Në mesditën e sotme gjyqtarët e Hagës pritet të dalin me verdiktin final ndaj ish-krerëve të UÇK-së, një moment historik për drejtësinë që do të vuloset sot për katërshen, i cili ka marrë vëmendje në mbarë mediat shqiptare por dhe ato serbe.
N1 ka ndarë detaje nga momentet para shpalljes së vendimit final ndaj çlirimtarëve të Kosovës, gjyq të cilin e cilëson me interes të lartë dhe pasiguri ndaj katërshes. Gazetarja e N1 nga Prishtina, Zana Cimili, ka raportuar se vendimi i sotëm po pritet me shumë interes dhe pasiguri.
Më tej, media serbe i bën jehonë dhe grumbullimit të shqiptarëve në Sheshin Skënderbej, ku do të kenë mundësi ta ndjekin drejtpërdrejt vendimin, ndërsa shtojnë se shumë prej tyre e kanë gdhirë në zemër të Prishtinës, ku me flamuj në duar dhe këngë patriotike janë bërë bashkë në mbështetje të çlirimtarëve.
Ndërkohë, rreth orës 10:00 gjyqtarët e Hagës kanë nisur me gjyqin historik ndaj Thaçit, Veselit,Selimit dhe Krasniqit. Në pamjet nga salla e gjyqit, Kadri Veseli është parë i buzëqeshur, ndërsa Hashim Thaçi është shfaqur i qetë në momentet e para të seancës. Edhe Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në sallë, përballë trupit gjykues.


