Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Gjeloshaj, i cili është edhe lider i Forumit Shqiptar në Malin e Zi, e cilësoi vendimin e Hagës si “jashtëzakonisht të padrejtë” dhe deklaroi se lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtëse dhe çlirimtare. Në reagimin e tij, ai shkroi gjithashtu se “çdo shqiptar e ka në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari”.
Deklarata ka sjellë reagimin e Vuçiçit, i cili gjatë një konference për media në Beograd ngriti pyetjen nëse për një qëndrim të tillë do të ndaleshin integrimet evropiane të Malit të Zi.
“Njëri që guxoi të thoshte se i ka shprehur ngushëllime dikujt, e që më nuk guxon as të shikojë lart, e lëre më diçka tjetër në Malin e Zi, sot iu desh të dëgjonte — dhe të gjithë ne u desh të dëgjonim — nga ministri malazez Gjeloshaj, i cili thotë: ‘Çdo shqiptar mban në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së’. A do t’i ndalin për këtë shkak integrimet evropiane, pasi po pështyjnë mbi aktgjykimin dhe po mohojnë sundimin e ligjit, apo kjo vlen vetëm për serbët?”, deklaroi Vuçiç.
Ai iu referua gjithashtu pjesës tjetër të deklaratës së Gjeloshajt, ku zëvendëskryeministri malazez e cilëson luftën e UÇK-së si çlirimtare dhe shpreh bindjen se vendimi i shkallës së parë mund të ndryshohet në instancat e apelit.
Reagimi i presidentit serb erdhi në të njëjtën ditë kur Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën fajtorë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, duke i dënuar për krime lufte të kryera gjatë viteve 1998-1999. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Veseli me 18 vite, ndërsa Selimi me 13 vite. Vendimi është i shkallës së parë.
Ndërkohë, në reagimin e tij pas aktgjykimit, Nik Gjeloshaj tha se vendimi ishte një “lajm shumë i keq dhe një vendim jashtëzakonisht i padrejtë”, duke theksuar se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar dhe se mbrojtja ka të drejtë ta ndjekë çështjen në instancat më të larta.
“Lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe e drejtë. Ishte luftë për mbijetesën, lirinë dhe shtetin e Kosovës, e përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë. Agresori nuk mund dhe nuk duhet të barazohet me atë që është detyruar të mbrohet”, shkroi Gjeloshaj.
Ai theksoi gjithashtu se shqiptarët dhe të akuzuarit kanë respektuar institucionet ndërkombëtare dhe se procesi ligjor do të vijojë deri në përfundim.
“Çdo shqiptar e ka në zemër luftën e shenjtë të UÇK-së dhe komandantin legjendar Adem Jashari. Çdo shqiptar beson në pafajësinë e tyre! Liria dhe pavarësia kanë një vulë: UÇK-ja dhe Amerika!”, shkroi zëvendëskryeministri malazez.
Në një shënim pas reagimit të tij, Gjeloshaj tha se deklarata e tij ishte nxjerrë nga konteksti dhe kundërshtoi interpretimet sipas të cilave ai kishte shprehur mosrespektim ndaj institucioneve ndërkombëtare.
“Kurrë nuk kam besuar se gjykatat ndërkombëtare mund të bëjnë padrejtësi. Edhe Ante Gotovina përjetoi padrejtësi në shkallën e parë, por në shkallën e dytë fitoi drejtësia. Besojmë deri në fund; beteja për drejtësi vazhdon!”, përfundoi ai.
Vuçiç, ndërkohë, duke komentuar edhe deklarata të tjera politike në rajon, tha se sipas tij ato tregojnë “standarde të dyfishta” dhe mungesë parimesh. Ai iu referua edhe një zhvillimi të fundit në Malin e Zi, ku kryetari i Kuvendit, Andrija Mandiq, kishte deklaruar se i kishte shprehur ngushëllime familjes së Ratko Mlladiqit pas vdekjes së tij. Për këtë çështje, opozita malazeze ka paraqitur një iniciativë për shkarkimin e Mandiqit, për të cilën deputetët pritet të votojnë më 24 shtator.


