Gjykata në Hagë ka shpallur fajtorë 4 krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, dhe i kanë dënuar në total me 81 vite burgim.
Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar secili me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.
Pas këtij vendimi kanë ardhur edhe reagimet e para të politikës shqiptare. Edi Rama ka zgjedhur ta komentojë vetëm me një fjalë vendimin e dhënë: Marrë!
Ndërkohë kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e ka cilësuar vendimin si “të pabesueshëm” dhe “të papranueshëm”, duke e përshkruar këtë ditë si “të rëndë për kombin shqiptar” dhe, sipas tij, edhe më të rëndë për njerëzimin dhe botën demokratike.
“E pabesueshme, e Papranueshme
Ditë e rëndë për kombin shqiptar, por akoma më e rëndë për njerëzimin dhe botën demokratike. Shqiptarët janë edhe më të fortë pas kësaj PADREJTËSIE DHE TURPI TË NJERËZIMIT!
Askush nuk mund ta bëjë pis luftën e drejtë për LIRINË E KOSOVËS. Përjetësisht me UÇK-në! – shkruan Bardhi.
Një reagim ka ardhur edhe nga Ministri i Brendshëm, Ervin Demo. Ai shprehet se historia e luftës për çlirimin e Kosovës nuk mund të ndryshohet apo të fshihet.
“Liria e Kosovës nuk gjykohet. Nuk dënohet. Nuk rishkruhet. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë emra të UÇK-së dhe figura të luftës për lirinë e Kosovës.
Kosova e di kush ishte agresori dhe kush luftoi për çlirimin e saj. Historia nuk rishkruhet. Liria e Kosovës nuk zhbëhet.” shkruan ai.
Ndërkohë Presidenti Bajram Begaj, shprehu “trishtim të thellë” për vendimin e sotëm, ndërsa vlerësoi vendosmërinë për apelimin e aktgjykimit.
“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm.
Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie. Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në!
Liria ka emër”, shkruan Begaj.
Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji shprehet se lufta çlirimtare e Kosovës ishte e drejtë dhe se vendimi i një gjykate nuk mund të ndryshojë historinë apo të zhbëjë sakrificat e shqiptarëve të Kosovës.
“Lufta çlirimtare ishte e drejtë. Asnjë gjykim nuk mund të fshijë historinë dhe të zhbëjë sakrificën e Kosovës për liri.
Sot, më shumë se kurrë, shqiptarët janë bashkë. Nga Kosova në Shqipëri, nga Presheva në Tetovë e në çdo cep ku rreh zemër shqiptare, zëri është një: lufta çlirimtare ishte e drejtë! Shqiptarët, me dinjitet dhe kokën lart”, shprehet Salianji.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka cilësuar dënimet si “goditje të rëndë” për familjet e tyre dhe si një moment të rëndë për Kosovën dhe shqiptarët.
“Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton”, ka shkruar Haxhiu ndër të tjera.














