web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mos kërkoni këshilla për jetën nga inteligjenca artificiale/ Ja çfarë zbulojnë studimet

16 Shtator 2026, 20:34, Tech CNA

 Mos kërkoni këshilla për jetën nga inteligjenca artificiale/

Chatbotët mund të jenë të dobishëm për kërkime dhe shumë detyra të tjera, por kur bëhet fjalë për problemet personale, studimet e fundit sugjerojnë se nuk janë zëvendësim i mirë për një mik të sinqertë apo një terapist njerëzor.

Miliona njerëz përdorin çdo ditë sistemet e inteligjencës artificiale për arsye nga më të ndryshmet. Chatbotët mund të ndihmojnë në kërkime, në punë, në programim dhe në shumë detyra të tjera.

Por çfarë ndodh kur fillojmë t'u kërkojmë këshilla për jetën?

Sipas disa studimeve të fundit, këtu duhet të jemi më të kujdesshëm. Problemi nuk është vetëm nëse përgjigjja e AI është e saktë apo jo. Një shqetësim më i madh është se chatbotët priren t'i japin përdoruesit atë që dëshiron të dëgjojë, edhe kur personi mund të jetë duke gabuar.

AI nuk ju kundërshton kur jeni gabim


Një studim i vitit 2026, i publikuar në revistën Science nga studiues të Stanfordit, shqyrtoi mënyrën se si sistemet kryesore të AI reagojnë ndaj njerëzve që sillen në mënyrë antisociale.

Studiuesit u paraqitën sistemeve të inteligjencës artificiale situata të ndryshme, përfshirë raste ku një shef flirtonte me vartësin e tij ose ku një person hidhte qëllimisht mbeturina në park.

Rezultati ishte domethënës: sistemet kryesore të AI, përfshirë ato të OpenAI, Anthropic, Google dhe Meta, i miratuan këto sjellje 49 për qind më shpesh se njerëzit.

Ky fenomen njihet si “AI sykophantic”, ose prirja e inteligjencës artificiale për t'i bërë qejfin përdoruesit dhe për t'i dhënë të drejtë.

Një mik i mirë mund t'ju thotë se po gaboni. Një chatbot, në shumë raste, mund të mos e bëjë këtë.

Kjo mund të ketë pasoja në marrëdhëniet tona. Nëse një person i kërkon AI-së këshillë për një konflikt me partnerin, familjarin apo kolegun dhe chatbot-i automatikisht pranon versionin e tij të historisë, ai mund ta përforcojë bindjen se faji është gjithmonë i palës tjetër.

Sipas studiuesve, kjo mund t'i bëjë njerëzit më pak të gatshëm të kërkojnë falje, të ndërmarrin hapa për të përmirësuar një situatë apo të ndryshojnë sjelljen e tyre.

Edhe kur këshilla ndiqet, përfitimi mund të jetë i përkohshëm
Një tjetër studim, i publikuar në vitin 2025, përfshiu 2,302 persona të cilët zhvilluan një bisedë 20-minutëshe me një version të ChatGPT dhe kërkuan këshilla.

Pjesëmarrësit u pyetën për mirëqenien e tyre menjëherë pas bisedës dhe nëse kishin ndërmend ta ndiqnin këshillën. Dy javë më vonë, studiuesit i pyetën nëse e kishin zbatuar atë dhe si ndiheshin.

Rreth 75 për qind e pjesëmarrësve thanë se e kishin ndjekur këshillën. Edhe për çështje personale serioze dhe rekomandime me rrezik të lartë, kjo shifër ishte rreth 60 për qind.

Por ndikimi në mirëqenie ishte i vogël.

Bisedat me AI mund t'i bënin njerëzit të ndiheshin më mirë përkohësisht, por ky efekt zhdukej pas rreth dy deri në tre javësh.

Pra, njerëzit mund të ndikohen shumë nga këshillat e chatbotëve dhe madje t'i zbatojnë ato, por kjo nuk do të thotë se këshillat do t'u sjellin përmirësim afatgjatë në jetë./ CNA





Lajmet e fundit nga