Para ndeshjes Elche-Real Madrid, e cila përfundoi 3-2 në favor të “Los Blancos”, Mbappé, Vinicius dhe Konaté u bënë protagonistë të një episodi që ka shkaktuar polemika në Spanjë.
Në momentin e daljes në fushë, të dyja skuadrat kishin veshur një fanellë me një mesazh mbështetjeje për Ceutën, enklavën spanjolle të vendosur në kontinentin afrikan, e cila u përball me një krizë migratore në fund të korrikut.
Megjithatë, dy yjet e Real Madridit, Kylian Mbappé dhe Vinicius Junior, e ngritën fanellën deri në pjesën e kraharorit, duke mbuluar mesazhin “Todos somos caballas” (“Të gjithë jemi banorë të Ceutës”), ndërsa mbrojtësi francez Konaté e mbajti fanellën në dorë. Gjesti nuk kaloi pa u vënë re dhe shkaktoi kritika ndaj tre futbollistëve.
Fanellat e veshura nga skuadrat erdhën si pjesë e një nisme të Shoqatës së Sipërmarrësve Valencianë (AVE), e drejtuar nga Vicente Boluda, i cili ka qenë edhe president i përkohshëm i Real Madridit në vitin 2009, mes mandateve të Ramón Calderón dhe Florentino Pérez.
Jo të gjitha klubet e LaLiga-s iu bashkuan kësaj nisme. Mediat spanjolle vënë në dukje se Barcelona zgjodhi të mos merrte pjesë në këtë homazh gjatë transfertave të fundit ndaj Elches dhe Levantes.
Kjo nuk është hera e parë që kjo nismë shkakton polemika në Spanjë. Futbollisti i Real Betisit, Ez Abde, i cili luan për kombëtaren e Marokut, u bë objekt i ofendimeve dhe kërcënimeve në rrjetet sociale pasi mori pjesë në të.
“Bëhej fjalë për një fanellë me një mesazh social, në mbështetje të një popullsie dhe banorëve të saj, pavarësisht kombësisë, të cilët po kalonin një situatë të vështirë”, u shpreh Abde në mbrojtje të tij pas polemikave.
Pozicioni i Real Madridit
Real Madridi është përpjekur ta minimizojë gjestin e Mbappé-së, Vinicius-it dhe Konaté-së. Sipas klubit, secili është i lirë të veshë fanellën që dëshiron.
Në një deklaratë për ‘Mundo Deportivo’, klubi theksoi se, ndryshe nga sa ka ndodhur në skuadra të tjera, fanella në mbështetje të Ceutës u vesh nga shumica e lojtarëve të Real Madridit.
“Nuk mund të detyrohet askush të veshë një fanellë, ashtu siç nuk mund të detyrohet të mos e veshë”, kanë theksuar burime pranë klubit madrilen, duke e cilësuar këtë çështje si të parëndësishme.
© SYRI.net
Atletico Madrid, marrëveshje të fshehtë me Julian Alvarezin për largimin e tij
Ancelotti ndryshon listën e Brazilit, Martinelli merr ftesën e parë
Amorim surprizon me formacionin, Modric, Rabiot e Pulishic në stol ndaj BenfikësBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: