
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme projektligjin për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj.
Projektligji përcakton rregullat për krijimin, administrimin, depozitimin dhe përdorimin e këtyre rezervave, me synimin për të garantuar një nivel të lartë të sigurisë së furnizimit me naftë në vend.
Në të njëjtën mbledhje, qeveria ka marrë vendim për angazhimin e Forcave të Armatosura shqiptare në misionin KFOR në Kosovë. Në kuadër të këtij angazhimi, Shqipëria do të dërgojë një kontingjent prej 17 ushtarakësh dhe një helikopter.
Në mbledhjen e sotme u miratua edhe emërimi i Mario Keputës si zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.
Një tjetër vendim është ai për një shtesë në vendimin e vitit 2020, që përcakton dokumentacionin dhe rregullat e hollësishme për evidentimin e ndërtimeve pa leje.
Qeveria ka miratuar gjithashtu dhënien e mendimit të Kuvendit për një projektligj joqeveritar, i cili parashikon ndryshime në ligjin “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri”.
Në fushën e marrëdhënieve të punës, u miratuan ndryshime në rregulloren për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëmarrësve nga risqet që lidhen me ekspozimin ndaj agjentëve biologjikë në vendin e punës./Versus.al

