Ajo që ishte edhe më surprizuese në lidhje me verdiktin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë është tronditja dhe befasia me të cilën shumë shqiptarë e përjetuan vendimin, duke harruar se këto tribunale u krijuan posaçërisht për të hetuar dhe dënuar krime për të cilat akuzohet UÇK-ja. Për rredhojë, ishte vetëm e natyrshme që në njëfarë pike, gjykata do t’i shpallte ata fajtorë për diçka. Tek e fundit, për këtë arsye u krijua.
Nga ana tjetër, çka është vështirë të kapërdihet është shkalla e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së. Albert Speer, ministri nazist përgjegjës për armatimet dhe mbajtjen në këmbë të ekonomisë së luftës në Gjermaninë hitleriane, u dënua në procesin e Nyrembergut me 20 vite burg. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me 25 vite burg secili. Për dy udhëheqësit e tjerë të UÇK-së, ndonëse më të ulëta, dënimet janë sërish në ato kufij.
Katër burra të cilët përfaqësojnë krejt të kundërtën e asaj çka Speer përfaqësonte në Europën e shekullit të 20-të, të pozicionuar në luftë kundër një regjimi me synime thuajse identike me atë të nazistëve dhe që ndoshta vetëm mjetet i mungonin e jo vullneti për të qenë në një nivel me ta.
Nëse 20 vite ishte dënimi që u gjykua i drejtë ndaj një prej personave që mbajtën në këmbë ekonominë naziste të luftës, si duhet ta kuptojmë kur njerëz që udhëhoqën një përpjekje për liri, marrin dënime të ngjashme, e madje edhe më të rënda?
Teksa dëgjoje qasjen e trupës gjykuese në seancën e sotme, të krijonte përshtypjen se kanë një imagjinatë fëminore rreth luftës. Përpjekjet për liri nuk janë ngjarje neutrale, ku viktima ka luksin të përllogarisë me kujdes çdo veprim të vetin. Aq më tepër në rastin e UÇK-së që, siç doli edhe nga dëshmitë e disa ish ushtarakëve të NATO-s të përfshirë në luftën e Kosovës, nuk ka qenë një organizatë me një strukturë të qartë komanduese, e aftë për të ndërmarrë veprime të organizuara e të kalkuluar me hollësi.
Çfarëdo shpjegimi ligjor që të jepet, dënime kaq të gjata për ish krerët e UÇK-së, mbeten të vështira për t’u kapërdirë moralisht dhe historikisht.
Lini një Përgjigje