“Jemi me viktimat dhe familjet e tyre”, Britania reagon për vendimin e Speciales: Konstatimet kanë të bëjnë me individë, jo me Kosovën

Mbretëria e Bashkuar ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale për ish-drejtuesit e UÇK-së, duke theksuar se konstatimet e saj lidhen me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione mes komuniteteve apo në rajon.
Ministri britanik për Evropën, Lord Wood, u bëri thirrje liderëve politikë dhe figurave publike që të promovojnë qetësinë dhe që çdo reagim të jetë paqësor, duke vënë në plan të parë sigurinë e qytetarëve.
Ministri thekson se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbetet një mik dhe partner i afërt i Kosovës, duke mbështetur fuqimisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj.
“Ne jemi krenarë për rolin që luajtëm, së bashku me aleatët e NATO-s, në parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat dhe familjet e tyre. Konstatimet e Gjykatës kanë të bëjnë me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione ndërmjet komuniteteve apo në mbarë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, udhëheqësit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësinë të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe që siguria e njerëzve të jetë përparësia kryesore. Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt e të begatë për të gjitha komunitetet”, tha ministri britanik.
/vizionplus.tv




