Ne u bëmë siç ëndërruam

16 Shtator 2026, 14:47Kulturë TEMA
Ne u bëmë siç ëndërruam

Ka njerëz që jeta i çon në shumë udhë, por rrallëherë arrin t’ua ndryshojë synimin e hershëm. Fatmir Mborja është një prej tyre. Nga student në Leningrad te mësuesi në shkollat e bjeshkëve të malësisë, nga pedagogu në auditorët e Universitetit të Tiranës deri te veprimtaria në Lidhjen e Shkrimtarëve e të Artistëve, ai ka kaluar nëpër kohë e sisteme të ndryshme, pa humbur atë që e ka bërë gjithmonë të dallueshëm: njeriun e ndershëm, mikun besnik dhe shkrimtarin që ka shkruar më shumë nga përvoja e jetës sesa nga dëshira për t’u dukur. Ai vjen nga një familje e njohur e Juglindjes së vendit. Është nipi i patriotit Haki Mborja dhe biri i Sali Mborjes, profesorit të Liceut Francez. Në tetor të vitit 1942, kur ishte vetëm 18 muajsh, ndërsa i ati ishte shpallur Kryetar i Këshillit Antifashist të Qarkut Korçë, vogëlushin e ndanë nga gjiri i nënës dhe, me pseudonimin “Aleko Qyteti”, e strehuan në një familje të komunitetit ishegjyptian. Ishte ende foshnjë dhe nuk mund ta dinte se jeta e tij kishte hyrë, qysh atëherë, në një histori të madhe: në historinë e një familjeje me tradita atdhetare, të përfshirë në luftën antifashiste. Ndoshta pikërisht aty kishte nisur rruga e Fatmir Mborjes: nga një fëmijëri në ilegalitet drejt një jete që do ta çonte më pas te shkrimtari…Tek e takoj, biseda me të të çon shpejt te vitet që kemi lënë pas. Një kujtim sjell një tjetër, një emër të çon te një njeri, një njeri te një ngjarje, një ngjarje te një libër. Dhe kështu, pa e kuptuar, biseda jonë kthehet në një udhëtim nëpër jetën e tij, por edhe nëpër një copëz të historisë sonë. Me telepatinë ndaj njëri-tjetrit, sa u takuam para pak ditësh, më tha:

– Mbrëmë të kisha në mendje!

– Si ka mundësi? – i thashë. – Po edhe unë mbrëmë të zura në gojë...Kaluam si me telekomandë përshëndetjet e rastit dhe kujtimet nisën të rrotullohen vetiu. Fëmijëria, Tirana, miqtë, librat, njerëzit e mirë dhe ata që jeta i ka lënduar padrejtësisht. Aty, në atë bisedë mes dy njerëzish që njihen prej kohësh, doli në pah një tipar që e ka shoqëruar Fatmirin gjithë jetën: ndershmëria. Një ndershmëri e pazakontë, që nganjëherë shkon deri në absurd. Në Tiranën e dikurshme, kur hapësirat e banimit ishin një nga dëshirat më të mëdha të njerëzve, atij i ofronin për t’i dhënë një hyrje me tri dhoma e një guzhinë, por Fatmiri thoshte:

– Le të marrin të tjerët.

Nuk ishte frazë për efekt. Ishte mënyra e tij e të jetuarit. Një mënyrë që nuk ndryshoi as kur mund t’i duhej, as kur të tjerët e quanin naivitet. Në këtë pikë të bisedës më tregoi historinë e Faik Takes, komandant i Batalionit “Fuat Babani” të Brigadës IX Sulmuese, një njeri që, përveç trimërisë, kishte pasur edhe një ndershmëri të thekur. Pikërisht kjo ndershmëri do t’i bëhej fatkeqësi. Emri i tij doli në gjyq për tolerim të shpenzimeve të dasmës së vajzës së ministrit të Mbrojtjes që më 1974 e dënuan si “puçist”… Faikun e transferuan në Lezhë. Për gjashtë muaj nuk doli nga shtëpia. Pastaj iku nga kjo botë, i prekur thellë në zemër, për një faj që nuk e kishte kryer kurrë. Fatmiri nuk e pranonte këtë lloj padrejtësie. As atë, as shumë të tjera që koha i kishte sjellë përpara syve. Për të, njeriu nuk mund të gjykohej sipas interesit të momentit dhe e vërteta nuk mund të bëhej pronë e askujt. Më kujtoi edhe një ngjarje nga viti i parë i gjimnazit “Qemal Stafa”. Një mësues i edukimit fizik kishte lajmëruar nxënësit për një ekskursion. Njëri prej tyre i kishte thënë se luante me të rinjtë e Dinamos dhe nuk mund të vinte, sepse kishte ndeshje. Mësuesi ngulte këmbë. Të nesërmen, pasi ekskursioni kishte përfunduar dhe mungesat ishin shënuar, nisi pyetja një nga një. Kur i erdhi radha futbollistit, mësuesi e pyeti:

– Po ti, pse nuk erdhe?

