
Vetëm pak orë pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë nisur lëvizjet në Kuvendin e Kosovës për zhbërjen e kësaj gjykate.
Sipas burimeve të Indeksonline, deputetë të partive opozitare kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme parlamentare, me një pikë të vetme në rendin e ditës: zhbërjen e Dhomave të Specializuara.
Burimet bëjnë të ditur se deputetët kanë ndërmarrë hapat e parë për sigurimin e nënshkrimeve, ndërsa kërkesa synohet të procedohet në një afat të përshpejtuar.
Kjo nismë vjen pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për zhbërjen e Gjykatës Speciale është shprehur edhe ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
“Duhet vepruar shpejt për ta shpërbërë këtë Gjykatë të huaj. Anëtarët e Parlamentit duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, ka shkruar Grenell.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse nisma e deputetëve do të sigurojë mbështetjen e nevojshme parlamentare dhe cilat do të jenë hapat e mëtejshëm institucionalë lidhur me këtë çështje.

