Rexhep Selimi është dënuar me 13 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Trupi gjykues e shpalli Selimin fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Selimi është shpallur fajtor për pikën 3 të aktakuzës, për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, si krim lufte, të kryer kundër së paku 385 personave.
Ai është shpallur gjithashtu fajtor për trajtim mizor ndaj së paku 49 personave, torturë ndaj së paku 303 personave dhe vrasje të paligjshme të së paku 96 personave.
Për këto vepra penale, trupi gjykues ka caktuar dënime të veçanta: gjashtë vjet burgim për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, dy vjet për trajtimin mizor, tetë vjet për torturën dhe 11 vjet për vrasjen e paligjshme.
Pas përcaktimit të dënimeve individuale, trupi gjykues ka shqiptuar dënimin e njësuar prej 13 vjetësh burgim për sjelljen kriminale në tërësi. Në këtë dënim llogaritet edhe koha që Selimi ka kaluar në paraburgim.
Trupi gjykues e ka shpallur Selimin të pafajshëm për një numër incidentesh të krimeve të luftës, me arsyetimin se ato nuk u vërtetuan përtej dyshimit të arsyeshëm, se disa akuza u përfshinë në një akuzë më konkrete ose se incidentet nuk përfshiheshin në juridiksionin e gjykatës.
Selimi është shpallur gjithashtu i pafajshëm për krimet kundër njerëzimit të përndjekjes, burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme dhe zhdukjes me forcë, sipas pikave 1, 2, 4, 6, 8 dhe 10 të aktakuzës.
Sipas gjykatësit Charles Smith, Selimi ishte anëtar themelues i UÇK-së dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Ai kishte shërbyer edhe si shef i Drejtorisë Operative dhe Inspektor i Përgjithshëm.
Trupi Gjykues ka konstatuar se Selimi luajti rol thelbësor në krijimin e zonave operative dhe njësive të UÇK-së. Sipas Smithit, ai i inspektoi rregullisht këto zona dhe merrte raporte për persona të dyshuar dhe kolaboracionistë.
Sipas konstatimeve, Selimi ishte në dijeni se njësitë e UÇK-së, për të cilat ishte përgjegjës t’i inspektonte, po shënjestronin persona të dyshuar dhe kolaboracionistë.
Smith ka thënë se Selimi mori pjesë në arrestimin dhe ndalimin e 13 parlamentarëve në Qirez dhe ishte i pranishëm në disa prej vendeve të krimeve të përfshira në aktakuzë.
Trupi Gjykues ka konstatuar gjithashtu se Selimi kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh, por nuk ndërmori hapa për parandalimin, hetimin ose ndëshkimin e tyre.
Sipas Smithit, në një rast Selimi ndërhyri personalisht për lirimin e katër pjesëtarëve të UÇK-së të ndaluar për krijimin e një qendre të paligjshme ndalimi.
© SYRI.net