– Të thashë, nuk mund të vij se kam ndeshje.

– Dil jashtë, do të shkojmë në drejtori!

Kur i erdhi radha Fatmirit, ai nuk mendoi gjatë:

– Unë nuk erdha se nuk desha!

Edhe ai u nis për në drejtori. Atje, kur drejtori e pyeti, Fatmiri shpjegoi se nuk ishte e drejtë që futbollistit t’i ndalohej ndeshja, ndërsa të tjerët justifikoheshin me arsye të kota. Për t’i dalë në krah shokut, kishte vendosur të mos shkonte as vetë. E ndëshkuan rëndë me thyerje note në sjellje.

– Por mua aq më bënte, – thotë sot Fatmiri. – Nuk kam qenë kurrë as pas lekut dhe nuk kam pasur nevojë të mashtroj njeri kurrë në jetë.

Ndoshta kjo fjali mjafton për të kuptuar një njeri. Fatmir Mborja lindi më 18 prill 1941. Pas gjimnazit “Qemal Stafa”, studioi në Leningrad për inxhinieri navale. Pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike në vitin 1961 u kthye në Shqipëri dhe më pas u diplomua për Gjuhë e Letërsi Ruse në Universitetin e Tiranës. U bë mësues. Për disa vjet shërbeu në malet e Pukës, atje ku jeta ishte e ashpër. Më pas erdhi në Institutin e Lartë të Agronomisë dhe Veterinarisë si pedagog, ndërsa brenda tij kishte nisur të rritej shkrimtari. Në rininë e hershme kishte pasur miqësi me shumë njerëz të artit e të sportit. Robert Ndrenikën e njihte që nga klasa e parë fillore dhe më pas në gjimnazin “Qemal Stafa”. Me të dhe me shokët Stefan Grillo e të ndjerin Kujtim Shapllo, koha nuk arriti ta këpusë lidhjen. Një nga kujtimet më të bukura lidhet me bibliotekën e shkollës “11 Janari”, ku Fatmiri, në klasën e gjashtë, kishte në dorë çelësat. Aty Roberti 12 vjeçar interpretonte “Prefektin”. Talenti i tij ishte i dukshëm që herët, edhe pse në dy konkurse për Akademinë e Arteve nuk u pranua. U pranua në të tretin, kur zëri arriti një pjekuri. Një tjetër mik i Fatmiri Mborjes ishte i ndjeri Fatmir Frashëri, mjeshtri i madh i futbollit shqiptar. Për të, ky adash ishte njeri i shkueshëm me shokët dhe model i nxënësit brenda e jashtë shkollës. Sa herë ekipi do të shkonte jashtë Tiranës, e ftonte si vëlla, ndonëse e dinte se Fatmiri nuk ishte tifoz sporti. Ai i përkiste një bote tjetër: botës së librit dhe muzikës. Talenti i shkrimtarit më në fund doli në dritë. Në vitin 1981 botoi romanin “Pas ngjarjes në rrugë”, një roman policor prej 233 faqesh, botuar nga “Naim Frashëri”, me tirazh 6.000 kopje. Për këtë vepër mori Çmimin e Dytë në konkursin kombëtar të vitit 1980. Një vit më vonë, me novelën “Një çështje e pazgjidhur”, fitoi Çmimin e Parë. Fatmir Mborja nuk mbeti vetëm te proza e hetimit policor. Shkroi, përktheu, botoi. Në faqet e gazetës “Drita” të vitit 1984 gjendet, ndër të tjera, shkrimi “Poet i thirrjes djaloshare”, kushtuar Veli Stafës. Formimi në gjuhën ruse e lidhi edhe me përkthimin. Bashkë me Korab Hoxhën përktheu librin e Nina D. Smirnovës “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar në vitin 2004. Edhe kinemaja shqiptare ruan një gjurmë të tij. Është skenarist i filmit “Hetimi vazhdon”, me regji të Mark Topallajt. Deri në fund të viteve ’80, emri i Mborjes lidhej me letërsinë e ngjarjes, misterin, hetimin, konfliktin dhe kërkimin e së vërtetës. Por jeta e tij nuk mbaron aty. Ka edhe një tjetër Fatmir Mborje, ai që punoi për Kosovën. Kur u fut në Lidhjen e Artistëve dhe Shkrimtarëve të Shqipërisë, në sektorin për marrëdhëniet me Kosovën, u bë një nga njerëzit që organizonte veprimtari, lidhte njerëz dhe mbante gjallë ura që nuk dukeshin gjithmonë nga jashtë. Fatmiri tregon se çdo libër i ri i botuar në Shqipëri i dërgohej me postë Akademisë së Shkencave të Kosovës, që nga fillimi i viteve ’80 e në vazhdim. Ishte një kohë kur libri ishte një nga mënyrat më të fuqishme për të mbajtur gjallë lidhjen. Një ditë Sulejman Krasniqi i kërkoi një dhuratë me tekstet shkollore të klasës së parë për një mësues në Australi, i cili kishte hapur një klasë me fëmijë shqiptarë. Fatmiri bisedoi me Dritëro Agollin dhe miratimi erdhi pa zhurmë. Po kështu ndodhi me një tjetër njeri të rrallë, Fatos Mero Rrapajn, i cili me paratë e rrogës së vet botonte këngët e Çamërisë. Një ditë Fatmiri e pa te dera e Lidhjes së Shkrimtarëve.

