Nga Boldnews.al
Në gjithë shqiptarinë kjo është dita më e errët. Lëndimi i shpirtit mbetet më i madh se ikja fizike, por mendja duhet të jetë tashmë e në vijim më e kthjellët se kurrë për të kuptuar se sa vlejmë në sytë e Europës, sa dëm i bëjmë vetes për pushtet personal dhe si vetëdigjemi në çaste historike.
Aty në Hagë nuk u dha vetëm vendimi për dënimin me 81 vite burgim të ish-drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi për krime lufte, por bashkë me të u tentua të damokosej një luftë e drejtë çlirimtare, duke përdhosur gjakun e dëshmorëve dhe mbi 20 mijë viktimave të pafajshme.
Procedurialisht ka një ndarje për “krimet e luftës si norganizatë”, si UÇK dhe krimet individuale të të dënuarve, por duke mos harruar kurrë që ata përfaqësonin uniformën e UÇK-së. Imazhi i luftës së drejtë çlirimtare u bë pis nga pisat e vërtetë që mbajnë veshur kostumin e politikanit dhe lobeve që yshtin veladonët e Gjykatës Speciale të dilnin në këtë përfundim.
Para se të drejtojmë gishtin nga lobimet ruso-sllave që e patën të lehtë të depërtonin në atë Europën e veshur si gjyqtarë e prokurorë “të drejtë”, duhet të kthejmë edhe sytë nga vetja, për të mos gjykuar me zemër të lënduar, por mendjen e kthjellët. Krijimi i kësaj gjykate paradoksalisht erdhi me votat edhe të atyre që sot u dënuan, me përjashtim të Rexhep Selimit.
Kjo gjykatë u ngrit që të hetonte të ashtëquajtura “krimet monstruoze” siç ishin akuzat për trafik organesh, duke sjellë edhe një raport të zi nga Dik Marty, një eurodeputet ziviceran që nxiu dhe hodhi dyshime se kishte zbuluar “shtëpinë e vardhë” në Mat. Që në çastin që “trafiku i organeve” jo vetëm nuk kishte një provë sado periferike, kjo gjykatë duhej shkrirë, por naivët në politikë, (maja e saj në Tiranë dhe Prishtinë) u besuan “garancive” të sharlatanëve që të tundin pasaportën më të fuqishme të botës…
Gjithë ajo “kokë e madhe” si kryeministri Edi Rama u ngrit nga Tirana dhe shkoi në Prishtinë për të “ndërmjetësuar” në vitin 2015 votimin për ngritjen e kësaj gjykate. Ashtu u bë me duartrokitje, pa e kuptuar se interesat e momentit gjeopolitike sa rajonale aq edhe botërore kërkonin ca haraçe jo të vogla në kurriz të Kosovës që mbante ende plagët e luftës të hapura.
Sot të marrët sharlatanë, që jepen pas pushtetit personal të momentit, futën nën dhe’ idealet dhe luftë e një kombi nën stemën e UÇK-së. Tashmë po ankohet se ata (serbët) kanë lobuar fuqishëm që të dënoheshin katër ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së, pa kthyer sytë nga vetja se janë gati të lobojnë kudo, duke derdhur miliona dollarë edhe për të bërë një foto…! Apo jo? Të marrë!!!!














