I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila mbrojti punën e gjykatës.
Marta Kos u shpreh se Dhomat e Specializuara janë organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur dhe se vendimet e saj duhet të respektohen. Sipas saj, të dënuarit kanë të drejtë ankimi dhe se kjo çështje lidhet me llogaridhënien personale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Kos u bëri thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës.
Në përgjigjen e tij, Grenell ka qenë i ashpër. Ai deklaroi se Evropa duhet të reformojë institucionet dhe politikat e saj dhe se ky proces nuk mund të quhet drejtësi.
“Kjo nuk është drejtësi, por një njollë për Evropën. Mbajtja në burg në këtë mënyrë është e turpshme. Kjo është aktivizëm nga elitat, jo drejtësi”, është shprehur Grenell.
Ai ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të financimit për atë që ai i quan gjykata radikale.
Grenell ka deklaruar më herët se askush nuk është i sigurt në këto gjykata ndërkombëtare, ku sipas tij elitat akademike marrin vendime politike. Ai ka lëshuar ultimatum që këto gjykata të mos financohen më.
"Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë është skandaloz. Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike", - u shpreh Grenell.
Grenell i ka bërë thirrje edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të veprojë për shpërbërjen e gjykatës.
"Albin Kurti duhet gjithashtu të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë gjykatë të huaj. Deputetët duhet të punojnë me Kurtin që kjo të ndodhë. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë", - përfundoi Grenell.
