Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Haxhiu: Lajm tronditës për Kosovën, aktgjykimet nuk e rishkruajnë dot historinë
Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si lajm tronditës për Republikën vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së për krime lufte.
Haxhiu i është drejtuar me mesazh të dënuarve, duke u thënë të qëndrojnë të fortë sepse Kosova është me ta.
“Aktgjykimi i sotëm dhe dënimet e shqiptuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë një goditje e rëndë për familjet e tyre, një lajm thellësisht tronditës për Republikën e Kosovës dhe një çast i rëndë për kombin shqiptar kudo që jeton.
Në një ditë si kjo, pesha e këtij vendimi nuk mund të ndahet nga historia prej së cilës kemi ardhur. Kosova e ka përjetuar mbi vete dhunën e një aparati shtetëror që vrau civilë, kreu masakra, dëboi qindra mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre dhe la pas mijëra të vrarë e të zhdukur. Kjo përvojë është pjesë e pashlyeshme e kujtesës së Kosovës dhe të kombit shqiptar.
Mendimet e mia janë, para së gjithash, me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Prej vitesh ato mbajnë barrën e mungesës, pritjes dhe pasigurisë. Dënimet e sotme e bëjnë këtë barrë edhe më të rëndë.
Atyre ua përcjell nga Kosova një porosi, qëndroni të fortë, Kosova është me ju. Fjala e fundit juridike nuk është thënë. E drejta e ankimit është pjesë e procesit dhe duhet të ushtrohet plotësisht.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte çlirimtare. Ajo lindi përballë shtypjes, dhunës dhe krimeve të regjimit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Asnjë aktgjykim nuk mund ta ndryshojë natyrën e asaj lufte dhe as të zhbëjë të drejtën e një populli për të luftuar për lirinë e vet.
Respekti për drejtësinë nuk nënkupton heshtje përballë çdo përpjekjeje për ta shtrembëruar historinë. Nuk duhet lejuar që dënimet e sotme të përdoren për të relativizuar krimet e regjimit të Serbisë, për ta zvogëluar përgjegjësinë për to apo për të krijuar një narrativë të rreme.
Këtë qartësi e presim edhe nga miqtë dhe aleatët tanë.
Sot na duhet qetësi, dinjitet dhe bashkim. Dhimbja e kësaj dite nuk duhet të na ndajë.
Republika e Kosovës do ta përballojë edhe këtë sprovë duke i qëndruar besnike drejtësisë, lirisë dhe së vërtetës së saj. Sepse aktgjykimet nuk mund ta gjykojnë historinë e një populli as nuk mund ta rishkruajnë atë”, ka shkruar ajo.
Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, reagojnë kryetarët e Grupit Parlamentar të PS dhe PD: Padrejtësi
Dënimi i ish-krerëve të UÇK, Haradinaj: Vendim i padrejtë, kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë
Dënimi me 25 vjet burgim për Hashim Thaçin, vëllai i ish-presidentit: Jemi të bindur në pafajësi, presim Apelin
- 12:28 Vdekja e këngëtarit Giorgos Mazonakis, Prokurorët urdhërojnë hetim të ri për klinikën në Athinë
- 12:24 Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, reagojnë kryetarët e Grupit Parlamentar të PS dhe PD: Padrejtësi
- 12:14 Dënimi i ish-krerëve të UÇK, Haradinaj: Vendim i padrejtë, kjo betejë duhet të fitohet në shkallën e dytë
- 12:06 Dënimi me 25 vjet burgim për Hashim Thaçin, vëllai i ish-presidentit: Jemi të bindur në pafajësi, presim Apelin
- 12:01 25 vite burg për Jakup Krasniqin, reagon vajza e tij: Ndodhi padrejtësia më e madhe e këtij shekulli
- 11:45 Rexhep Selimi dënohet nga Haga me 13 vite burgim