I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misione të posaçme, Richard Grenell, ka reaguar ashpër pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Grenell e ka cilësuar dënimin ndaj Thaçit si “skandaloz” dhe ka kërkuar ndërprerjen e financimit dhe mbylljen e Gjykatës Speciale të Hagës.
Në një postim të tij, Grenell ka shprehur kritika të forta ndaj procesit gjyqësor, duke pretenduar se vendimet e gjykatës janë të ndikuara politikisht.
Ai ka kërkuar që Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, të ndërmarrin veprime për t’i dhënë fund financimit të këtyre proceseve, duke argumentuar se qytetarët amerikanë po paguajnë për ndjekje penale që ai i konsideron politike.
Grenell i është drejtuar gjithashtu kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar që qeveria dhe deputetët e Kosovës të punojnë për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.
“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz. Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të çmendur të së majtës. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.
Gjyqtari zviceran Guenael Mettraux ishte udhëheqësi i vërtetë, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur politikën e Jack Smith.
Të gjitha këto gjykata duhet t’u ndërpritet menjëherë financimi. Departamenti i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të marrë fund.
Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”,- shprehet Grenell.













