Tragjike/ Foshnja 7-ditëshe humbi jetën pas sulmit nga qeni i familjes, e kafshoi 180 herë, dënohet me 16 vite burg babai

Një tragjedi e rëndë ka tronditur shtetin e Indianës në SHBA, ku një foshnjë vetëm shtatëditëshe humbi jetën pasi u sulmua nga qeni i familjes. Ngjarja ndodhi në shtator të vitit 2025, në qytetin Markle, ndërsa sipas dokumenteve gjyqësore, foshnja Jason Anthony Weaver u sulmua pasi mbeti vetëm në sallon për më pak se një minutë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Daily Mail, babai i foshnjës, Austin Kinsey, ndodhej në një dhomë tjetër kur ndodhi sulmi. Ai ishte duke luajtur videolojëra në sallon dhe e kishte lënë foshnjën në një ndenjëse për fëmijë. Pak çaste më vonë, familjarët dëgjuan të qarat e foshnjës. Xhaxhai i tij, Timothy Kinsey, hyri në dhomë dhe e gjeti fëmijën duke u tërhequr zvarrë nga qeni, i quajtur Chomp.
Në vendngjarje mbërritën policia dhe ekipet e emergjencës. Foshnja kishte vështirësi në frymëmarrje dhe një prej efektivëve i kreu reanimim kardiopulmonar, përpara se të transportohej me urgjencë në një spital në Fort Wayne. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetonte. Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi se foshnja kishte pësuar më shumë se 180 dëmtime nga sulmi, si dhe plagë të rënda të brendshme, përfshirë hemorragji në tru, fraktura të brinjëve dhe dëmtime të mushkërive.
Babai i foshnjës, Austin Kinsey, është dënuar me 16 vite burg pasi u deklarua fajtor për neglizhencë ndaj një fëmije dhe për mbajtjen e një qeni të pavaksinuar që shkaktoi dëmtime. Edhe nëna, Violet Weaver, së bashku me disa familjarë të tjerë, përballen me akuza për neglizhencë ndaj një personi në varësi. Sipas dokumenteve gjyqësore, nëna pritet të deklarohet fajtore më 29 shtator, ndërsa për anëtarët e tjerë të familjes janë caktuar seanca paraprake.

Familja e foshnjës: Babai, nëna, xhaxhi dhe gjyshërit
Hetimet zbuluan gjithashtu se Chomp, një qen pesëvjeçar, përzierje husky dhe pitbull, kishte shfaqur më parë sjellje agresive dhe ishte përfshirë në incidente ku kishte kafshuar njerëz. Fillimisht, vdekja e foshnjës ishte konsideruar aksident, por gjatë hetimeve autoritetet konstatuan edhe kushte të rënda në banesën e familjes. Rasti vijon të jetë në proces gjyqësor ndaj familjarëve të tjerë të përfshirë.
/vizionplus.tv