– Si e ke hallin? – e pyeti të panjohurin.

– Jam një studiues i këngës çame, por kërkoj ndonjë ndihmë nga ju.

– Më ndiq, – i tha Fatmiri. Fatosi hiqte nga buka e fëmijëve për hir të folklorit të pasur çam. Nuk ishte anëtar i Lidhjes, por e meritonte ndihmën. Fatmiri e drejtoi te Llazar Siliqi dhe ai e firmosi në çast kërkesën e tij. Pastaj u dërgua letër Degës së Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve në Vlorë që të ishin më të vëmendshëm ndaj njerëzve të tillë. Ishte një kohë kur Lidhja kishte rreth 3000 anëtarë, zhvillonte zgjedhje në degët e saj, organizonte promovime librash e shkrimtarësh dhe një varg veprimtarish kulturore. Në atë botë, Fatmiri ishte njeri i punës. Një organizator që shpesh mbeti prapa skenës, ndërsa në skenë ishin të tjerët. Ndoshta kjo është arsyeja pse ai nuk ka bërë zhurmë për veten. Edhe kur kishte arsye. Sepse rruga e Fatmir Mborjes është e mbushur me gjëra që mund të ishin përdorur për t’u mburrur, por ai nuk e ka bërë… Dhe pastaj erdhi kthesa e madhe e letërsisë së tij… Dhe pastaj erdhi kthesa e madhe e letërsisë së tij. Pas viteve ’90, shkrimtari që kishte shkruar për hetimin, misterin dhe konfliktin, duke u çliruar nga autocensura, iu kthye një teme shumë më të vjetër se krimi: dashurisë. Në vitin 2013 botoi romanin “Për dashurinë dhe ca gjëra të tjera”, nga “Bota Shqiptare”. Në këtë roman voluminoz, të cilin e ribotoi më 2025-n me një sqimë të përsosur “OMBRA” e Gëzim Tafës, shkrimtari zbret nga skena e ngjarjeve dhe hyn në dhomën e brendshme të njeriut. Romani mbështetet në përvojat e hershme të tij si mësues në zonat e Pukës dhe sjell marrëdhëniet e një të riu idealist me kolegët, eprorët, miqtë dhe, mbi të gjitha, me dashurinë. E kujton me emocion kohën kur e shkruante, në kushte tepër të vështira, në një dhomë e një guzhinë, me fëmijët e vegjël nëpër këmbë. Por ai kishte një afsh të ndezur artistik, një mall të madh për jetën, një dritë që nuk e linte të ndalej. Ishte rinia e tij në malet e Pukës. Koha kur njeriu shkruan jo sepse ka kushte, por sepse nuk mund të mos shkruajë. Xhevdet Shehu, që e ka njohur personalisht Mborjen, e sheh këtë roman si një nga veprat më të suksesshme të autorit dhe e përshkruan si një roman psikologjik me ngjyrime lirike e erotike. Ai vëren edhe ndikimin e letërsisë së madhe ruse, të Çehovit, Dostojevskit e Gorkit, por Mborja nuk është kopjues i askujt. Ai e ka kthyer atë ndikim në përvojë të vetën. Një jetë krijuese që nuk u ndërpre nga ndryshimet e kohëve, nga ndryshimi i sistemeve apo nga kthesat e jetës. Fatmir Mborja nuk është vetëm autori i “Pas ngjarjes në rrugë”, as vetëm emri i “Hetimi vazhdon”. Nuk është vetëm shkrimtari i viteve ’80 dhe as vetëm romancieri i “Për dashurinë dhe ca gjëra të tjera”. Është njeriu që ka kaluar nëpër shumë kohëra dhe ka mbetur i njëjti në thelb. Njeriu që nuk e kishte jetën pas lekut. Që i doli në krah shokut edhe kur e dinte se do të ndëshkohej vetë. Që besoi te libri, te miqësia dhe te kultura. Që, edhe kur kishte mundësi të merrte për vete, thoshte:

