Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pasditen e sotme lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara për ish-krerët UÇK-së. Përmes një konference për shtyp, ai u bëri thirrje serbëve që të mos e konsiderojnë procesin të përfunduar dhe të mos festojnë, duke theksuar se ende mund të ketë hapa të tjera ligjore.
"Ne nuk kemi arsye as të gëzohemi, as të pikëllohemi. Edhe nëse vendimi konfirmohet, gjë që e kam të vështirë ta besoj, ekziston edhe një instancë e tretë - Gjykata Kushtetuese e të ashtuquajturës Kosovë, e cila mund ta kthejë çështjen në rigjykim. Prandaj nuk duhet ta presim këtë vendim me eufori, por të jemi të duruar." tha ai
Gjithashtu e cilësoi vendimin si një vendim të shkallës së parë dhe kritikoi mënyrën e krijimit të Dhomave të Specializuara. Vuçiç u shpreh se trupi gjykues, sipas tij, nuk kishte konstatuar “sulme sistematike kundër popullsisë civile”. Ai thekson se vendimi nuk përfshinë krimet kundër njerëzimit duke pretenduar se “të gjashta pikat e aktakuzës u hodhën poshtë.”
"Është bërë shumë padrejtësi, por as ne të gjithë së bashku nuk kemi qenë mjaftueshëm të gatshëm të përballemi me krimet që janë kryer në emrin tonë. Megjithatë, zgjidhja për të ardhmen qëndron te biseda, mirëkuptimi më i madh dhe dialogu me të gjithë. Ky është një vendim i shkallës së parë i dhënë nga gjykata e Kosovës, sepse kjo është gjykatë e të ashtuquajturës Kosovë. Ata e krijuan këtë mekanizëm të posaçëm para 11 vitesh nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, për të shmangur krijimin e një tribunali ad hoc, si ai që u formua gjoja për territorin e ish-Jugosllavisë, por që në fakt ishte krijuar kundër serbëve dhe popullit serb. Është e rëndësishme të theksoj se trupi gjykues nuk konstatoi sulme sistematike kundër popullsisë civile. Ata nuk deshën ta rrënonin kredibilitetin e UÇK-së. Çfarë nuk përfshihet në këtë vendim? Krimet kundër njerëzimit. Të gjashta pikat e aktakuzës u hodhën poshtë. Të gjitha krimet e kryera kundër serbëve pas 20 qershorit 1999 nuk u morën parasysh, sepse u vlerësua se KFOR-i kishte mbërritur dhe nuk kishte më konflikt të armatosur. Nuk ka përgjegjësi as për 'Shtëpinë e Verdhë'," u shpreh ai.
