Profesori i Universitetit Johns Hopkins në Uashington dhe analisti amerikan Daniel Serwer ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një shkrim të publikuar në blogun e tij, Serwer e ka kritikuar ashpër vendimin e gjykatës, por edhe mënyrën se si, sipas tij, janë krijuar dhe funksionojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Serwer ndalet te dënimi me 25 vite burgim i Hashim Thaçit për krime lufte, ndërsa vëren se ai u shpall i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit. Profesori amerikan e vendos këtë vendim përballë zhvillimeve në Serbi, duke përmendur largimin e Aleksandar Vuçiqit nga posti i presidentit dhe rikthimin e tij të mundshëm si kryeministër, si dhe nderimet që, sipas tij, Serbia i ka bërë Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
“Kontrasti është i vështirë të mos vërehet. Një president i Kosovës, i cili ishte përpjekur të mbronte bashkëqytetarët e tij nga shtypja serbe, është në burg. Serbia po fuqizon një politikan që shërbeu në qeverinë që sulmoi civilët në Kosovë dhe po nderon autorin e krimeve edhe më të rënda në Bosnje”, ka shkruar Serwer.
Kritikat ndaj Gjykatës Speciale
Sipas Serwerit, krijimi i Dhomave të Specializuara erdhi pas presionit të fortë amerikan dhe evropian ndaj Kosovës dhe Hashim Thaçit, përmes një amendamenti kushtetues.
Ai argumenton se, ndonëse ligjërisht është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, gjykata nuk funksionon si një institucion i zakonshëm vendor, pasi stafi i saj është ndërkombëtar.
Serwer shkruan se gjykata u krijua fillimisht për të shqyrtuar pretendimet për trafikim organesh të ngritura në raportin e Këshillit të Evropës, por më pas hetimet u zgjeruan edhe në pretendime të tjera, përfshirë ato që ai i lidh me inteligjencën serbe.
“Disa nga akuzat ndaj luftëtarëve të UÇK-së janë pa dyshim të vërteta. Por unë nuk besoj se Thaçi kishte autoritet komandues mbi forcat që kryen krimet”, shkruan ai.
Profesori amerikan thotë se këtë vlerësim e ka krijuar jo vetëm nga dëshmitë e amerikanëve që kishin njohuri për situatën dhe dëshmuan në procesin gjyqësor, por edhe nga një bisedë që kishte zhvilluar me Thaçin pas luftës, në prani të një pjesëtari të UÇK-së.
“Roli i tij ishte i kufizuar në atë të zëdhënësit politik të UÇK-së. Ai nuk ishte luftëtar apo komandant”, shkruan Serwer, duke e paraqitur këtë si vlerësimin e tij personal për rolin e Thaçit gjatë luftës.
“Amerikanët dhe evropianët kanë harruar të drejtat e njeriut”
Në shkrimin e tij, Serwer kritikon edhe kostot e Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se vendet evropiane kanë investuar rreth 200 milionë euro në këtë proces.
Ai argumenton se Serbia kishte ushtruar presion ndaj SHBA-së dhe vendeve evropiane, duke pretenduar se ishte e padrejtë që Tribunali i Hagës kishte dënuar kryesisht serbë për krimet e kryera në Bosnje dhe Kosovë.
“Amerikanët mund të kishin tentuar dikur t’i shpëtonin udhëheqësit e UÇK-së nga padrejtësia, ose të paktën të pengonin varrimin e Mlladiqit me nderime. Por tani ata i kanë harruar të drejtat e njeriut. Ata përqendrohen tërësisht në interesat e tyre të ngushta”, shkruan profesori amerikan.
Serwer shton se, sipas tij, Thaçi, gjatë kohës që ishte kryeministër dhe president i Kosovës, ishte më miqësor ndaj interesave amerikane sesa kryeministri aktual i Kosovës.
Apelimi mund ta zgjasë procesin me vite
Duke folur për hapat e ardhshëm, Serwer parashikon se Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së do t’i apelojnë vendimet dhe se procesi mund të zgjasë për vite.
Ai vëren se gjatë kësaj periudhe të dënuarit mund të vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, duke iu referuar edhe kohës së gjatë që kaluan në paraburgim para shpalljes së aktgjykimit.
“Me pak fat, dënimet mund të reduktohen”, shkruan Serwer, ndërsa argumenton se asnjë shtet nuk duhet të krijojë në të ardhmen një gjykatë ndërkombëtare të këtij lloji pa parashikuar mundësinë për ta shfuqizuar atë.
Sipas tij, Kosova nuk e ka këtë mundësi për shkak të nevojës për ndryshime kushtetuese dhe rolit që në këtë proces do të kishin deputetët serbë.
Thirrje për protesta paqësore
Serwer shkruan se shumë shqiptarë në Kosovë do ta konsiderojnë vendimin të padrejtë dhe mund të dalin në protesta, por njëkohësisht u bën thirrje që protestat të jenë paqësore.
“Dhuna nuk do të fitojë asgjë”, shkruan ai, duke shtuar se edhe nëse serbët e mirëpresin aktgjykimin, dhuna nuk do të sjellë rezultat.
Në fund të shkrimit, profesori amerikan e përqendron kritikën e tij te ajo që e konsideron si trajtim të padrejtë të UÇK-së nga institucionet perëndimore.
“Ata e kanë kriminalizuar një lëvizje çlirimtare që e mbështetën dhe e kanë reduktuar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike”, shkruan Serwer.
Dhe në përfundim, ai shkon edhe më tej në kritikën ndaj Dhomave të Specializuara: “Nuk është vetëm aktgjykimi i padrejtë. Është vetë gjykata”, shkruan ai.


