E mërkurë, 16 Shtator 2026 Zilia deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

“UÇK-ja krenaria e popullit tonë”, Vjosa Osmani: Do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare

Ilustrim · Vizion Plus

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një reagim në Facebook, Osmani e cilësoi UÇK-në si “pjesën më krenare të historisë moderne” të popullit të Kosovës, duke theksuar se lufta çlirimtare duhet të mbrohet dhe kujtohet edhe përballë vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.

“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!”, shkruan Osmani.

Ajo solli në vëmendje viktimat e luftës në Kosovë, duke deklaruar se mbi 13 mijë njerëz u vranë gjatë luftës dhe se mijëra civilë u vranë në masakra, ndërsa më shumë se 1,500 persona ende rezultojnë të zhdukur.

Osmani kritikoi gjithashtu mungesën, sipas saj, të një përgjigjeje të plotë nga drejtësia ndërkombëtare për krimet e kryera gjatë luftës, duke përmendur dhunimet seksuale, torturat, vrasjet e fëmijëve dhe krime të tjera.

Sipas ish-presidentes, populli i Kosovës u ngrit kundër këtyre krimeve dhe UÇK-ja ishte “ushtria e popullit të Kosovës” dhe simbol i përpjekjes për çlirimin e vendit.

“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!

Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia gjenocidale gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, rreth 10 mijë ishin civilë të masakruar, ndërsa më shumë se 1500 ende mbesin të zhdukur me dhunë dhe në varreza masive. Dhunimet seksuale, torturat çnjerëzore, vrasjet e fëmijëve dhe krimet e tjera të llahtarshme të Serbisë ende mbesin pa përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare; ndërkaq, Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe t’i shpërblejë kriminelët.

Populli i Kosovës u ngrit pikërisht kundër këtyre krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre. Prandaj, sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët”, shkruan Osmani.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.