Kroacia ka reaguar zyrtarisht pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë deklaroi se është në dijeni të vendimit të shpallur në Hagë, duke theksuar njëkohësisht se bëhet fjalë për një aktgjykim jo përfundimtar dhe se Zagrebi nuk dëshiron të paragjykojë rezultatin e procesit gjyqësor.
“Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ky është një aktgjykim jo përfundimtar dhe ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë rezultatin përfundimtar të procedurës”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Megjithatë, autoritetet kroate theksojnë se vendimi i gjykatës nuk mund të ndryshojë kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe atë që e cilësojnë si viktimizimin e Kosovës dhe popullsisë së saj nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
“Në të njëjtën kohë, ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftërave në Kosovë, e as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në reagim.
Ministria e Jashtme kroate nënvizon gjithashtu se përgjegjësia individuale për veprime konkrete nuk duhet të përdoret për të relativizuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, përfundon reagimi i Kroacisë.


