Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale, e cila e ka dënuar ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës me 18 vite burgim.
Dixon ka shprehur zhgënjimin e mbrojtjes lidhur me shpalljen fajtor dhe dënimin e Veselit, duke thënë se gjatë gjithë procesit gjyqësor është argumentuar se nuk ka pasur prova për përfshirjen e tij në vepra të tilla si rrëmbimi, vrasja apo aktivitete kriminale gjatë luftës në Kosovë.
Avokati ka bërë të ditur se ekipi mbrojtës do ta shqyrtojë në detaje aktgjykimin e Gjykatës Speciale, me qëllim që të përgatisë ankesën.
“Jemi këtu sot për të thënë se jemi thellësisht të zhgënjyer me shpalljen fajtor dhe dënimin e dhënë këtë mëngjes.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor kemi theksuar qartë mungesën e provave për përfshirjen e tij në ndonjë rrëmbim, ndonjë vrasje apo ndonjë veprimtari kriminale gjatë luftës për lirinë e Kosovës. Fatkeqësisht, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën.
Nuk është një ditë e mirë as për sundimin e ligjit dhe as për të drejtën ndërkombëtare.
Prandaj, do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim të gjatë që sapo kemi marrë, me qëllim që të paraqesim një ankesë të fuqishme, për të vazhduar luftën për të dëshmuar pafajësinë e z. Veseli dhe për ta kthyer atë në shtëpi, në Kosovë. Faleminderit”, u shpreh avokati i Veselit.













