosovës.

Ai ishte deputet dhe për një periudhë të gjatë mbajti postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Për një periudhë të shkurtër, ai shërbeu edhe si ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës.

Krasniqi ishte gjithashtu një prej figurave të rëndësishme të Partisë Demokratike të Kosovës, përpara se të largohej nga kjo forcë politike dhe të angazhohej në një tjetër projekt politik.

Në nëntor të vitit 2020, ai u arrestua dhe u transferua në Hagë.

Sot, emri i tij qëndron krah atyre të Thaçit, Veselit dhe Selimit, ndërsa të katër presin vendimin e gjykatës.

Nga lufta në politikë, nga strukturat e UÇK-së në institucionet e Kosovës, rrugëtimi i këtyre katër figurave ka qenë i lidhur ngushtë me historinë e Kosovës gjatë tri dekadave të fundit.

Sot, pas gjashtë vitesh nga transferimi i tyre në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi presin verdiktin që do të përcaktojë një tjetër kapitull në historinë e tyre personale dhe politike.

🔗 Shpërndaje
08:34

Pritet vendimi në Hagë për ish-krerët e UÇK-së, policia largon djalin e Thaçit nga hyrja e gjykatës! Gazetarja jep detajet

Këtë të mërkurë pritet të jepet vendimi në Gjykatën Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Lidhur me këtë vendim të rëndësishëm, dhjetëra persona kanë udhëtuar nga vende të ndryshme të botës për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Të pranishëm janë edhe familjarë të ish-krerëve të UÇK-së mes tyre edhe djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi. Gjithashtu në ambientet e jashtme të Gjykatës Speciale pati një incident ku të pranishmit kanë kërkuar që një gazetar nga Kosova të largohet nga vendi i ngjarjes.

Gazetarja e Euronews Albania, Esmeralda Mulaj ka bërë me dije se mbështetësit kanë kërkuar që gazetari të largohet për shkak të qëndrimeve që ka mbajtur më parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Për të shmangur ndonjë përshkallëzim, djali i Thaçit është spostuar deri sa të jetë e mundur futja në ambientet e Gjykatës Speciale.

“O Hashim ti ku je, krejt Kosovën këtu e ke”, po thërrasin një zëri mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së.

🔗 Shpërndaje
08:04

“Unë s’jam e lirë, pa lirinë tënde, gjysh” , mbesa e vogël puth portretin e Jakup Krasniqit para vendimit në Hagë

Moment emocionues, vajza e Jakup Krasniqi publikon videon me të bijën e vogël që puth protretin e gjyshit, “Të pres me mall e dashur”.

Një moment emocional ka ardhur në prag të shpalljes së verdiktit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Në një video të publikuar në TikTok, një vajzë shihet teksa puth portretin e gjyshit të saj, Jakup Krasniqit. Krahas pamjeve, është vendosur mbishkrimi: “Unë s’jam e lirë, pa lirinë tënde, gjysh”.

Mesazhi shoqërohet edhe me një dedikim të Gresës, e cila ka shkruar: “Prej tokës e gjer në qiell, do të jetoj me krenari që në gjakun tim, në trupin tim të vogël, rrjedh gjaku yt ilir!”. Në fund të postimit ajo ka shtuar: “Të pres me mall e dashuri!”.

Publikimi vjen në një ditë të rëndësishme për procesin gjyqësor në Hagë, pasi sot në orën 10:00 pritet të nisë seanca përfundimtare ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ku pritet të bëhet i ditur verdikti.

🔗 Shpërndaje
07:39

“Presim lirimin”, gjithë sytë e shqiptarëve nga Haga, 3 orë nga vendimi për ish-krerët e UÇK-së

Pas rreth gjashtë vitesh pritjeje, sot vjen momenti kur çështja ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së hyn në një pikë vendimtare. Në Hagë pritet të nisë në orën 10:00 seanca ku Dhomat e Specializuara do të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Bëhet fjalë për një proces që ka zgjatur për vite dhe që ka marrë vëmendje të madhe në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve jashtë saj. Katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj 10 akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sot, vendimi do të jepet individualisht për secilin prej tyre. Sipas rendit të seancës, fillimisht do të lexohet aktgjykimi për Hashim Thaçin, i ndjekur nga Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe në fund Jakup Krasniqi. Për secilin të akuzuar do të bëhet shqyrtimi i veçantë i pikave të aktakuzës.

