Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu ka ndarë një mesazh ngushëllimi për vdekjen e profesor Dine Abazit, ish-President i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë. Ajo e cilëson atë një profesionist të mirë dhe njeri me dinjitet të lartë.
"Ka njerëz që i njeh përmes profesionit, përmes detyrave që kanë mbajtur, përmes kontributit që kanë dhënë. Dhe ka njerëz që, përtej gjithë këtyre, të mbeten në kujtesë për mënyrën si të kanë bërë të ndihesh pranë tyre. Profesor Dine ishte njëri prej tyre.
Një mjek i nderuar kardiolog, një profesionist me përvojë të gjatë, një drejtues dhe përfaqësues i denjë i mjekësisë shqiptare. Por mbi të gjitha, një njeri me dinjitet, urtësi dhe një përkushtim të rrallë ndaj profesionit të tij", shkruan ministrja.
Mjekja dhe prej vitesh politikane socialiste, Klodiana Spahiu thotë se për dekada, profesor Dine Abazi i shërbeu shëndetësisë shqiptare me dijen, përvojën, përgjegjësinë dhe respektin e thellë për njeriun.
Në çdo detyrë që mbajti, la pas jo vetëm punën e tij, por edhe shembullin e një profesionisti që e kuptonte mjekësinë si mision dhe shërbimin si përgjegjësi.
"Por sot, përtej mjekut dhe drejtuesit, dua të kujtoj njeriun. Atë njeri të qetë, të matur, të mirë, që nuk kishte nevojë të fliste shumë për veten. Madhështinë e kishte në sjellje, në fjalën e peshuar, në respektin për tjetrin dhe në mënyrën si i qëndronte pranë njerëzve.
Profesor Abazi ishte nga ata njerëz që nuk të imponoheshin me praninë e tyre. Ta fitonin respektin natyrshëm. Dhe ky është ndoshta kujtimi më i bukur që mund të lërë pas një njeri. U prehtë në paqe e ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, të afërmve", shkruan ministrja Klodiana Spahiu.
