Lajme

Samir Mane merret në pyetje nga SPAK. Biznesmeni paraqitet në Prokurorinë e Posaçme jashtë orarit zyrtar (VIDEO)

Paraqitet në SPAK biznesmeni Samir Mane. Ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimit për dosjen “Balluku”. Ishte ora 18:10 e pasdites së kësaj të mërkure, kur Mane u shfaq në oborrin e SPAK.

Biznesmeni është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme jashtë orarit zyrtar. Kjo, një ujdi mes SPAK dhe Manes për të mos u filmuar nga kamerat e mediave.

Paraqitja e Manes sot në SPAK për 2 orë, pas marrjes në pyetje të vëllezërve Eftimi, tregon se Prokuroria e Posaçme po zgjeron rrethin e personave që mund të kenë dijeni për mënyrën si është porositur, projektuar, financuar dhe finalizuar vila që SPAK dyshon se është pasuri e fshehur e Belinda Ballukut.

Dosja ndaj ish-zv.kryeministres përfshin dyshime për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Deri në këtë fazë bëhet fjalë për dyshime të organit të akuzës dhe jo për përfundime gjyqësore të formës së prerë.

/Shqip.com