LIVE UPDATES
Politike

"U shpërfill konsultimi institucional"/ Pagat e magjistratëve, Gjykata e Lartë kundër projektligjit të PS: Parlamenti të mos e miratojë

Gjykata e Lartë shprehet se përfaqësuesit e gjyqësorit janë njoftuar më pak se dy orë përpara për tu paraqitur në Komisionin për Çështjet Ligjore, por pavarësisht afatit të shkurtër kanë marrë pjesë në konsultim.

16 Shtator 2026, 15:40 Nga E. D
"U shpërfill konsultimi institucional"/ Pagat e
Gjykata e Lartë

TIRANË- Gjykata e Lartë ka kundërshtuar ashpër mënyrën se si Komisioni për Çështjet Ligjore ka zhvilluar procedurën parlamentare për projektligjin që prek pagat, statusin dhe garancitë kushtetuese të magjistratëve. Me anë të një deklarate, Gjykata e cilëson procesin si shpërfillje të konsultimit institucional dhe kërkon që projektligji të mos kalojë për votim në seancën plenare të 17 shtatorit.

Gjykata e Lartë shprehet se përfaqësuesit e gjyqësorit janë njoftuar më pak se dy orë përpara për tu paraqitur në Komisionin për Çështjet Ligjore, por pavarësisht afatit të shkurtër kanë marrë pjesë në konsultim. Sipas Gjykatës së Lartë, përfaqësuesve të gjyqësorit nuk iu vunë në dispozicion të gjitha amendamentet që ndryshonin projektligjin, ndërsa mungoi edhe informacioni i plotë mbi opinionin financiar të Qeverisë.

Gjykata argumenton se konsultimi institucional nuk mund të jetë thjesht formal dhe se qëndrimet e paraqitura duhet të shqyrtohen realisht përpara se një projektligj të dërgohet për votim. Gjykata e Lartë thekson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk respektohen vetëm duke iu referuar numrit të tyre, por duke zbatuar përmbajtjen dhe arsyetimin kushtetues që ato përcaktojnë.

Në deklaratë, Gjykata ngre gjithashtu shqetësime për ndryshimet e reja të bëra në projektligj, duke argumentuar se ato e vendosin gjyqësorin në një pozitë më të pafavorshme. Sipas saj, mungesa e transparencës dhe e konsultimit real krijon pikëpyetje që duhet të sqarohen nga Komisioni.

Gjykata e Lartë i kërkon Kuvendit të mos e kalojë projektligjin në formën aktuale dhe kërkon që, përpara çdo procedure të mëtejshme, të ndërmerren disa hapa. Kuvendi duhet të sqarojë rregullsinë, kohën dhe mënyrën e depozitimit dhe shqyrtimit të amendamenteve, si dhe arsyen pse ato nuk iu bënë të njohura gjyqësorit gjatë konsultimit.

Deklarata e Gjykatës së Lartë:

Gjykata e Lartë shpreh kundërshtimin e saj më të fortë ndaj mënyrës se si Komisioni për Çështjet Ligjore zhvilloi procedurën parlamentare për projektligjin që prek drejtpërdrejt pagat, statusin dhe garancitë kushtetuese të magjistratëve. Ajo që ndodhi nuk ishte thjesht një konsultim i mangët. Ishte një shpërfillje e hapur e kuptimit të konsultimit institucional dhe e përfaqësuesve të një pushteti kushtetues, të thirrur nga vetë Kuvendi për t'u dëgjuar.

Kjo deklaratë nuk është reagimi i parë i gjyqësorit. Ajo vjen pas qëndrimit publik të Gjykatës së Lartë të datës 2 shtator 2026, reagimit të kryetarëve të gjykatave të Republikës, deklaratave të shoqatave të magjistratëve dhe në veçanti, Deklaratës së Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve. Gjyqësori ka folur qartë, publikisht dhe institucionalisht. Ka kërkuar zbatimin e Kushtetutës, respektimin e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe një zgjidhje ligjore që të mos cenojë statusin dhe pavarësinë e magjistratit.

Përfaqësuesit e gjyqësorit u njoftuan për më pak se dy orë përpara për t'u paraqitur në Komision. Ata nuk e përdorën këtë afat të papërshtatshëm si arsye për të mos marrë pjesë dhe nuk kërkuan shtyrjen e dëgjesës. Përkundrazi, duke vlerësuar seriozitetin e situatës dhe përgjegjësinë e tyre institucionale, u paraqitën përpara Komisionit dhe morën pjesë në konsultim. Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si u trajtuan më pas është edhe më e papranueshme.

