Lajmi i fundit

LIVE - Hagë/ Po jepet verdikti për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin

Kush fshihet pas zgjedhjes së konsullit të nderit të Shqipërisë në Napoli?

Kush fshihet pas zgjedhjes së konsullit të nderit të Shqipërisë në Napoli?

10:52, 16/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi

Nga Andia Dragoj te Giuseppe Lettieri: biznesi, politika dhe aviacioni në një rrjet marrëdhëniesh që kërkon transparence.

Më 15 shtator 2026, në Villa Doria d’Angri, u inaugurua Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë në Napoli. Në ceremoni ishte i pranishëm personalisht kryeministri shqiptar Edi Rama, së bashku me ambasadoren shqiptare në Itali Anila Bitri Lani, zëvendësministrin e Jashtëm italian Edmondo Cirielli, kryetarin e Bashkisë së Napolit Gaetano Manfredi dhe presidentin e Rajonit Campania Roberto Fico.

Në krye të konsullatës është Giuseppe Lettieri, një zgjedhje diplomatike. Por një vështrim më i thelluar mbi historinë e marrëdhënieve të Lettierit me Shqipërinë nxjerr në pah një seri lidhjesh që përfshijnë biznesin, investimet e huaja, një këshilltare të Ministrisë së Drejtësisë shqiptare dhe sektorin strategjik të aviacionit.

Nga kjo ngjatje ekzistojnë fakte të mjaftueshme për të ngritur pyetje serioze.

Dhe pyetja kryesore është: Pse Shqipëria zgjodhi pikërisht një drejtues të lartë të një kompanie të rëndësishme aeronautike italiane për të përfaqësuar interesat e saj në Napoli?

3 shkurt 2026: emërimi

Më 3 shkurt 2026, Giuseppe Lettieri mori autorizimin diplomatik italian, “exequatur”, për të ushtruar funksionin e Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë në Napoli.

Emërimi u publikua më 13 shkurt 2026 në Gazetën Zyrtare italiane.

Shtatë muaj më vonë, më 15 shtator 2026, konsullata u inaugurua zyrtarisht.

Në ceremoni mori pjesë personalisht Edi Rama. Vetë Rama e përshkroi konsullatën jo thjesht si një zyrë konsullore, por si një “portë” ndërmjet dy realiteteve, ndërsa në fjalimet e ceremonisë u theksua edhe rëndësia e marrëdhënieve ekonomike dhe e bashkëpunimit mes bizneseve dhe institucioneve të dy vendeve.

Pra, funksioni nuk është vetëm ceremonial. Ka edhe një dimension të qartë ekonomik.

Kush është Giuseppe Lettieri?

Giuseppe Lettieri është Executive Vice President i Atitech, një kompani e rëndësishme e sektorit të mirëmbajtjes aeronautike me bazë në Napoli. Atitech operon në mirëmbajtjen, riparimin dhe rishikimin e avionëve, në inxhinieri, trajnim dhe shërbime teknike. Në strukturën drejtuese të kompanisë, Giuseppe Lettieri figuron si Executive Vice President, ndërsa babai i tij, Gianni Lettieri, është President dhe CEO.

Kjo do të thotë se personi që sot përfaqëson Shqipërinë si konsull nderi në Napoli nuk vjen nga diplomacia profesionale. Vjen nga një sektor industrial shumë specifik: aviacioni.

Dhe pikërisht këtu fillon pjesa më interesante e historisë.

Atitech dhe Shqipëria

Në vitin 2025, Giuseppe Lettieri publikoi një deklaratë të drejtpërdrejtë:

“Sot ka filluar rrugëtimi i Atitech në Shqipëri.”

Në të njëjtin publikim ai falënderoi në mënyrë të veçantë Andia Dragoj, duke thënë se ajo kishte mbështetur kompaninë në “hapat e parë të rëndësishëm” në Shqipëri. Kjo është një deklaratë publike e vetë Lettierit. Pra, ekziston një fakt i dokumentuar: Atitech ka nisur një proces për të hyrë ose zhvilluar aktivitet në Shqipëri dhe Dragoj ka pasur një rol mbështetës në fazat e para.

Por çfarë është konkretisht ky projekt?

Kjo është një nga pyetjet kryesore që ende kërkon përgjigje publike.

A bëhet fjalë për mirëmbajtje avionësh?

Për një qendër MRO?

Për trajnime?

Për një partneritet me kompani shqiptare?

Për aktivitet në aeroportin e Tiranës?

Apo për një projekt tjetër?

Pa këto të dhëna, nuk mund të përcaktohet pesha reale ekonomike e këtij procesi.

Andia Dragoj: pika ku biznesi takohet me institucionet

Emri i Andia Dragoj është veçanërisht i rëndësishëm.

Sipas të dhënave publike të institucioneve ndërkombëtare, Dragoj ka qenë pjesë e strukturave të Ministrisë së Drejtësisë shqiptare dhe që nga viti 2022 është këshilltare e kabinetit të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

Në të njëjtën kohë ajo ushtron aktivitet profesional privat si juriste dhe lidhet me veprimtari në fushën e investimeve dhe të asistencës ndaj bizneseve.

