Është hapur thirrja për punësimin e studentëve ekselentë në administratën publike, me 210 vende të lira pune të shpallura në 91 institucione publike në vend.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, e cila ka njoftuar hapjen e procesit të aplikimit për të rinjtë që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Sipas njoftimit, studentët e interesuar mund të njihen me pozicionet e disponueshme, kriteret përkatëse dhe procedurat e aplikimit përmes faqes zyrtare të Departamentit të Administratës Publike.
Afati i fundit për aplikim është 1 tetori 2026.
Thirrja synon përfshirjen e studentëve ekselentë në administratën publike përmes një procesi të hapur aplikimi për pozicionet e shpallura në institucionet pjesëmarrëse.


