As dënimi me 81 vite burg i katër ish-krerëve të UÇK-së nuk e kënaqi Beogradin. Në një konferencë për shtyp, presidenti serb Aleksandar Vuçiç analizoi pikë për pikë aktgjykimin e Hagës, shfaqi fotografi të viktimave serbe dhe u përpoq të minimizonte peshën e vendimit, duke këmbëngulur se gjykata nuk pranoi pretendimet kryesore të Serbisë për luftën në Kosovë.
Vuçiçi e ndërtoi argumentin e tij mbi faktin se Dhomat e Specializuara rrëzuan gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas tij, kjo tregon se gjykata “nuk deshi ta rrënonte kredibilitetin e UÇK-së” dhe nuk pranoi narrativën që Serbia ka mbrojtur prej vitesh.
“Është e rëndësishme të theksoj se trupi gjykues nuk konstatoi sulme sistematike kundër popullsisë civile. Nuk deshën ta rrënonin kredibilitetin e UÇK-së. Çfarë nuk përfshihet në këtë vendim? Krimet kundër njerëzimit. Të gjashta pikat e aktakuzës u hodhën poshtë. Të gjitha krimet e kryera kundër serbëve pas 20 qershorit 1999 nuk u morën parasysh. Nuk ka përgjegjësi as për ‘Shtëpinë e Verdhë'”, deklaroi ai.
Për të përforcuar këtë mesazh, presidenti serb shfaqi gjatë konferencës fotografi të viktimave serbe dhe jo-shqiptare, duke pretenduar se autorët e këtyre krimeve nuk janë dënuar dhe se rastet nuk janë marrë në konsideratë nga gjykata.
“Mund t’ju tregoj vetëm këtë fotografi, që ta shihni se çfarë masakre është kryer dhe, siç e shihni, as për këtë krim askush nuk është përgjigjur. Kemi edhe shumë fotografi të tjera. Nuk janë marrë në konsideratë”, tha Vuçiçi.
Në fund, Vuçiçi u përpoq të ulte pritshmëritë në Serbi, duke theksuar se procesi nuk ka përfunduar ende dhe se vendimi mund të ndryshojë në shkallët e tjera të gjykimit.
“Ne nuk kemi arsye as të gëzohemi, as të pikëllohemi. Edhe nëse vendimi konfirmohet, ekziston edhe një instancë e tretë… Prandaj nuk duhet ta presim këtë vendim me eufori, por të jemi të duruar”, u shpreh ai.