Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit, në zonën e njohur si Vollga.
Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e të shtënave ka mbetur i plagosur shtetasi E. Sh, 52 vjeç, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Durrësit për të marrë ndihmën mjekësore. Dyshohet se ai ka marrë një plumb në dorë.
Policia bën me dije se shtetasi i F. F., 61 vjeç, banues në lagjen Nr. 1, Durrës, dyshohet se për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në dorë shtetasin E. Sh., 52 vjeç.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për kapjen e 61-vjeçarit.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 17:30, në lagjen Nr. 1, Durrës, shtetasi F. F., 61 vjeç, banues në lagjen Nr. 1, Durrës, dyshohet se për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në dorë shtetasin E. Sh., 52 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon kontrolli i zonës, me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
