Specialja i dënoi me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së, Kos: Vendimi duhet respektuar, palët kanë të drejtën e apelimit

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale, e cila dënoi në total me 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së.
Në reagimin e saj, Kos thekson se vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale duhet të respektohet dhe se të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë vendimin.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Gjykimi i saj duhet të respektohet dhe të dënuarit kanë të drejtë ankese.
Bëhet fjalë për përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndasitë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, ka shkruar Kos.