Gjykata e Lartë kishte paraqitur një opinion të plotë juridik dhe kushtetues, të përcjellë nëpërmjet Këshillit të Lartë Gjyqësor në Kuvend. Ai nuk mbronte një interes të veçantë të Gjykatës së Lartë, por ngrinte problematika që prekin gjyqësorin në tërësi: pagën referuese dhe raportin e saj me koeficientin 0,38 të pagës së Presidentit të Republikës; efektet pas datës 31 korrik 2026; trajtimin e pagave të prapambetura; ruajtjen e hierarkisë së pagave brenda sistemit gjyqësor; si dhe detyrimin që ndërhyrja e re ligjore të respektojë në substancë vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, përfaqësuesit e gjyqësorit u dëgjuan pa iu vënë në dispozicion të gjitha amendamentet që ndryshonin projektligjin mbi të cilin ishin thirrur të shpreheshin, pa informacion të plotë mbi opinionin financiar të Qeverisë dhe pa mundësinë për të dhënë qëndrim mbi tekstin që realisht po merrte formë për votim. Nuk mund të thërrasësh një pushtet kushtetues për konsultim dhe në të njëjtën kohë, t’i mbash të panjohura elementet mbi të cilat do të marrësh vendimin. Kjo cenon seriozitetin dhe integritetin e vetë procedurës parlamentare.

Po aq shqetësues është fakti se dëgjesa nuk solli asnjë reflektim të dukshëm mbi argumentet e paraqitura. Përfaqësuesit e gjyqësorit dhe grupet e interesit ngritën gjerësisht shqetësime konkrete për mospërputhjen e projektligjit me standardet kushtetuese, por projektligji u procedua pa iu dhënë përgjigje këtyre argumenteve. Konsultimi nuk është një formalitet; ai duhet të jetë efektiv dhe të dëshmojë se qëndrimet e paraqitura janë shqyrtuar realisht. Pikërisht rëndësinë e këtij standardi e ka evidentuar edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 15/2026.

Gjyqësori nuk mund të thirret në Kuvend vetëm për të plotësuar formalisht një procedurë. Gjyqësorit nuk mund t’i kërkohet mendim për një tekst, të mos reflektohet mbi argumentet e tij dhe më pas të procedohet mbi një tekst të ndryshuar pa i dhënë mundësinë të shprehet për të. Një proces i tillë e redukton konsultimin në formalitet dhe cenon besimin në seriozitetin e procedurës parlamentare.

Kontrasti i së njëjtës ditë është domethënës. Në Romë, drejtues të institucioneve të drejtësisë shqiptare u pritën në Quirinale nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, në kuadër të organizimit në Tiranë të Ëorld Laë Congress 2027, një përgjegjësi e rëndësishme ndërkombëtare që i është besuar Shqipërisë dhe institucioneve të saj të drejtësisë. Në Tiranë, ndërkohë, përfaqësuesit e gjyqësorit thirren nga Kuvendi për konsultim, por pa iu bërë i njohur plotësisht teksti mbi të cilin do të vendosej. Respekti institucional që i tregohet drejtësisë shqiptare në marrëdhëniet ndërkombëtare duhet t’i garantohet asaj, para së gjithash, brenda vendit.

Edhe më shqetësues është trajtimi që i është bërë vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese. Problemi nuk është referimi formal te vendimi nr. 15/2026, por reflektimi i arsyetimit të tij kushtetues në zgjidhjen ligjore të propozuar. Përmbajtja e projektligjit dhe mënyra se si ai është proceduar tregojnë se ky arsyetim nuk është reflektuar.

Gjykata Kushtetuese ka folur qartë. Ajo ka përcaktuar kufijtë kushtetues brenda të cilëve ligjvënësi mund të ndërhyjë në pagën e magjistratit dhe pasojat që lidhen me shfuqizimin e formulës së mëparshme. Ligjvënësi ka të drejtën të gjejë zgjidhjen normative, por jo të sillet sikur vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ekziston.

Pikërisht këtu qëndron problemi themelor i projektligjit. Nëse arsyetimi i vendimit nr. 15/2026 do të ishte reflektuar në tërësinë e tij, një projektligj me këto zgjidhje nuk mund të paraqitej në këtë formë. Kjo është veçanërisht serioze për Komisionin përgjegjës për çështjet ligjore. Nga një komision parlamentar që shqyrton kushtetutshmërinë dhe cilësinë juridike të legjislacionit pritet jo thjesht të citojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por të analizojë dhe të reflektojë arsyetimin e tij në normën që propozon për votim. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk respektohen duke iu referuar numrit të tyre; respektohen duke zbatuar përmbajtjen dhe arsyetimin kushtetues që ato imponojnë.