Publiku do të mund ta ndjekë seancën, ndërsa transmetimi në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe do të jetë me një vonesë prej rreth 10 minutash. Kjo do të thotë se për publikun transmetimi praktikisht pritet të nisë rreth orës 10:10.

Pas këtij procesi qëndron një dosje e gjerë gjyqësore. Gjatë shqyrtimit gjyqësor janë dëgjuar rreth 270 dëshmitarë, ndërsa në proces janë administruar 5.467 prova materiale dhe janë krijuar më shumë se 29 mijë faqe transkriptesh. Volumi i madh i materialit është përmendur edhe nga trupi gjykues si një prej faktorëve që ka ndikuar në kohëzgjatjen e procedurave.

Në Kosovë, dita e aktgjykimit ka marrë një dimension të gjerë publik. Në Prishtinë, qytetarë janë mbledhur me flamuj të UÇK-së, fotografi të katër ish-drejtuesve dhe pankarta në mbështetje të tyre. Në sheshin “Skënderbeu” është vendosur një ekran i madh përmes të cilit pritet të ndiqet seanca e Hagës.

Ndërkohë, pritja është zhvilluar edhe pranë selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë. Qindra shqiptarë nga Kosova dhe vende të ndryshme evropiane kanë qëndruar aty gjatë natës, në kuadër të aktivitetit “Nata e Pritjes”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.

Në planin juridik, ajo që do të përcaktojë gjykata është nëse Prokuroria ka arritur të vërtetojë përgjegjësinë penale individuale të secilit të akuzuar, sipas standardit të provës përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Prokuroria ka kërkuar nga gjykata dënime me nga 45 vjet burg për secilin, por kjo përbën kërkesën e akuzës dhe jo një vendim paraprak të gjykatës.

Për shkak të grumbullimeve të paralajmëruara, autoritetet e Kosovës kanë përgatitur masa të posaçme sigurie. Policia e Kosovës është koordinuar me KFOR-in, EULEX-in, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Zyrën e Bashkimit Evropian dhe OSBE-në. Në zona të caktuara mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit.

Edhe disa ambasada perëndimore kanë paralajmëruar shtetasit e tyre që ndodhen në Kosovë të tregojnë kujdes dhe të shmangin tubimet e mëdha apo lëvizjet që nuk janë të domosdoshme gjatë ditës.

Megjithatë, ajo që ndodh sot nuk përbën domosdoshmërisht fundin e çështjes. Aktgjykimi i shpallur në Hagë është vendimi i shkallës së parë dhe, në rast të një vendimi dënues, mbrojtja ka të drejtë ta kundërshtojë atë përmes procedurës së apelimit.

Pas një procesi shumëvjeçar, sot pritet të publikohet një nga vendimet më të rëndësishme të kësaj çështjeje gjyqësore, ndërsa vëmendja është përqendruar njëkohësisht në sallën e gjyqit në Hagë dhe në Prishtinë, ku qytetarët do ta ndjekin nga afër zhvillimin e seancës.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Amnesty International: Dënimet ndaj Thaçit dhe të tjerëve tregojnë se zyrtarët e lartë nuk janë mbi ligjin

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha se dënimet për krime lufte ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-zyrtarëve të tjerë...
21:22 | 16/09/2026

Gjermania bën thirrje që të respektohet vendimi i Speciales

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, bëri thirrje të respektohet vendimi i Gjykatës Speciale, teksa shtoi se Kosova ka bashkëpunuar me mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë....
21:17 | 16/09/2026

HRW për vendimin e Speciales: Moment i rëndësishëm për viktimat që pritën për drejtësi

Organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, e vlerësoi dënimin e katërshes së UÇK-së, si “moment të rëndësishëm për viktimat që kanë pritur...
21:10 | 16/09/2026