Kthyen lokalin në “pikë” droge, arrestohen 3 persona në Elbasan

Kronike

Publikuar: 16/09/2026

Kthyen lokalin në “pikë” droge, arrestohen 3 persona në Elbasan

Tre persona janë arrestuar në Elbasan, pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin përgatisnin dhe shisnin doza të drogave të ndryshme.

Sipas Policisë, aktiviteti i dyshuar zhvillohej në një lokal në fshatin Mjekës, ku dyshohet se përgatiteshin, ndaheshin në doza dhe shiteshin kokainë dhe kanabis.

Në kuadër të operacionit të koduar “Roli”, në pranga ranë të rinjtë me inciale D. R., 26 vjeç, i cili kishte marrë me qira lokalin, dhe L. Q., 18 vjeç, që punonte aty si kamerier.

Hetimet vijuan me kontrollin e banesës së 18-vjeçarit, ku policia thotë se gjeti sasi dhe doza të dyshuara kanabisi, si dhe një shkop metalik. Në përfundim të veprimeve u arrestua edhe vëllai i tij me inicialet E. Q., 24 vjeç.

Gjatë operacionit u sekuestruan dhjetëra doza lëndësh të dyshuara narkotike, gjashtë grirëse, tre peshore elektronike, dy celularë dhe një shkop metalik.

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, dhe të drejtuara nga Prokuroria e Elbasanit, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 3 shtetasve, të cilët në bashkëpunim, shitnin lëndë narkotike, në doza, u finalizua operacioni i koduar ‘Roli’.

Gjatë operacionit u konstatua se një lokal në fshatin Mjekës, ishte vënë në dispozicion të përgatitjes, ndarjes në doza dhe shitjes së lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa.

Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan shtetasi që kishte marrë me qira lokalin dhe kamerieri, D. R., 26 vjeç dhe L. Q., 18 vjeç, të dy banues në fshatin Mjekës. Nga kontrollet në ambientet e lokalit u gjetën doza të këtyre lëndëve, si dhe mjete që shërbenin për përgatitjen e dozave.

Më tej, u krye kontroll në banesën e 18-vjeçarit, ku u gjetën sasi dhe doza të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe një shkop metalik, që dyshohet se posedoheshin nga vëllai i 18-vjeçarit, shtetasi E. Q., 24 vjeç, i cili në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.