Nuk mund të anashkalohet as koha kur u ndërhy sërish në projektligj. Pikërisht pasi gjyqësori kundërshtoi publikisht bllokimin e pagave dhe kërkoi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, u paraqitën ndryshime të reja që e vendosin atë në një pozitë edhe më të pafavorshme. Kur kjo ndërhyrje në statusin dhe garancitë financiare të gjyqtarëve bëhet pa transparencë të plotë dhe pa konsultim real me ta, lind një dyshim serioz për karakterin penalizues të saj. Komisioni duhet ta sqarojë këtë dyshim, jo ta thellojë atë me mungesë transparence. Gjyqësori nuk mund të penalizohet sepse kërkon zbatimin e Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Gjyqësori ka treguar përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje edhe në një situatë kur gjyqtarët dhe administrata gjyqësore janë përballur me bllokimin e pagave. Kjo përgjegjësi nuk duhet ngatërruar me dobësi dhe heshtja institucionale nuk mund të kërkohet si çmim për dialogun. Gjyqësori nuk pranon arrogancën e askujt që ushtron pushtetin sikur ai të ishte i pakufizuar dhe i pakontrollueshëm. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka pushtet mbi Kushtetutën dhe nuk ka pushtet të përjashtuar nga kufijtë dhe kontrolli kushtetues.

Gjykata e Lartë nuk kërkon epërsi ndaj Kuvendit, por nuk pranon as nënshtrimin e gjyqësorit ndaj tij. Ndarja e pushteteve nuk njeh hierarki ndërmjet tyre. Njeh kompetenca, kufij dhe kontroll kushtetues.

Në këto rrethana, Gjykata e Lartë i kërkon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të mos kalojë për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare të datës 17 shtator 2026 projektligjin në gjendjen në të cilën ndodhet.

Përpara çdo procedimi të mëtejshëm, Kuvendi duhet:

1. të sqarojë rregullsinë, kohën dhe mënyrën e depozitimit e të shqyrtimit të amendamenteve, si dhe arsyen pse ato nuk iu bënë të njohura gjyqësorit gjatë konsultimit;

2. të bëjë publik mendimin e Këshillit të Ministrave për efektet financiare, datën e paraqitjes së tij, tekstin mbi të cilin është dhënë dhe efektet financiare që ka vlerësuar;

3. të verifikojë respektimin e procedurave dhe afateve parlamentare për paraqitjen dhe shqyrtimin e ndryshimeve të projektligjit;

4. t'i japë gjyqësorit mundësinë reale të shprehet mbi variantin që tashmë është bërë publik dhe që synohet të votohet;

5. të rivlerësojë projektligjin në tërësi në raport me vendimin nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese dhe me qëndrimet e paraqitura nga gjyqësori.

Kuvendi nuk duhet të votojë një projektligj kur ekzistojnë pikëpyetje kaq serioze mbi rregullsinë, transparencën dhe integritetin e procedurës me të cilën ai ka mbërritur për votim. Vazhdimi i procedurës nuk do t’i korrigjonte këto mangësi serioze, por do t’i mbartte ato në vetë vendimmarrjen plenare.

Gjyqësori ka folur. Gjykata Kushtetuese ka vendosur. Tashmë përgjegjësia është e Kuvendit.

Kuvendi miraton ligje, por nuk mund të relativizojë Kushtetutën. Mund të zgjedhë zgjidhjen ligjore, por nuk mund të anashkalojë një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Mund të ftojë gjyqësorin për konsultim, por nuk mund ta përdorë praninë e tij për të legjitimuar një konsultim që realisht nuk ka ndodhur.

Gjykata e Lartë dhe gjyqësori nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë respektimin e Kushtetutës, të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të dinjitetit të një pushteti të pavarur. Për këto nuk ka dhe nuk do të ketë tërheqje./Dosja.al

gjykata e larte pagat e gjyqtareve

Sondazh

Poll

Pamje prekëse nga Prishtina/ Polici shpërthen në lot kur protestuesit i vendosin pranë flamurin

Pamje prekëse nga Prishtina/ Polici shpërthen në lot kur protestuesit i vendosin pranë flamurin

Haga dënon ish krerët e UÇK-së me 81 vite burg, vogëlushi shpërthen në lot

Haga e dënoi me 25 vite burg, ja si e priti Hashim Thaçi vendimin

Haga dënon ish- krerët e UÇK-së me 81 vite burg, shqiptarët përplasen me policinë pas vendimit

Haga dënon ish-krerët e UÇK-së, qytetarja në lot:As Millosheviçin se keni dënuar kaq rëndë...

Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burg, djali i tij largohet i mërzitur nga Gjykata Speciale në Hagë

Momenti kur Endrit Thaçi mbërrin në ambientet e Gjykatë në Hagë...

E përlotur, bashkëshortja e Jakup Krasniqit dhe djali Altini të pranishëm në ‘Marshin për Liri’

Tensione pranë ndërtesës së EULEX-it në Prishtinë, qytetarët tentojnë të hyjnë brenda

Tensione jashtë Gjykatës Speciale në Hagë, shqiptarët përplasen me policinë, nis shoqërimi i tyre

Pas vendimeve të Hagës, nisin protestat masive në Prishtinë: Marre!

