Ka nisur në Hagë seanca për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një nga momentet më të shumëpritura të këtij procesi. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë para trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku sot pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë.
Në pamjet nga salla e gjyqit, Kadri Veseli është parë i buzëqeshur, ndërsa Hashim Thaçi është shfaqur i qetë në momentet e para të seancës. Edhe Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ndodhen në sallë, përballë trupit gjykues.
Seanca është e hapur për publikun dhe po transmetohet përmes platformave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, me një vonesë prej rreth dhjetë minutash. Transmetimi po zhvillohet në tri gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht.
Aktgjykimi që pritet të shpallet sot vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me akuza për gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër pika për krime lufte. Të katër ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm ndaj të gjitha akuzave.
Pas gati gjashtë vitesh në paraburgim në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, presin sot shpalljen e aktgjykimit në procesin gjyqësor që nisi në prill të vitit 2023. Të katër ish-drejtuesit e UÇK-së u arrestuan në nëntor të vitit 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë më 4 dhe 5 nëntor të po atij viti. Procesi ndaj tyre lidhet me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas aktakuzës dyshohet se janë kryer nga anëtarë të UÇK-së nga të paktën marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.
Krimet e përfshira në aktakuzë lidhen me disa zona të Kosovës, por edhe në Kukës. Prokuroria pretendon se viktima ishin qindra civilë dhe persona që nuk merrnin pjesë në luftime dhe se në shënjestër ishin persona të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.
Aktakuza përmban gjithsej dhjetë pika. Gjashtë prej tyre janë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë. Katër të tjerat janë akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.
Sipas aktakuzës, viktimat thuhet se kanë qenë serbë, romë, persona të dyshuar për bashkëpunim me autoritetet serbe, por edhe shqiptarë të konsideruar si kundërshtarë politikë ose si persona që nuk mbështesnin UÇK-në. Prokuroria pretendon se këto krime ishin pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.
Pikë e rëndësishme në këtë proces është se katër të pandehurit nuk akuzohen thjesht sepse kanë qenë pjesë e UÇK-së apo sepse kanë mbajtur poste drejtuese. Aktakuza i ngarkon me përgjegjësi penale individuale, në forma të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krimet e përfshira në aktakuzë. Kjo do të thotë se gjykata duhet të vlerësojë përgjegjësinë e secilit prej tyre, mbi bazën e provave të paraqitura gjatë procesit.
Të katër të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Prokuroria e përfundoi paraqitjen e provave në prill të vitit 2025, ndërsa procedura e provave u mbyll në dhjetor të vitit 2025. Në gjykim kanë dëshmuar 134 dëshmitarë, prej të cilëve 125 janë thirrur nga Prokuroria, dy nga mbrojtja e viktimave dhe shtatë nga ekipet e mbrojtjes. Deklaratat përfundimtare u mbajtën në shkurt të vitit 2026.

