Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Gjykatësi Smith trondit me konstatimet, rëndon Thaçin me shokë: 96 persona u vranë nga pjesëtarë të UÇK-së, janë torturuar

Shkruar nga Newsbomb
Gjykatësi Smith trondit me konstatimet, rëndon Thaçin me
 

Gjykatësi Charles Smith tha se gjatë shqyrtimit të provave dhe hetimeve është vërtetuar se 96 persona u vranë nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa trupi gjykues konstatoi një sërë krimesh të tjera të pretenduara në aktakuzë, përfshirë arrestimin e paligjshëm, trajtimin mizor dhe torturën.

Duke paraqitur konstatimet e trupit gjykues, Smith tha se në periudhën nga prilli i vitit 1998 deri më 20 qershor 1999, në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth të Shqipërisë së veriut, pjesëtarë të UÇK-së kryen veprime që rezultuan në vdekjen e personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Sipas konstatimeve të trupit gjykues, viktimat u vranë me armë zjarri, ndërsa disa të tjerë humbën jetën si pasojë e rrahjeve brutale. Në disa raste, trupat e viktimave u gjetën në gjendje që sipas gjykatës përbënte cenim të dinjitetit njerëzor.

Gjykatësi Smith tha se provat e shqyrtuara çuan trupin gjykues në përfundimin se të paktën disa pjesëtarë të UÇK-së kishin për qëllim vrasjen e 96 personave.

“Pika 9 Vrasja e palgjshme si krim lufte trupi gjykues ka kosntatuar se nga prilli 98 dhe 20 qershori 99 në 12 komuna të Kosovës dhe në një rreth të Shqipërisë veriore anëtarët e UCK-së kryen veprime që rezultuan në vdekjen e personave që nuk merrnin pjesë në luftime. U vranë me armë zjarri, humbën jetën nga rrahje brutale dhe kufomat e tyre u gjetën në një gjendje që bënte cënim të dinjitetit të tyre. Kufomat e disa viktimave nuk u gjetën kurrë çka ua shtoi dhimbjen të afërmve të tyre të mbetur gjallë”, tha ai ndër të tjera. 

Në paraqitjen e tij, Smith tha se trupi gjykues kishte konstatuar se shumë prej personave të ndaluar ishin rrahur deri në atë pikë sa nuk ishin më në gjendje të qëndronin në këmbë. Disa prej tyre humbën jetën si pasojë e rrahjeve të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.

Përveç dhunës fizike, trupit gjykues i janë paraqitur prova edhe për vuajtje psikologjike të shkaktuara ndaj personave të ndaluar.

Në disa raste, sipas konstatimeve të paraqitura nga Smith, të ndaluarve u ishin shkulur thonjtë dhe u ishin thyer gjymtyrët gjatë keqtrajtimit.

Në një tjetër konstatim, trupi gjykues tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte arritur të vërtetonte kryerjen e krimit të luftës të arrestimit të paligjshëm ndaj të paktën 385 personave.

Sipas konstatimeve të paraqitura në gjykatë, personat ishin privuar nga liria në rrethana që përbënin shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.

Gjykata konstatoi gjithashtu se Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte vërtetuar kryerjen e krimeve të luftës të trajtimit mizor dhe torturës ndaj disa personave në Kosovë dhe në dy qarqe të Shqipërisë.

Konstatimet e trupit gjykues përfshijnë raste të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj personave të ndaluar, si dhe pasoja që sipas dëshmive të shqyrtuara kanë vazhduar për një kohë të gjatë pas përfundimit të keqtrajtimit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese