Franca ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ministria franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi se ka marrë në dijeni vendimin në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”, duke theksuar se aktgjykimi është i apelueshëm dhe se palët kanë të drejtë të ndjekin procedurat e ankimit.
“Ky vendim, i cili mund të apelohet, shënon përfundimin e proceseve të shkallës së parë para Dhomave të Specializuara, me përjashtim të rasteve që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të ministrisë franceze.
Parisi zyrtar ka përsëritur gjithashtu mbështetjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke nënvizuar angazhimin e Francës në luftën kundër pandëshkueshmërisë.
“Franca përsërit mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rikujton angazhimin në luftën kundër pandëshkueshmërisë. Ajo gjithashtu rikonfirmon mbështetjen e palëkundur për pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”, thuhet më tej në deklaratë.
Reagimi i Francës vjen pas shpalljes fajtorë të katër ish-krerëve të UÇK-së nga trupi gjykues, për krime lufte që lidhen me arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe nuk është i formës së prerë. Mbrojtja e të dënuarve ka bërë të ditur se do ta ankimojë vendimin në Dhomën e Apelit.