Këtu shfaqet pyetja e parë serioze:

Ku ndodhet kufiri ndërmjet rolit të saj publik dhe aktivitetit privat?

Nuk është e paligjshme që një profesionist të ketë aktivitet privat.

Por për një këshilltar ministror, rregullat për konfliktin e interesit janë veçanërisht të rëndësishme.

Sidomos kur aktiviteti privat përfshin investitorë të huaj dhe kompani që kërkojnë të hyjnë në tregun shqiptar.

F.B. Capital: lidhja e drejtpërdrejtë me Lettierin

Një nga dokumentet më interesante në këtë histori është historia e F.B. Capital.

Shoqëria u krijua në Shqipëri në vitin 2018.

Objekti i saj përfshin ndër të tjera:

pasuri të paluajtshme dhe ndërtime;

konsulencë strategjike;

konsulencë tregtare dhe financiare;

aktivitet industrial;

asistencë për kompani të huaja që duan të hyjnë në tregun shqiptar;

ndërkombëtarizim të kompanive.

Pra, në letër, është një shoqëri e pozicionuar pikërisht në pikën ku takohen investimi i huaj dhe tregu shqiptar.

Dhe në historinë e saj shfaqet Giuseppe Lettieri.

2021: Lettieri 60%, Dragoj 40%

Në vitin 2021, struktura e pronësisë së F.B. Capital ishte:

Giuseppe Lettieri – 60%

Andia Dragoj – 40%

Një vit më pas ndodh një ndryshim i rëndësishëm.

Më 15 prill 2022, Lettieri transferon 60% të aksioneve të tij te Dragoj.

Çmimi i regjistruar për transferimin: 1 euro.

Pas këtij operacioni, Dragoj bëhet pronare e 100% të F.B. Capital.

Ky fakt nuk provon asnjë shkelje.

Por nga pikëpamja investigative, është një transaksion që kërkon shpjegim.

Pse 60% e një shoqërie transferohet për 1 euro?

A kishte shoqëria detyrime?

A kishte pasuri?

A kishte kontrata?

A kishte projekte?

A ishte vlera reale e saj negative apo thjesht ishte një riorganizim i marrëdhënieve ndërmjet ortakëve?

Pa bilancet dhe dokumentet e plota të transaksionit, nuk mund të jepet një përgjigje serioze.

Një tjetër lidhje: LITEK Lighting

Historia nuk përfundon te F.B. Capital.

F.B. Capital ka pasur një pjesëmarrje prej 48% në LITEK Lighting, ndërsa pjesa tjetër ishte në pronësi të F & F Balkan.

Në këtë kompani, Giuseppe Lettieri ka figuruar si administrator.

Pra kemi përsëri një marrëdhënie të dokumentuar ndërmjet dy emrave:

Andia Dragoj – F.B. Capital dhe Giuseppe Lettieri – drejtues i një kompanie të lidhur me F.B. Capital.

Këto nuk janë thashetheme.

Janë marrëdhënie që dalin nga të dhënat shoqërore.

Këtu kronologjia bëhet veçanërisht interesante.

Në një moment kur Dragoj është pjesë e strukturave këshilluese të Ministrisë së Drejtësisë, ajo lidhet profesionalisht me një projekt të Atitech në Shqipëri.

Në të njëjtën kohë, Giuseppe Lettieri është një nga drejtuesit e Atitech.

Pastaj, më 3 shkurt 2026, Lettieri emërohet zyrtarisht Konsull Nderi i Shqipërisë në Napoli.

Më 15 shtator 2026, Edi Rama merr pjesë personalisht në inaugurimin e konsullatës.

Kjo nuk është provë e një marrëveshjeje të fshehtë, është një kronologji që meriton të shqyrtohet.

Nëse konsulli është njëkohësisht drejtues i një kompanie me interesa biznesi në Shqipëri, si ndahet në praktikë roli diplomatik nga interesi privat?

Një investigim serioz do të kërkonte përgjigje konkrete për të paktën këto pyetje:

1. Kush e propozoi Giuseppe Lettierin për postin e konsullit të nderit?

2. Cilat ishin kriteret e përzgjedhjes?

3. A u deklaruan interesat e tij në Atitech gjatë procesit të emërimit?

4. Çfarë është konkretisht “rrugëtimi i Atitech në Shqipëri”?

5. Sa është vlera e projektit?

6. Kush janë partnerët shqiptarë të Atitech?

7. Çfarë roli konkret ka pasur Andia Dragoj në këtë proces?

8. A ka pasur ndonjë përfshirje të institucioneve shqiptare në projektin e Atitech?

9. Si u justifikua transferimi i 60% të F.B. Capital nga Lettieri te Dragoj për 1 euro në vitin 2022?

10. A janë deklaruar dhe menaxhuar interesat private të Dragoj gjatë kohës që ajo ka qenë këshilltare e ministrit të Drejtësisë?

11. A ka lidhje projekti i Atitech me aeroportet shqiptare, mirëmbajtjen e avionëve, trajnimin teknik apo infrastrukturën strategjike?

12. A ka ndonjë lidhje me sektorin e mbrojtjes ose me aktivitetet e NATO-s në Shqipëri?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco