Marta Kos reagoi pas vendimit të Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e UÇK-së, duke kërkuar që aktgjykimi të respektohet dhe duke theksuar se ai ka të bëjë me përgjegjësinë individuale, jo me Kosovën. Ajo u bëri thirrje të gjitha palëve të ndihmojnë në pajtimin dhe të punojnë për shërimin e plagëve të së kaluarës, duke nënvizuar se vetëm përmes pajtimit rajoni mund të ecë përpara drejt Bashkimit Europian.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e saj duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë të apelojnë. Kjo ka të bëjë me llogaridhënien individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm nëpërmjet pajtimit vendet e rajonit mund të kapërcejnë përçarjet dhe të përparojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE.” tha Kos.
Edhe zëdhënësi i BE-së, Guillaume Mercier, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj pa ndërhyrje.
“Drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrjedhën e saj, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për viktimat”, tha ai.
Qëndrimi i Bashkimit Europian u kundërshtua publikisht nga Richard Grenell. Ish-i dërguari i presidentit Donald Trump për misione të posaçme hodhi poshtë mesazhin e Marta Kos për respektimin e aktgjykimit dhe sulmoi ashpër Gjykatën Speciale.
“Jo. Të mbash dikë në burg për gjashtë vjet për diçka që pretendohet se ka ndodhur 25 vjet më parë është e turpshme. Evropa duhet t’i reformojë institucionet e saj. Kjo nuk është drejtësi; është aktivizëm i elitave. Financimi për këto gjykata radikale duhet të ndërpritet menjëherë”, shkroi Grenell.
Më herët gjatë ditës, Grenell kishte reaguar edhe ndaj vetë aktgjykimit, duke e cilësuar dënimin e Hashim Thaçit “skandaloz” dhe duke i kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të ndërmarrë hapa për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.
“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz. Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë.”, shkroi ai.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim, pasi u shpallën fajtorë për krime lufte.