"Jo në emrin tim"/ Haradinaj: Dënimi për katërshen i padrejtë

Rexhep Selimi shpallet fajtor në Hagë, dënohet me 13 vite burg

Kadri Veseli shpallet fajtor në Hagë, dënohet me 18 vite burg

Jakup Krasniqi shpallet fajtor në Hagë, dënohet me 25 vite burg

Hashim Thaçi shpallet fajtor në Hagë, dënohet me 25 vite burg

Hashim Thaçi shpallet fajtor në Hagë, dënohet me 25 vite burg, qytetarët ‘shpërthejnë’ në lot

Gerd Hoxha “shpërthen” te “Ligjet”: Nëse do bëni atentat dhe puc kushtetues ...

Reforma e re territoriale/ Kryeministri Rama mbërrin në Korçë i shoqëruar nga djali i tij

Nis gjyqi në Specialen e Kosovës në Hagë, sot shpallet vendimi për 4 ish-krerët e UÇK

Kosova pret nën ankth vendimin e Hagës/ Qindra qytetarë mbushin Prishtinën: Kosova po ju pret!

"Nuk ka arsye për dënim"/ Vëllezërit e Thaçit dhe Krasniqit: Besojmë në luftën e pastër të UÇK-së!

"Jam krenar për UÇK-në"/ Djali i Jakup Krasniqit: Besoj se katër liderët do të lirohen

Në pritje të verdiktit në Hagë/ Djali i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit hyjnë në Gjykatën Speciale

Tensione para Dhomave të Specializuara në Hagë/ Protestuesit përplasen me policinë holandeze

Tensione para Dhomave të Specializuara në Hagë/ Protestuesit përplasen me policinë holandeze

Seanca për ish-krerët e UÇK-së/ Mbesa e Jakup Krasniqit puth portretin e gjyshit

Qytetarët presin verdiktin për liderët e UÇK në shesh, ja si e gjeti mëngjesi Prishtinën

“Nuk mund të orientoni fjalët e mia”/ Gjyqtari Gerd Hoxha përplaset me Ulsi Manjën

“Bujqësia në kushte skandaloze”, protestuesja: Paratë e BE-së grabiten nga njerëzit e Ramës

"O hajdut o kriminel"/ Protestuesit 'zënë mat' Ballën në kafe, socialisti ikën me telefon në vesh

Protesta në Tiranë/ Protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë

Korreshi përplaset me Gogun për Sokol Sadushin, ministri: Nuk e ke kuptuar ende punën e një deputeti

"Paga bruto e një magjistari"/ Gafat e njëpasnjëshme të deputetes socialiste

"Paga bruto e një magjistari"/ Gafa e deputetes socialiste Aulona Bylykbashi

Daja i deputetes Zegjine Çaushi plagosi ish-vjehrrin me drapër, rrëfehet partnerja: Më ka dhunuar...

‘Lini Veliajn në qeli’! Protestë kundër Veliajt para Gjykatës së Lartë: Në Tiranë paratë u pastruan

Përfundojnë fjalimet para Kryeministrisë, qytetarët marshojnë drejt bllokut të sigurisë

Pagat e magjistratëve/ Braçe i ashpër me KLGJ dhe KLP: Në thesarin e shtetit nuk fut dorën kushdo

Braçe kritika të ashpra ndaj KLGJ dhe KLP për vendimet për pagat: Të kërkojnë falje

Berisha:Trump denoncoi rrezikun komunist dhe rrezikun e drogës, mbi të cilat qëndron regjimi i Ramës

Berisha: Në SHBA shprehëm shqetësimin tonë për përdorimin e drejtësisë si armë politike nga Edi Rama

Berisha: Denoncuam farsën elektorale, sekretari Rubio nuk e uroi Ramën për zgjedhjet!

Berisha: Në epiqendër të takimeve ishte narkoshteti! Rama, vëllai i tij dhe qeveritarët janë...

Kapen 41 kg e 350 gramë kokainë në Portin e Durrësit nga Brazili, vlera në treg 2 milionë euro

Dha alarm fals për bombë, për të testuar autoritetet, Jatagani poston videon...

Berisha pas kthimit në SHBA: Morëm pjesë në konventën më të bukur!

Protesta te Zogu i Zi, aktivistët: Policia mbron dhunën, Rama është frikacak

Tensione dhe përplasje fizike/ Protesta te Zogu i Zi, shoqërohen 10 aktivistë

SKANDAL/ Policia dhunon protestuesit, momenti kur efektivi i 'Shqiponjave' i gjuan me gusht në bark