“Vepruan së bashku për një qëllim të përbashkët kriminal”, Trupi Gjykues: 96 persona u vranë nga pjesëtarë të UÇK-së

Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka konstatuar se, gjatë periudhës nga prilli i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999, pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer veprime që çuan në vrasjen e 96 personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
Sipas gjetjeve të gjykatës, këto raste janë evidentuar në 12 komuna të Kosovës dhe në një zonë të Shqipërisë. Gjykatësi Charles Smith po paraqet konstatimet lidhur me akuzën për vrasje të paligjshme, të cilën Prokuroria e ka ngritur si krim lufte.
Kush ishin personat e shënjestruar?
Sipas trupit gjykues, në mesin e personave të shënjestruar ishin anëtarë dhe përfaqësues të forcave të tjera politike dhe ushtarake.
Gjykata përmendi në mënyrë të veçantë persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).
Në mesin e viktimave, sipas konstatimeve të gjykatës, kishte gjithashtu persona të lidhur me autoritetet e Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe pjesëtarë të komuniteteve pakicë, përfshirë serbë dhe romë.
Trupi gjykues: Të akuzuarit vepruan për një qëllim të përbashkët kriminal
Në vijim të leximit të aktgjykimit, trupi gjykues deklaroi se përgjegjësia e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit duhet të vlerësohet individualisht.
Megjithatë, sipas konstatimit të gjykatës, katër të akuzuarit kanë vepruar së bashku dhe kanë arritur një marrëveshje për realizimin e një qëllimi të përbashkët kriminal.
Gjykatësi Charles Smith tha se të akuzuarit kanë qenë të përfshirë në ngritjen e objekteve të ndalimit, ndërsa kanë caktuar persona të tjerë në role dhe pozita që, sipas trupit gjykues, lidhen me realizimin e këtij qëllimi.
Po ashtu, sipas gjykatës, ata kanë lëshuar komunikata përmes të cilave kanë përcjellë qëndrimet dhe politikat e tyre.
Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se katër të akuzuarit kanë siguruar pandëshkueshmëri për personat që kanë kryer këto krime.




