Dënimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në total 81 vite burgim, kanë rikthyer vëmendjen te faza e apelimit dhe mundësia që vendimet e shkallës së parë të ndryshojnë.
Një prej rasteve më të njohura të drejtësisë ndërkombëtare që përmendet në këtë kontekst është ai i gjeneralit kroat Ante Gotovina, ndaj të cilit një vendim i shkallës së parë u përmbys tërësisht nga Dhoma e Apelit.
Gotovina ishte një prej komandantëve kryesorë të Ushtrisë Kroate gjatë luftës për pavarësinë e vendit. Ai drejtoi forcat kroate gjatë operacionit ushtarak “Stuhia”, në vitin 1995, i cili solli rikthimin e kontrollit të një pjese të konsiderueshme të territorit kroat nën kontrollin e Zagrebit dhe shënoi një nga momentet vendimtare të përfundimit të luftës.
Pas përfundimit të luftës, Gotovina u shpall i kërkuar nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Pas disa vitesh në arrati, ai u arrestua në Spanjë në vitin 2005 dhe u transferua në Hagë.
Në prill të vitit 2011, Gjykata e Hagës e shpalli fajtor në shkallë të parë dhe e dënoi me 24 vite burgim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykata e konsideroi atë përgjegjës, ndër të tjera, për veprime të paligjshme gjatë operacionit “Stuhia”.
Por vendimi nuk ishte përfundimtar.
Mbrojtja e Gotovinës e apeloi vendimin, ndërsa çështja u shqyrtua nga Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës.
Më 16 nëntor 2012, Apeli rrëzoi vendimin e shkallës së parë. Me shumicë votash, gjyqtarët e Apelit përmbysën gjetjet kryesore që kishin çuar në dënimin e Gotovinës dhe e shpallën atë të pafajshëm.
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij, duke e kthyer një dënim prej 24 vitesh burgim në një vendim pafajësie.
Rasti i Gotovinës mbetet një nga shembujt më të rëndësishëm se një vendim i shkallës së parë në drejtësinë ndërkombëtare nuk është domosdoshmërisht përfundimtar dhe se procesi i apelimit mund të sjellë ndryshime thelbësore në vlerësimin e provave dhe përgjegjësisë penale.
Për ish-krerët e UÇK-së, tashmë pritet të hapet një tjetër fazë e procesit gjyqësor. Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka paralajmëruar apelimin e vendimeve, ndërsa Dhoma e Apelit do të shqyrtojë argumentet e palëve dhe gjetjet e shkallës së parë.
Megjithatë, rasti Gotovina nuk nënkupton se një rezultat i ngjashëm do të përsëritet në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së. Çdo apelim shqyrtohet mbi provat dhe argumentet konkrete të çështjes përkatëse.
Por historia e drejtësisë ndërkombëtare tregon se rruga gjyqësore nuk përfundon domosdoshmërisht me vendimin e shkallës së parë. Rasti i gjeneralit kroat mbetet një shembull i qartë se si një vendim i rëndë mund të ndryshojë në mënyrë rrënjësore në Apel.


