Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Konjufca ishte i pranishëm në Dhomat e Specializuara gjatë shpalljes së vendimit.
Duke dalë nga objekti i gjykatës, Konjufca e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të pamerituar.
“Gjykim i tmerrshëm për Kosovën, për luftën tonë çlirimtare. Kosova e ka përjetuar vetë luftën, e dimë çka është lufta e UÇK-së dhe ne e dimë që nuk ka pas far mekanizmi kriminal për me cenu asnjë popullatë. Është vendim i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka thënë se vendimi, sipas tij, do të ketë pasoja të mëdha për narracionin e Kosovës dhe shtetin e saj.
“Vërtet është diçka për të cilën do të jetë dëm shumë i madh, edhe për narracionin tonë, edhe për shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.
Konjufca ka kritikuar gjithashtu faktin që, sipas tij, aktakuza është mbështetur edhe në materiale të ardhura nga Serbia, duke e vënë në pikëpyetje drejtësinë e vendimit.
“Kur po më kujtohet që aktakuzën e kanë pas Serbi, që janë dënuar 15 vjet në mungesë e kjo gjykatë kinse në emër të popullit me këto dënime drakonike”, ka deklaruar Konjufca.
Tribunali i Hagës dënoi me 25 vite burg ish presidentin Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqin, ndërsa Kadri Veseli mori një dënim prej 18 vitesh, sakaq 13 vite u dhanë për Rexhep Selimin.
Vendimi i sotëm në Hagë ngjalli zhgënjim të madh edhe për qytetarët nga Kosova dhe mbarë trevat shqiptare.
© SYRI.net
Reagon familja e Hashim Thaçit: Po presim Apelin, jemi të bindur në pafajësi
Marshim e Indinjatë/ Gjykata Speciale dënoi 4 ish krerët e UÇK-së, qytetarët në Prishtinë: Vendimi jo në emër të popullit
Mbyllet seanca në Hagë: Thaçi e Krasniqi dënohen me nga 25 vite burg, Veseli 18 vite e Selimi 13 vite