“U vërtetua arrestimi i paligjshëm i së paku 385 personave”, Specialja: Të ndaluarit u rrahën dhe iu shkaktuan vuajtje psikologjike

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka arritur të provojë kryerjen e krimit të luftës të arrestimit të paligjshëm ndaj të paktën 385 personave.
Konstatimi është bërë gjatë leximit të aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Gjykatësi Charles Smith po vijon të paraqesë gjetjet e trupit gjykues lidhur me akuzat për krimet e përfshira në aktakuzë.
Sipas konstatimeve të gjykatës, një numër i madh i personave të ndaluar janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht gjatë kohës së ndalimit.
Gjykatësi Smith deklaroi se shumë prej të ndaluarve janë rrahur në mënyrë të tillë që, në disa raste, nuk kanë qenë më në gjendje të qëndronin në këmbë.
Sipas trupit gjykues, disa persona kanë humbur jetën si pasojë e rrahjeve dhe keqtrajtimit nga pjesëtarë të UÇK-së.
Përveç dhunës fizike, gjykata ka konstatuar edhe raste të vuajtjeve të rënda psikologjike të shkaktuara ndaj personave të ndaluar.
Në paraqitjen e gjetjeve të tij, trupi gjykues ka përshkruar edhe forma të tjera të keqtrajtimit.
Sipas konstatimeve të gjykatës, disa prej të ndaluarve u janë shkulur thonjtë, ndërsa të tjerë kanë pësuar thyerje të gjymtyrëve gjatë keqtrajtimit.
Gjykatësi Charles Smith tha se pasojat e këtyre trajtimeve kanë qenë afatgjata. Disa prej viktimave, sipas tij, vazhdojnë të përjetojnë dhimbje ose kanë vështirësi në ecje edhe sot.
Trupi gjykues ka marrë në konsideratë edhe dëshmitë e personave që kanë raportuar pasoja psikologjike të zgjatura. Sipas gjykatësit Smith, këto pasoja përfshijnë depresionin dhe çrregullimet e gjumit.




