Pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka kërkuar nisjen e menjëhershme të procedurave institucionale për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Në një reagim pas shpalljes së vendimit, Jashari bëri thirrje për mbledhjen e Kuvendit të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme, duke kërkuar që deputetët të ndërmarrin hapa institucionalë për kundërshtimin e vendimit të Hagës.
“PDK do t’i marrë të gjithë hapat, por unë si Sala Jashari kam bërë thirrje kryesueses së Kuvendit që të bëjmë thirrje të menjëhershme që nesër ta fillojmë seancën. Të gjithë deputetët do të kthehen nga Haga dhe të fillojmë me seancë. Të fillojmë në formën institucionale që t’u dalim në zë çlirimtarëve tanë. Do të kërkojmë të gjitha format që të zhbëjmë Gjykatën. Por, mbi të gjitha, është shumë e nevojshme të dërgohet mesazhi që çlirimtarët nuk dënohen në emër të popullit. Ajo që dëgjuam sot është tragjike për Kosovën. Është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të bashkohen, sidomos ato shqiptare, e të diskutojnë. Është moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës”, u shpreh Jashari.
Deputetja e PDK-së kërkoi gjithashtu miratimin e një rezolute në Kuvend, e cila, sipas saj, do t’u përcillte një mesazh ndërkombëtarëve se UÇK-ja nuk duhet të konsiderohet e dënuar në emër të popullit shqiptar.
Jashari tha se, megjithëse Gjykata Speciale u krijua me synimin që proceset ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së të zhvilloheshin në përputhje me drejtësinë, ajo pretendon se deri më tani procesi ka qenë politik.
“Sigurisht që Gjykata është krijuar dhe çlirimtarët kanë shkuar me idenë që gjithçka le të jetë e drejtë, por deri tash e kemi parë që gjykata nuk ka qenë në asnjë formë e drejtë, ka qenë krejtësisht politike. Madje është bërë një thirrje prej avokatit të Hashim Thaçit që deputetët menjëherë të fillojnë procedurat për zhbërjen e kësaj gjykate, e po ashtu duhet të fillohet menjëherë një seancë e jashtëzakonshme”, deklaroi ajo.
Më tej, Jashari përsëriti kërkesën për hartimin dhe miratimin e një rezolute, përmes së cilës Kuvendi, sipas saj, duhet t’u përcjellë ndërkombëtarëve qëndrimin se UÇK-ja nuk mund të dënohet në emër të popullit shqiptar.
“Unë madje edhe kam bërë thirrje tashmë, ne duhet të krijojmë një rezolutë që t’i tregohet të gjithë ndërkombëtarëve e të gjithë të tjerëve që asnjë moment UÇK nuk dënohet në emrin e popullit shqiptar. Duhet të fillojë çdo procedurë sa më shpejt”, theksoi deputetja e PDK-së.