– Le të marrin të tjerët... Dhe këtu merr kuptim më të plotë edhe shprehja e Fatmirit: “Ne u bëmë siç ëndërruam”, jo vetëm se ai, në bibliotekën e shkollës, ishte mes librave, ndërsa Robert Ndrenika arriti të bëhej aktor, siç e kishte ëndërruar që fëmijë, por sepse ëndrrat e njeriut nuk maten gjithmonë me atë që fiton, me postin që arrin, me librat që boton apo me titujt e çmimet që merr. Ka ëndrra që maten me mënyrën se si zgjedh të mbetesh njeri: me shokun të cilit i del në krah, me të vërtetën që nuk e shet, me librin që shkruan edhe kur nuk ke kushte, me kujtimin që nuk e lë të vdesë dhe me dorën që ia zgjat atij që ka më pak se ti. Në fund të fundit, Fatmir Mborja ka kaluar nga hetimi i krimit, te hetimi i “krimit” të dashurisë, por në thelb nuk ka ndryshuar temë. Në të dyja ka kërkuar të njëjtën gjë: të vërtetën. Dhe kjo është ndoshta trashëgimia e tij më e bukur. Jo vetëm librat, çmimet apo personazhet, por një mënyrë të të qenit i vërtetë e i lirë. Të jetosh pa mashtruar. Të kujtosh pa urryer. Të duash pa u turpëruar nga ndjenja. Të shkruash pa drojë për erotikën. Të mbetesh mik kur koha ka bërë të vetën. Prandaj, kur e takoj dhe biseda jonë nis përsëri nga një kujtim, nga një mik i vjetër, nga një libër apo nga një histori që koha rrezikon ta marrë me vete, më duket se Fatmir Mborja nuk po rrëfen vetëm jetën e tij, por po ruan një copëz të kohës sonë. Ndoshta kjo është mënyra më e bukur për t’u bërë i përjetshëm: jo duke kërkuar të mbetesh në histori, por duke lënë pas vetes diçka nga e cila historia nuk mund të heqë dorë. Një libër. Një kujtim. Një mik. Një të vërtetë. Një jetë të jetuar me dinjitet. Atëherë fjalia “Ne u bëmë siç ëndërruam” nuk tingëllon më si një kujtim i së shkuarës. Tingëllon si një dëshmi. Dëshmia e një njeriu që nuk e ndërtoi jetën për t’u dukur, por për ta jetuar… Dhe në fund, kur sfumohen zhurmat, postet, çmimet, vitet dhe emrat, ndoshta pikërisht kjo është ajo që vlen më shumë: të mund të thuash, pa e ngritur zërin, pa u mburrur, thjesht siç e thotë një njeri që e ka bërë pa bujë udhën e vet: “Ne u bëmë siç ëndërruam.”…

Kastriot KOTONI

 

1 Komente

  1. S
    Sateri

    Bravo Kastriot Kotoni! Te ben nder ky shkrim mirenjohes per Profesor Fatmir Mborjen, per te cilin mund te thuhen shume gjera te lavderueshme, sepse behet fjale per nje njeri te mbushur me vyrtyte.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje