Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës për zhbërjen e Gjykatës Speciale, pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për A2 CNN, Jashari u shpreh tejet e emocionuar, duke e cilësuar këtë si momentin e fundit për unitet politik. Sipas Jasharit, të gjitha partitë politike shqiptare duhet që nesër më së voni të ulen në një tavolinë për të diskutuar hapat ligjorë.
“Fillimisht duhet t’i drejtohemi Gjykatës së Apelit, pasi kjo ishte shkalla e parë. Duhet të shikojmë të gjitha mundësitë për zhbërjen e Gjykatës, nëse ekziston kjo formë. Duhet të ulemi me persona kompetentë që e njohin fushën, edhe në anën politike”, deklaroi ajo.
Ajo konfirmoi se tashmë ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme dhe se PDK-ja është kontaktuar për këtë nismë.
“Kemi bërë një kërkesë publike që kryesuesja e Kuvendit ta thërrasë menjëherë seancën e jashtëzakonshme, pa pasur nevojë për nënshkrime. Nesër duhet të fillojë seanca.”
Deputetja e PDK-së foli me tone të forta emocionale për sakrificën e luftës çlirimtare duke e quajtur detyrim moral që të lëvizet çdo gurë për të vërtetën.
"Kosova ka dhënë shumë, çlirimtarët kanë dhënë shumë, toka jonë e ka larë këtë vend me gjak. Unë si gjeneratë e re dhe të gjithë ne që sot e marrim frymë të lirë, ja kemi borxh. Është obligim moral që të mos lëmë asnjë gur pa lëvizur për të vërtetën. Ky është momenti i fundit, i fundit që ne duhet të flasim për historinë e Kosovës. Unë kam ecur nëpër dokumentimin e historisë së Kosovës, se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë, sa masakra, gjenocidi, sa vrasje, sa fëmijë... Ne duhet të mburremi me çfarë lufte ka pasur Kosova.", tha ajo.
E pyetur për reagimin e kryeministrit Albin Kurti, Jashari tha se pret veprime konkrete dhe jo vetëm deklarata.
"Pres veprime. Nuk mund t’u themi njerëzve që kanë dhënë jetën për këtë vend se nuk kemi bërë asgjë."
Ajo lëshoi një thirrje të drejtpërdrejtë për të gjithë deputetët duke i nxitur se të gjithë politikanët duhet të jenë në Kuvendin e Kosovës dhe se në kanë hatërmbetje të latgohen nga pozicionet drejtuese.
"Nuk ka politikan që mund ta arsyetojë mosardhjen e tij këtu. Nesër të gjithë politikanët duhet të jenë në Kuvendin e Kosovës. Nëse kanë hatërmbetje personale, le të largohen nga pozitat udhëheqëse."
Sipas saj, hapi i parë që duhet të hedhë Kuvendi është një rezolutë që tregon qartë qëndrimin e popullit.
"Populli i Kosovës dhe populli që flet shqip edhe e do atdheun, i ka shpallë çlirimtarët të pafajshëm. Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë dhe neve po na dënohen liderët e Ushtrisë Çlirimtare, tregimit më të bukur që na bën krenarë që jemi shqiptarë", përfundoi Jashari për A2 CNN.
