
Mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke paralajmëruar apelimin e vendimit. Avokatët e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit e kanë cilësuar vendimin si zhgënjyes dhe kanë deklaruar se do të vijojnë betejën ligjore.
Pierre Richard Prosper, avokati kryesor i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, reagoi pas aktgjykimit me të cilin Thaçi u dënua me 25 vite burgim.
Prosper e cilësoi vendimin si një “shkelje të drejtësisë” dhe bëri të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin.
Sipas tij, Gjykata Speciale ka paraqitur një version të historisë që, sipas mbrojtjes, nuk përputhet me dëshmitë e paraqitura gjatë procesit.
“Kjo betejë do të vazhdojë. Ne do të apelojmë, por mund t’ju them se kjo është një ditë e errët për drejtësinë ndërkombëtare. Madje do të shkoja edhe më tej dhe do të thoja se mendoj se ky është fundi i tribunaleve ndërkombëtare”, tha Prosper.
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendran, deklaroi se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Ajo e cilësoi vendimin si zhgënjyes dhe tha se synimi i mbrojtjes mbetet shpallja e pafajësisë së Krasniqit për të gjitha pikat e aktakuzës.
“Aktgjykimi tashmë na e ka bërë të qartë se disa prova ose nuk janë marrë parasysh, ose nuk u është dhënë pesha e duhur. Ne do ta apelojmë aktgjykimin. Qëndrimi ynë është se i vetmi rezultat i këtij gjykimi duhet të jetë shpallja i pafajshëm e z. Jakup Krasniqi për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ajo.
Edhe mbrojtja e Rexhep Selimit, e udhëhequr nga avokati Geoffrey Roberts, ka reaguar pas aktgjykimit, me të cilin Selimi u dënua me 13 vite burgim.
Roberts tha se mbrojtja është e zhgënjyer me vendimin, por theksoi se bëhet fjalë vetëm për aktgjykimin e shkallës së parë.
“Jemi shumë të zhgënjyer me aktgjykimin, por është shumë e rëndësishme të theksohet se kjo është vetëm faza e parë, beteja e parë, si të thuash. Z. Selimi synon plotësisht t’i ushtrojë të drejtat e tij për ta apeluar këtë aktgjykim përmes kuadrit ligjor të Kosovës dhe ne jemi të bindur se në fund ai do të shpallet i pafajshëm për të gjitha këto akuza”, tha Roberts.
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, e konsideroi zhgënjyes vendimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Dixon tha se vendimi i sotëm nuk është, sipas tij, një ditë e mirë për Kosovën, sundimin e ligjit dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Fatkeqësisht, kjo nuk është një ditë e mirë për Kosovën. Nuk është një ditë e mirë as për sundimin e ligjit dhe as për të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, ne do ta shqyrtojmë me shumë kujdes këtë aktgjykim të gjatë, të cilin sapo e kemi pranuar, me qëllim që të paraqesim një apelim të fuqishëm dhe të vazhdojmë luftën për të dëshmuar pafajësinë e z. Veseli dhe për ta kthyer atë në shtëpi, në Kosovë”, tha ai.
Mbrojtja e të katër ish-krerëve të UÇK-së ka bërë të ditur se do të përdorë të drejtën e ankimit, ndërsa aktgjykimi i Dhomave të Specializuara është i shkallës së parë. (A2 Televizion)