Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka marrë vëmendje të gjerë në mediat ndërkombëtare.
Në qendër të raportimeve është dënimi me 25 vite burgim i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa mediat kanë pasqyruar edhe vendimet ndaj tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
“The Guardian” e ka vendosur lajmin në krye të raportimeve të saj për zhvillimet në Europë, me titullin: “Ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, dënohet me 25 vite burg nga gjykata ndërkombëtare në Hagë”.
Edhe Reuters e ka raportuar gjerësisht vendimin, duke e përshkruar si aktgjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-anëtarëve të tjerë të UÇK-së në procesin për krime lufte. Agjencia ndërkombëtare raporton se Thaçi u dënua me 25 vite burgim dhe se gjykata e gjeti fajtor për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm.