Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Trupi gjykues nis leximin e aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, Smith: Nuk po gjykojmë luftën e UÇK-së

Shkruar nga Newsbomb
Trupi gjykues nis leximin e aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e
Charles Smith

Ka nisur leximi i aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Trupi gjykues kryesohet nga gjykatësi Charles Smith, i cili në pjesën hyrëse ka paraqitur rolet dhe pozicionet që katër të akuzuarit kishin gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Smith ka bërë të qartë se procesi gjyqësor lidhet me përgjegjësinë individuale të të akuzuarve dhe jo me luftën e UÇK-së si tërësi.

“Ne po gjykojmë disa persona për përgjegjësi individuale dhe nuk jemi duke gjykuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Smith.

Gjatë paraqitjes së gjetjeve të procesit, gjykatësi ka folur edhe për dëshmitarët, duke thënë se gjykimi është zhvilluar në një atmosferë frikësimi. Sipas tij, disa dëshmitarë janë tërhequr ose kanë ndryshuar dëshmitë për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tyre dhe të familjarëve.

Megjithatë, ai ka theksuar se shumë dëshmitarë kanë dhënë dëshmitë e tyre me guxim dhe vendosmëri.

Në vijim të leximit, Smith ka përmendur edhe pozitat që sipas procesit gjyqësor kanë mbajtur Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi në strukturat e UÇK-së.

“Hashim Thaçi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së dhe ai ishte shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe kryekomandant i UÇK-së e kryeministër i përkohshëm i Kosovës.

Kadri Veseli është shtetas i Kosovës, ishte shef i Drejtorisë së Zbulimit të UÇK-së, shef i SHIK-ut dhe Ministër i Shërbimit Informativ.

Rexhep Selimi, ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ministër i Punëve të Brendshme të QBK-së.

Jakup Krasniqi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte zëdhënës i UÇK-së dhe zv/komandant i UÇK-së. Gjashtë akuza rëndojnë mbi ta që kanë të bëjnë me krime kundër njerëzimit. Prokuroria ngre akuza, duke i akuzuar se kanë trajtuar mizorisht civilë. Veprimet dhe mosveprimet kishin lidhje mes UÇK-së dhe ushtrisë serbe. Krimet u kryen gjatë veprimtarive të UÇK-së dhe ata kishin dijeni se viktimat nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Të akuzuarit kanë përgjegjësi penale për krimet që janë ngritur akuzat. Të katër të akuzuarit kanë thënë se janë të pafajshëm”, tha gjyqtari.

Katër ish-krerët përballen me gjashtë pika të akuzës për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte. Prokuroria pretendon se ata mbajnë përgjegjësi penale për krimet e përfshira në aktakuzë, ndërsa të katër janë deklaruar të pafajshëm.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese