81 vitet burg që u dhanë ndaj ish-krerëve të UÇK-së duket se nuk e kanë larguar mllefin e mbledhur prej serbëve. Ku ka qenë Milorad Dodik serbo-boshnjaku, ish-president i Republikës Srpska, i cili e ka cilësuar vendimin të papranueshëm, dhe ka kritikuar faktin që gjykata ka rrëzuar sipas tij akuzat për krime kundër njerëzimit.
Ai thotë se Thaçi qe ideolog dhe udhëheqës i asaj që e quajti një oranizatë terroriste, duke u shprehur se në Hagë nuk ka respekt e mëshirë për viktimat serbe.
"Dënimi i shqiptuar ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve është një karikaturë e drejtësisë, që shërben për të relativizuar krimet kundër serbëve dhe për të amnistuar të ashtuquajturin terrorizëm të UÇK-së. Është e turpshme që vrasjet sistematike të serbëve në Kosovë e Metohi nuk u cilësuan si krime kundër njerëzimit, por del sikur ata kanë vdekur si kalimtarë të rastit. Thaçi ishte ideologu dhe udhëheqësi i një organizate terroriste, ekzekutues i drejtpërdrejtë dhe urdhërdhënës. E gjithë kjo u anashkalua. Prej kohësh e dimë se në Hagë nuk ka drejtësi dhe të drejtë, ndërsa tani e dimë përfundimisht se nuk ka as respekt dhe as mëshirë për viktimat serbe. Fakti që gjyqi u zhvillua njëzet e pesë vjet pas krimeve të kryera tregon se synimi ishte mbulimi i atyre krimeve.", është shprehur ai.
Milorad Dodik është një politikan serb i Bosnjës i cili shërbeu si Presidenti i 8-të i Republika Srpska nga viti 2022 deri në shkarkimin e tij nga detyra në vitin 2025. Duke mbajtur më parë këtë detyrë nga viti 2010 deri në vitin 2018, ai shërbeu gjithashtu si anëtari i 7-të serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës nga viti 2018 deri në vitin 2022.
