web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Propozimi i PS-së për pagat në sistemin e drejtësisë/ Gjykata e Lartë: Kuvendi nuk duhet ta miratojë, ja pse

16 Shtator 2026, 15:23, Aktualitet CNA

Propozimi i PS-së për pagat në sistemin e drejtësisë/

Gjykata e Lartë ka reaguar në lidhje me projektligjin për pagat e magjistratëve që u miratua në Komisionin e Ligjeve me 8 vota pro.

Gjykata e Lartë i ka kërkuar Kuvendit të mos e kalojë për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare të datës 17 shtator 2026 projektligjin në gjendjen në të cilën ndodhet.

Më tej Gjykata e Lartë ka renditur arsyet pse nuk duhet të miratohet.

“Në këto rrethana, Gjykata e Lartë i kërkon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të mos kalojë për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare të datës 17 shtator 2026 projektligjin në gjendjen në të cilën ndodhet.

Përpara çdo procedimi të mëtejshëm, Kuvendi duhet:

1. të sqarojë rregullsinë, kohën dhe mënyrën e depozitimit e të shqyrtimit të amendamenteve, si dhe arsyen pse ato nuk iu bënë të njohura gjyqësorit gjatë konsultimit;

2. të bëjë publik mendimin e Këshillit të Ministrave për efektet financiare, datën e paraqitjes së tij, tekstin mbi të cilin është dhënë dhe efektet financiare që ka vlerësuar;

3. të verifikojë respektimin e procedurave dhe afateve parlamentare për paraqitjen dhe shqyrtimin e ndryshimeve të projektligjit;

4. t'i japë gjyqësorit mundësinë reale të shprehet mbi variantin që tashmë është bërë publik dhe që synohet të votohet

5. të rivlerësojë projektligjin në tërësi në raport me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe me qëndrimet e paraqitura nga gjyqësori”, thekson Gjykata e Lartë.

Gjykata e Lartë nënvizon se Kuvendi nuk duhet të votojë një projektligj kur ekzistojnë pikëpyetje kaq serioze mbi rregullsinë, transparencën dhe integritetin e procedurës me të cilën ai ka mbërritur për votim. Vazhdimi i procedurës nuk do t’i korrigjonte këto mangësi serioze, por do t’i mbartte ato në vetë vendimmarrjen plenare.

“Kuvendi nuk duhet të votojë një projektligj kur ekzistojnë pikëpyetje kaq serioze mbi rregullsinë, transparencën dhe integritetin e procedurës me të cilën ai ka mbërritur për votim. Vazhdimi i procedurës nuk do t’i korrigjonte këto mangësi serioze, por do t’i mbartte ato në vetë vendimmarrjen plenare.

Gjyqësori ka folur. Gjykata Kushtetuese ka vendosur. Tashmë përgjegjësia është e Kuvendit.

Kuvendi miraton ligje, por nuk mund të relativizojë Kushtetutën. Mund të zgjedhë zgjidhjen ligjore, por nuk mund të anashkalojë një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Mund të ftojë gjyqësorin për konsultim, por nuk mund ta përdorë praninë e tij për të legjitimuar një konsultim që realisht nuk ka ndodhur.

Gjykata e Lartë dhe gjyqësori nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë respektimin e Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të dinjitetit të një pushteti të pavarur. Për këto nuk ka dhe nuk do të ketë tërheqje”, thuhet në reagim./ CNA





Lajmet e fundit nga